Ekonomia

Shkon në 50 mijë lekë kufiri i patatueshëm i pagës

Mbi 70 mijë punëmarrës, të cilët janë në grupin e pagave nga 40 deri në 50 mijë lekë në muaj, përfitojnë nga rritja e kufirit të patatueshëm të pagës.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj prezantoi sot p/buxhetin dhe paketën fiskale për vitin 2023, ku bëri të ditur se ndryshimet në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” parashikojnë rritjen e kufirit të patatueshëm të pagës, nga 40 mijë lekë që është aktualisht, në 50 mijë lekë.

“Pavarësisht se kjo masë do të reduktojë të ardhurat në buxhet me rreth 1.2 miliardë lekë në vit, nga ana tjetër do rrisë të ardhurat e punëmarrësve me paga deri në 50 mijë lekë në muaj, me mbi 1 miliard lekë, çka do të thotë më shumë konsum. Nga kjo masë përfitojnë mbi 70 mijë punëmarrës, të cilët janë në grupin e pagave nga 40 në 50 mijë lekë në muaj”, tha ministrja.

Po ashtu, është parashikuar futja në skemën e taksimit të të ardhurave personale të furnizuesve të shërbimeve si profesione të lira.

“Janë mbi 14 mijë profesione të regjistruara me statusin e personit fizik, të cilat do të jenë subjekt i tatimit, duke ndikuar në këtë mënyrë në dekurajimin e fenomenit të kalimit nga listëpagesa me statusin e të punësuarit dhe me barrë fiskale progresive 13 % dhe 23 %, tek personi fizik i vetëpunësuar me barrë fiskale 0 %, si dhe në eliminimin e praktikave të transferimit brenda vendit të fitimit nga personat juridikë subjekt i tatimit mbi fitimin 15 % tek personat fizikë të vetëpunësuar me shkalle tatimore 0 %, nëpërmjet faturimit të shërbimeve”, shpjegoi ministrja.

Por, ministrja vuri në dukje se tatimi për bizneset e vogla që ushtrojnë veprimtari në fushën e tregtisë, prodhimit, transportit, artizanatit etj, të organizuara si persona fizikë tregtarë, por edhe sh.p.k, dhe që realizojnë xhiro deri në 14 milionë lekë, do jetë 0 % deri në fund të vitit 2029.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button