Kosova

Jahjaga e Jacobson kanë vënë gurthemelin e Ambasadës Amerikane në Prishtinë

Presidentja e vendit, Atifete Jahajga dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tracey Ann Jacobson të martën kanë vënë gurthemelin për ndërtimin e objektit të ri të ambasadës së Amerikës në Kosovë.

Ndërtimi i saj do të bëhet në hapësirën prej 5 hektarësh në lagjen “Arbëria” në kryeqytet, tokë kjo që i është dhënë ambasadës në shfrytëzim për 99 vjet.

Ceremonia e nisjes së ndërtimit është quajtur moment historik.

“Kam nderin dhe privilegjin që sot bashkë me ju të përuroj vënien e gurthemelit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës. Ky moment shënon fillimin e ndërtimit të shtëpisë tuaj të përhershme në Kosovë, në shtetin tonë të ri qytetarët e të cilit u janë përjetësisht falënderues dhe mirënjohës për rolin e guximshëm dhe historik që keni në bërjen e Kosovës shtet”, thuhet në komunikatë.

“Bashkë kemi bërë goxha një udhëtim. Qëndruat përkrah nesh në momentet më sfiduese të shekullit të kaluar, dhe bashkërisht nisëm një kapitull të ri të shpresës dhe optimizmit në fillim të këtij shekulli për të kurorëzuar përpjekjet tona për Kosovën shtet të të gjithë qytetarëve të saj shtatë vite më parë”, u shpreh ndër të tjera, Jahjaga.

Presidentja e vendit tha se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës qytetarët e Kosovës gjetën mbështetjen dhe besimin për realizimin e vizionit tonë për liri, pavarësi e demokraci.

“Përkundër shumë vështirësive, vullneti ynë i përbashkët triumfoi ndaj të keqes dhe sot si dy popuj që ndajnë vlerat fondamentale dhe idealet e demokracisë shënojmë edhe një fillim të ri – atë të vendosjes së adresës tuaj permanente si simbol i qëndrueshmërisë”, u shpreh presidentja.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button