Ekonomia

Kritere të reja për legalizimet

Qeveria ka ripërcaktuar kriteret dhe procedurat për marrjen e lejes së legalizimit nga qytetarë të ndryshëm.

Në vendimin e marrë sot nga Këshilli I Ministrave, është përcaktuar që Drejtoria e varësisë së ALUIZNI-t do të miratojë lejen e legalizimit brenda 30 ditëve nga momenti i kualifikimit të ndërtimit informal.

Leja e legalizimit do të miratohet për subjektin përfitues, që është sipas rastit aplikuesi për legalizim ose/dhe personi të cilit i janë njohur të drejta mbi ndërtimin pa leje nëpërmjet veprimeve juridiko-civile (kontratë për kalimin e së drejtës për të legalizuar ndërtimin), trashëgimisë ose me anë të deklaratës së aplikuesit për njohjen e të drejtave mbi ndërtimin apo vendimit gjyqësor të formës së prerë.

Brenda 10 ditëve nga data e miratimit, leja e legalizimit, e shoqëruar nga dokumentacioni teknik, do të dorëzohet ose do t’i dërgohet në rrugë postare subjektit përfitues.

Për ndërtimet informale, që i nënshtrohen procedurës së kalimit të së drejtës së pronësisë, leja e legalizimit do të miratohet përpara kryerjes së këtyre procedurave dhe do t’i dorëzohet subjektit përfitues, së bashku me dokumentacionin shoqërues.

Pezullimi i procedurave administrative dhe i miratimit të lejes së legalizimit bëhet vetëm në rastet kur:

a) për ndërtimet informale dhe shtesat anësore/në lartësi plotësohen kushtet e nenit 26, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, për ato shqyrtime gjyqësore që kanë si objekt mosmarrëveshjet për të drejtën e pronësisë mbi vetë ndërtimin/shtesën apo mbi parcelën ndërtimore;

b) për shtesat anësore/në lartësi plotësohen kushtet e nenit 40, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, kur nga gjykata është vendosur masë sigurimi padie, në kuadër të shqyrtimit të mosmarrëveshjeve midis subjekteve aplikuese dhe pronarit të truallit privat dhe/ose kufitar.

Lista e subjekteve përfituese të lejeve të legalizimit, shoqëruar me të dhënat e pasurive (adresa, zona kadastrale, numri i pasurisë), afishohet në ambientet e ALUIZNI-t dhe pranë njësisë së qeverisjes vendore, si dhe publikohet në:

a) Buletinin e Njoftimeve Zyrtare;

b) Faqen zyrtare të internetit të ALUIZNI-t.

Formulari i lejes së legalizimit shoqërohet nga planvendosja (genplani) e nga planimetria dhe aty përcaktohen:

a) lloji dhe funksioni i objektit që legalizohet;

b) subjekti përfitues i lejes së legalizimit;

c) gjendja ndërtimore dhe vendndodhja e objektit;

ç) pronësia mbi truallin etj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button