Ekonomia

Bilancet, QKB: Mos i lini dorëzimet ditën e fundit, rrezikohet mbingarkesë

Biznesi duhet të dorëzojë në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit brenda datës 31 korrik bilancet dhe pasqyrat financiare. Të dhënat zyrtare flasin për rreth 15% të subjekteve që kanë përmbushur këtë detyrim. Nuk ka më shtyrje të afatit, ndaj dhe sipas QKB subjektet duhet të nxitojnë për të mos kryer veprime në minutë të fundit duke rënduar sistemin.

E ndërsa në tatime bizneset i kanë dorëzuar bilancet dhe pasqyrat financiare që në muajin prill, në Qendrën Kombëtare të Biznesit vetëm një pjesë e vogël e tyre, rreth 15%, e kanë përmbushur këtë detyrim. Ky është viti i dytë që bizneset duhet të dorëzojnë bilancet online dhe “gabimet” nuk do të mund të tolerohem më me justifikimin se ka munguar informacioni.

Fluksi i aplikimeve për dorëzimin e bilanceve pritet të jetë më i madh në pjesën e dytë të muajit korrik. Kjo me shumë gjasë do të mund të shoqërohet me mbingarkesë të sistemit, duke sjellë vonesa. Por, në varësi të fluksit QKB parashikon ngritjen e sporteleve të veçanta për të përballuar përpunimin e aplikimeve.

“Janë 3,214 subjekte që kanë dorëzuar këto dokumente ose rreth 15% e totalit. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjitshme të Tatimeve janë 21,837 subjekte që kanë detyrim të depozitojnë pasqyrat financiare. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015 rezulton se kanë depozituar bilancet dhe pasqyrat financiare rreth 2 herë më shumë subjekte”, bëjnë të ditura burimet zyrtare të Qendrës Kombëtare të Biznesit.

Bazuar në dispozitat e ligjit Nr.9723, datë 3.5.2007 “Për regjistrimin e biznesit”, i ndryshuar, subjektet, që kanë detyrimin e hartimit të pasqyrave financiare vjetore, raportit të ecurisë së veprimtarisë dhe raportit të auditimit, të mbajtur sipas kërkesave ligjore, në rastet kur mbajtja e këtyre dokumenteve është e detyrueshme, dhe që nuk i kanë depozituar më parë brenda 30 ditëve kalendarike nga data e hartimit të aktit të detyrueshëm për t’u regjistruar, detyrohen në çdo rast t’i depozitojnë këto dokumente, jo më vonë se 7 muaj nga data e mbylljes së çdo viti financiar.

“Bizneset, thonë burimet e QKB-së, nuk duhet që ta lënë për minutë të fundit dorëzimin e këtyre dokumenteve, pasi nga nxitimi mund të bëjnë gabime dhe ne jemi të detyruar që ta kthjejmë aplikimin për rishqyrtim dhe tek e fundit kjo nënkupton kosto dhe më shumë punë për punonjësit”.

Nga detyrimi për të mos i paraqitur online bilancet dhe pasqyrat financiare përjashtohen vetëm bizneset e huaja, duke qenë se shtetasit e huaj që i drejtojnë nuk janë të regjistruar në Gjendjen Civile, ndaj verifikimi bëhet nga punonjësit pranë sporteleve fizike.

Për herë të parë në vitin 2015 u bë e mundur që të gjitha pasqyrat fiannciare dhe bilancet të mund të dorëzoheshin tërësisht në rrugë elektronike.

Sipas të dhënave zyrtare u depozituan online 12,185 bilance dhe 75,000 pasqyra financiare, shifra që ishin 47.5% më të larta se 2014-a.

“Truku” i mosdorëzimit

Por, ajo që vihet re është se ka raste kur subjektet nuk i dorëzojnë bilancet. Ato janë të gatshme të paguajnë penalitetin e përcaktuar për këtë rast e që është 15,000 lekë dhe të mos i dorëzojnë as bilancet dhe aq pasqyrat financiare. QKB, sqaron se nëse një subjekt nuk përmbush këtë detyrim ligjor, atëherë zbatohet sanksioni ligjor i përcaktuar në këtë ligj, i cili parashikon se moskryerja e detyrimit për regjistrimin fillestar dhe regjistrimet e tjera të detyrueshme, brenda afateve të parashikuara nga ky ligj, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë 15,000 lekë.

Gjithashtu, krahas dënimit me gjobë, në momentin e aplikimit nga subjektet pranë sporteleve, nga ana e QKB-së verifikohet nëse aplikuesi ka shlyer sanksionet administrative të dhëna dhe ka kryer regjistrimet e kërkuara sipas nenit 46, të Ligjit Nr. 9723, datë 03/05/2007. Në rast se konstatohet se subjekti nuk ka kryer regjistrimet e kërkuara ligjore dhe nuk ka shlyer sanksionet administrative, atëhere subjekti nuk lejohet të aplikojë, deri në momentin e shlyerjes së sanksioneve dhe kryerjes e të gjitha regjistrimeve të kërkuara.

Megjithatë QKB thotë se biznesi pas shlyerjes së penalitetit

( edhe nëse nuk ka dorëzuar bilancin) mund të vazhdojë të bëjë veprime të tjera, pasi një gjë e tillë nuk mund të pengohet pafund.

Mënyra e depozitimit  

– Depozitimi i dokumentave mundësohet vetëm nëpërmjet aplikimit online në portalin qeveritar e-albania , duke ndjekur të gjitha hallkat e procedurës për kryerjen e aplikimit.

– Formati elektronik i ruajtjes së pasqyrave financiare, duhet të jetë në PDF.

– Individi, i cili do të kryejë aplikimin, duhet të jetë i pajisur me kartë identiteti ose pasaportë biometrike.

– Shërbimi ofrohet pa pagesë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button