Politika

Përvjetori i 105-të i pavarësisë vjen në Pekin me njoftimin e projekteve të reja

Ndërtimi i ‘Korridorit të Kaltër’ është një projekt kyç që Shqipëria po e negocion me kompaninë kineze “Pacific Construction”, ndërsa të tjerë në sektorin bankar, të aviacionit dhe turizmit janë duke u marrë në konsideratë. Lajmin për to e dha ambasadori i Shqipërisë në Kinë, Selim Belortaja, kur përshëndeti të ftuarit në veprimtarinë e kremtimit të 105 vjetorit të pavarësisë në Pekin.

“Korridori Blu që e lidh Shqipërinë me vendet fqinje dhe që kalon në vijën tonë të bukur bregdetare, është një projekt kyç që po negociohet dhe ne shpresojmë përfundimin e shpejtë me rezultate pozitive. Nisma të tjera investimesh po merren në konsideratë në Shqipëri dhe në vendet fqinje,” tha ai.

Ambasadori Belortaja vlerësoi edhe miqësinë e thellë e tradicionale midis Kinës e Shqipërisë.

“Shqipëria ishte një nga vendet e para që njohu Republikën Popullore të Kinës. Marrëdhëniet kino-shqiptare pas kësaj dite nuk ishin vetëm marrëdhënie bashkëpunimi midis dy shteteve, por më shumë se kaq, ishte një miqësi e vërtetë dhe ndihme vëllazërorë. Shqiptarët i mbeten përherë mirënjohës ndihmës ekonomike të Kinës. Nga ana tjetër, ne jemi krenarë që roli i Shqipërisë për kthimin e vendit legjitim të Kinës në Kombet e Bashkuara në vitin 1971, njihet gjerësisht nga populli kinez. Ndërkohë, qëndrimi ynë në lidhje me politikën e “një Kine”, mbet i pandryshuar. Gjatë dekadave të vështira për të dy vendet, marrëdhënia jonë u bë një shembull i rrallë i miqësisë midis popujve dhe ky është një aset i çmuar që ne duhet ta ruajmë dhe trashëgojmë së bashku.”

Belortaja gjithashtu përshëndeti dhe shprehu pjesëmarrjen aktive të vendit tonë në mekanizmin e bashkëpunimit “16+1” dhe nismën “Një brez, një rrugë”.

“Kina përfaqëson partnerin tonë të dytë tregtar dhe të investimeve. Mekanizmi ’16+1′ dhe nisma vizionare ‘Një brez, një rrugë”, ofrojnë platforma të mëdha e motivuese për bashkëpunimin tonë përmes projekteve me interes të ndërsjellë. Mbi këto, veprimtaria e kompanive kineze në Shqipëri është zgjeruar në sektorë strategjikë si minierat, transporti ajror, dhe nafta ndërsa transporti tokësor dhe bankar po merren në konsideratë.”

Për këtë përvjetor pavarësie, Shqipëria u prezantua në Pekin me violinistin shqiptar me famë botërore, Olen Çezari.

Virtuozi ndodhet prej disa javësh në Kinë, ku po zhvillon një turne koncertesh në disa qytete.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button