Bota

Si mund të përfitojë Kina nga politikat e Trumpit kundrejt Meksikës?

Qëndrimi i ashpër i presidentit, Donald Trump, ndaj Meksikës mund t’i mundësojë Kinës që të bëhet partneri më i madh tregtar i vendit dhe Amerikës Latine, vëren opinionisti Fred Imbert në një artikull për CNBC, – shkruan Dita.

Eksperti i referohet Sean Miner, anëtar i “think tank”-ut të njohur si Këshilli i Atlantikut, i cili vuri në dukje se 80% e eksporteve meksikane shkojnë në SHBA dhe se tensionet tregtare midis dy vendeve do bëjnë që qeveria meksikane “të përpiqet të gjejë tregje të reja eksporti”.

“Kohët e fundit, Kina dhe Meksika janë afruar, gjë që është një pasojë e qartë e rritjes së tensioneve”, tha ai.

Fred Imbert argumenton se përballë frikës se politikat e qeverisë Trump mund të kufizojnë tregtinë midis dy vendeve “Meksika ka kërkuar të reduktojë varësinë e saj ekonomike nga fqinji verior”. Ai kujton se në një takim të zhvilluar dhjetorin e kaluar ndërmjet zyrtarëve meksikanë dhe kinezë ka pasur një angazhim për thellimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Për më tepër, Meksika nuk është vendi i vetëm në Amerikën Latine që kërkon të forcojë lidhjet ekonomike me Kinën, shkruan eksperti. Nëse Pekini nënshkruan me Kolumbinë marrëveshjen e tregtisë së lirë, kjo e fundit do t’u bashkohet vendeve të tjera të Amerikës Latine, si Peruja, Kili dhe Kosta Rika, që kanë një marrëveshje bilaterale tregtare me Kinën.

Në këtë kontekst, Imbert citon një tjetër opinion të Sean Miner, i cili vë në dukje se “për shkak të zhbërjes së Marrëveshjes Transoqeanike [TPP], vendet duan të forcojnë marrëveshjet rajonale të tregtisë dhe do të shqyrtojnë mundësitë e tjera që përjashtojnë SHBA-në”.

Sipas Fred Imbert, anulimi i TPP nga Trump, ka nxitur Kinën që të përfitojë nga boshllëku i lënë nga Shteteve të Bashkuara”. Dhe kjo për shkak se gjiganti aziatik ka rritur ndikimin e tij ekonomik në Amerikën Latine shumë më përpara fitores së Trumpit në presidenciale, thotë Imbert.

Sipas të dhënave nga organizata jofitimprurëse Americas Society/ Council of the Americas, tregtia midis Kinës dhe vendeve të Amerikës Latine është rritur 24 herë mes 2000 dhe 2013.

Megjithatë, ekspertë të tjerë thonë se në këtë moment ka disa kufizime të caktuara për rritjen e tregtisë mes Meksikës dhe Kinës. Përveç vështirësive logjistike, ata përmendin se problemi është se “Meksika prodhon produkte të shumta që po ashtu i prodhon dhe Kina” dhe gjithashtu theksojnë se “Kina shet më shumë se sa blen”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button