Kosova

Të kënaqur me trendin e sekuestrimeve dhe konfiskimeve

Të kënaqur me trendin e sekuestrimeve dhe konfiskimeve, Këshilli Prokurorial i Kosovës gjatë mbledhjes së sotme ka vendosur unanimisht që Sevdije Morina, Besim Kelmendi dhe Lulzim Sylejmani, të kalojnë në zyrën e kryeprokurorisë së shtetit.

Ndërsa, u tha se shpallja e konkursit për regrutimin e stafit mbështetës, do të bëhet në bazë të marrëveshjes së Brukselit, që është arritur nga ana kosovare dhe asaj serbe.

Me këtë rast, kryeprokurori Aleksandër Lumezi, tha se në këtë konkurs për emërimin e prokurorëve në zyrën e kryeprokurorit të shtetit kanë aplikuar 7 prokurorë gjithsej.

“Pas shqyrtimit të dokumentacionit…komisioni për emërimin e prokurorëve e ka bërë rendlistën e prokurorëve…Sevdije Morina është poentuar me 98.6 poena, Besim Kelmendi me 97.33 poena, Lulzim Sylejmani me 96, Agron Bajrami me 89 poena, Ilaz Beqiri me 86 poena, Ibrahim Berisha me 74 dhe Ferdane Syljemani me 63 poena… Sevdije Morina, Besim Kelmendi dhe Lulzim Sylejmani të rekomandohen për prokurorë në Kryeprokurorinë e Shtetit”, tha Lumezi.

Ndërkaq, anëtari i këshillit prokurorial, Florent Muqaj, tha se me emërimin e Sevdije Morinës në zyrën e kryeprokurorit të shtetit, ajo humb bazën deleguese si përfaqësuese e Prokurorisë Speciale, raporton KP.

“Ne po e shohim që ankesat dhe procesi është kryer…ne tash po i emërojmë. Unë kam vetëm një dilemë megjithëse është shumë mirë që një njeri me përvojë si zonja Morina po shkon në zyrën e kryeprokurorit të shtetit, unë e kam vetëm problemin tash e tutje na paraqitet një rrethanë ligjore e re, ku zonja Morina vetëm e humb bazën deleguese si përfaqësuese e Prokurorisë Speciale në Këshillin Prokurorial dhe kjo do t’ia vendoste në pikëpyetje edhe mandatin e saj…ne e dimë se ligji nuk e njeh zyrën e kryeprokurorit të shtetit si etnitet që përfaqësohet në Këshillin Prokurorial”, tha Muqaj.

Kurse, Lumezi u arsyetua se Morina e ka dekretin e presidentit Fatmir Sejdiu.

“Është e vërtetë që prokuroria Sevdije Morina e ka fituar statusin e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës si prokurore e Prokurorisë Speciale të Kosovës, mirëpo ajo nuk është zgjedhur nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, por e ka dekretin e Presidentit Fatmir Sejdiu i cili e ka bërë emërimin e saj si anëtare të Këshillit Gjyqësor…dhe automatikisht ju ka vazhdu mandati edhe në përbërjen e re të Këshillit Prokurorial të Kosovës”, shtoi Lumezi.

Ndërsa, raportin tre mujor për krime ekonomike e shpalosi Koordinatori kombëtar për krime ekonomike, Shqipdon Fazliu, i cili tha se trendi i sekuestrimeve dhe konfiskimeve ka vazhduar në nivel të kënaqshëm.

“Trendi i sekuestrimeve dhe konfiskimeve ka vazhduar në nivel të kënaqshëm edhe konsiderojmë se në qoftë se vazhdojmë me këtë trend, viti 2015 ka mundësi me e tejkalu vitin 2014 sa i përket niveleve të sekuestrimeve, që ka qenë i konsideruar si nivel mjaft i suksesshëm…ajo çka mbetet ende një sfidë, është çështja e statistikave ngase statistikat tregojnë se ka mospërputhje mes punës së bërë në terren por edhe asaj që pasqyrohet në databazë…një sfidë tjetër është se derisa mund të jemi relativisht të kënaqur sa i përket zbatimit të implementimit të dispozitave në lidhje me fuqitë e rregullta të konfiskimit…vazhdon të jetë një sfidë aplikimi i ligjit mbi kompetencat e zgjeruara të konfiskimit, ngase përpos dy rasteve eventuale…ne nuk kemi informacione se ndonjë prokuror e ka futur në përdorim këtë ligj”, tha Fazliu.

Ai shtoi se të veçantat e kësaj punë 6 mujore, janë se pas disa muajsh punë intensive janë dorëzuar dy vetura të konfiskuara nga të pandehurit, vetura të cilat tash e tutje do të shfrytëzohen nga ana e Policisë së Kosovës për një efikasitet më të lart.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button