Kronika

Babai i Arturit: Përse polici ma vrau djalin prapa shpine?

Soba e gazit ka mbledhur tokë 7 anëtarët e familjes Baze, të cilët këto ditë të ftohta dimri po i përjetojnë me dhimbjen e largimit nga jeta të Arturit, 42-vjeçarit, që mbeti i vrarë mbrëmjen e 5 janarit, gjatë shkëmbimit të zjarrit në Rrugën e Kavajës.

arturPengu i vetëm dhe i përbashkët i të gjithëve, përveç mohimit kategorik të frazës “vrasës me pagesë” ishte pyetja kyçe “Çfarë e shtyu Arturin të tentonte vrasjen e atyre personave dhe përse polici e qëlloi nga prapa, duke e lënë të vdekur, kur kishte mundësi ta neutralizonte, duke e plagosur në fillim dhe pastaj ta arrestonte?”. Në katin e parë të pallateve “Hawai”, në rrugën “Don Bosko”, brenda apartamentit 2 plus 1, në pronësi të vëllait të Arturit, habia për përfshirjen e tij në këtë ngjarje, “oshtinte” në dhomën e ndenjes (ndoshta nga mungesa e mobilieve luksoze), aq sa edhe vetë vaji për vdekjen e tij. Këto ditë të vështira, shtëpia pret vizita mortore dhe njerëzit e afërt të djalit çapkën, gjendeshin pranë nënë Trëndos, gruas rreth të 60-ave që derdh lot e mbledh duart sa herë kujtohet emri i të birit. Në krye të këndit, siç e do zakoni i shqiptarëve, qëndrojnë i zoti i shtëpisë, Behari, shoferi nga Skrapari që tashmë rregullohet me ndonjë punë tek-tuk dhe në anën tjetër miku. Rrëfimi i 65-vjeçarit për gazetën “Shqip” nis i qetë, ashtu shtruar e butë, që në kohën kur Arturi ishte fëmijë e deri ditën kur e përcolli për në banesën e fundit. Hera-herës ndërpritet nga ndërhyrjet e 3 motrave të të ndjerit, të cilat plotësojnë të atin për detaje të imtësishme, kurse vëllai rri i ulur në divan dhe vetëm dëgjon. Duart me kallo dhe me plagë dëshmojnë për vetë jetesën e tij në Greqi, ashtu si pjesa më e madhe e shqiptarëve emigrantë në shtetin fqinj. Nënë Trëndoja përcillet dhe fikson vështrimin sipër komodinës, ku qëndron fotoja e djalit, ndërsa ka pranë hallat e Arturit dhe të afërmit e tjerë…

Emigracioni

Behar Baze thotë se djali i tij kishte emigruar që në vitin 1998, ku fillimisht qëndroi në Angli. “Arturi mbaroi ushtrinë dhe iku në Angli, ku qëndroi deri në vitin 2002. Kur e sollën në Rinas, policia kreu disa verifikime dhe më kontaktuan mua, në fshatin Kakruk të Skraparit, ku jetoja. Mora vërtetim nga Ministria e Brendshme, ku djali rezultonte pa probleme në Shqipëri”, tregon ai. Pas ardhjes nga Britania e Madhe, duket se Arturi po përshtatej me jetesën këtu, ku i ati i siguronte ndonjë punë tek tuk si punëtor ndërtimi apo në instalime elektrike. Më tej Behari rrëfen se “Qëndroi disa kohë dhe u mërzit, nuk i rrihej më këtu dhe iku në Greqi nga mali. Atje punonte me punë të ndershme, derisa e kthyen në Shqipëri, pasi ishte pa dokumente dhe mori ‘apelas’ (vulë që nuk lejon hyrjen në territorin grek). Në vitin 2004 u njoh me një vajzë në Tiranë dhe nga martesa me të patën një djalë”. Nga ana tjetër, familja Baze duket se ishte zhvendosur pothuajse e gjitha në Greqi. Behari thotë se gjatë bisedës me bashkëshorten kishte insistuar që Arturi të mos shkonte sërish në Greqi, pasi do t’i hapeshin probleme me drejtësinë, ndërsa sqaron se jetesa në çift dhe nevoja për mirëqenie e shtynë të birin të emigronte sërish ilegalisht për në shtetin fqinj. “Aty e kapën dhe e dënuan me 24 muaj heqje lirie, ku për sjellje të mirë dhe për shkak se punonte rregullisht në burg, e liruan pas 11 muajve. Me mbërritjen në Shqipëri, djali tjetër vendosi të blinim një shtëpi në Tiranë, që të na mblidhte të gjithëve dhe të jetonim këtu, por Arturi duke parë kushtet u zhvendos në një shtëpi me qira, në Laprakë, bashkë me familjen që kishte krijuar”, rrëfen 65-vjeçari. Para 3-4 vitesh Arturi ndërron emrin në Arjanit Sterio, për shkak të vulës dhe jetoi në Greqi te motrat e vëllezërit, teksa ishte punësuar në ngarkim-shkarkim.

Misteret

Vajtje-ardhjet Greqi-Tiranë vijonin rregullisht, derisa dukej se Arturi po stabilizohej përfundimisht në kryeqytet. Babai i tij tregon se “Po niste të punonte, por nuk na tregonte asgjë. Ne dinim vetëm se jetonte bashkë me disa shokë, por kurrë nuk na tregoi ndonjë emër apo vend se ku rrinin. Nuk më solli ndonjë shok në shtëpi dhe as më përmendi ndonjë emër. Kohët e fundit, nuk qëndronte shumë në shtëpi dhe filloi të mbyllej në vetvete. Vinte vetëm sa për të na parë nëse ishim mirë, fliste shumë pak dhe largohej. Kur erdhi më 28 dhjetor, ishte i sëmurë. Na tha se u kishin prerë dritat te shtëpia ku jetonte”.

Vrasja

Vrasjen e të birit, Behari tha se e kishte marrë vesh nga media, ku pa edhe emrin e ndryshuar të djalit. “Në fillim doli emri Arjan, por mbiemri Sterio me ngjalli dyshime, pasi kishte shumë ngjashmëri. Pak më vonë mora në telefon djalin që kam në Greqi dhe vajzat, pasi doli emri i plotë. Menjëherë u mblodhëm ne që jetojmë këtu në Tiranë dhe hapëm mortin, ndërsa jashtë derës dëgjoheshin lëvizje. Më vonë, erdhën edhe inspektorët civilë të policisë, të cilët i kishte sjellë në shtëpi një person i njohur për ne dhe pasi u tregova dhomën ku flinte ndonjëherë Arturi kur vinte, kontrolluan shtëpinë”, thotë 65-vjeçari. Ai shton se i kishin kërkuar emrat e shokëve, por askush nga familja nuk kishte dëgjuar për ta. Më pas, ai dhe dhëndri ishin thirrur për të dhënë sqarime të mëtejshme në polici. Ajo çka mbetet për t’u sqaruar, sipas Beharit, është zbardhja e rrethanave të vendndodhjes së të birit në vendin ku u vra dhe mënyra sesi ai u eliminua, me plumb në shpinë. “Dua të di përse polici e qëlloi nga prapa, duke e lënë të vdekur në vend dhe përse nuk e plagosi apo ta neutralizonte me mënyrat e policisë, për ta arrestuar? Nëse ishte i fajshëm, Arturi të dënohej sipas ligjeve të shtetit, por jo të ma sillnin të vdekur në shtëpi”, shton ai. Në lidhje me personin, i cili qëlloi mbi 42-vjeçarin, Behari dhe anëtarët e tjerë të familjes urojnë shërimin e tij, në mënyrë që ngjarja të sqarohet. Një tjetër moment që duhet zbardhur, sipas Beharit është edhe vendndodhja e policit në atë vend, nëse ishte në detyrë apo ishte pjesë e grupit. “E ç’të të them më, më iku djali, ja siç e shikon”, mbyll rrëfimin e tij babai i Artur Bazes, i vetmi që mbeti i vrarë nga ngjarja e Rrugës së Kavajës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button