Kronika

Referendumet, Kolegji shtyn me 1 javë vendimin, rrezikohen afatet

Bashkohen në themel 130 kërkesat e komunave dhe bashkive

Nga Herion Mesi   

Kolegji-zgjedhorKolegji Zgjedhor do të shqyrtojë në 14 janar kërkesën e Partisë Socialiste, për rrëzimin e vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilat i kanë hapur rrugën mbajtjes së referendumeve lokale, kundër ndarjes së re administrative-territoriale. Kjo shtyrje e vendimit me një javë shihet me pasoja për demokratët, të cilët shpresojnë shumë te mbajtja e referendumit. Kolegji Zgjedhor, në rast të rrëzimit të kërkesës së PS-së, shtyn në limitet kohore të afateve të parashikuara në Kodin Zgjedhor për mbajtjen e referendumeve lokale. Kjo për shkak se Kodi përcakton datën 15 mars, si datën e fundit kur Kolegji Zgjedhor merr në shqyrtim kërkesat e KQZ-së për ligjshmërinë e referendumit, dhe kalimi i këtij afati po sipas Kodit, bën që kërkesa e KQZ-së të dërgohet vetëm vitin e ardhshëm, duke e kthyer nismën e bashkive dhe komunave që mbështeten dhe nga demokratët në një proces nul.

Kodi për referendumet

Duke qenë se ende nuk ka një vendim përfundimtar të Kolegjit Zgjedhor, në rast të një vendimi pozitiv për demokratët, atëherë mbajtja e referendumeve lokale rrezik të mos zhvillohet në kohë për shkak të procedurave të parashikuara në Kodin Zgjedhor. Në pikën 6 të nenit 119 që bën fjalë për kufizimet në ushtrimin e të drejtës së referendumit, Kodi Zgjedhor parashikon që kërkesat për referendum, që nuk kanë kaluar nëpër të gjitha procedurat e këtij kreu, brenda datës 15 mars të çdo viti, pavarësisht se kur janë paraqitur, shtyhen deri në vitin pasardhës. “Në përputhje me pikën 3 të nenit 152 të Kushtetutës, kërkesat për referendum, që nuk kanë kaluar nëpër të gjitha procedurat e këtij kreu, brenda datës 15 mars të çdo viti, pavarësisht se kur janë paraqitur, shtyhen deri në vitin pasardhës”, thuhet në Kodin Zgjedhor. Ndërkaq, duke qenë se Kolegji ka vendosur që vendimin e tij do ta marrë më datë 14 janar, atëherë koha e mbetur në dispozicion që kërkesa e 130 bashkive dhe komunave të kalojë të gjitha procedurat, është dy muaj. Në pikën 1 të nenit 129 të tij, Kodi Zgjedhor përcakton dhe shqyrtimin e kërkesës nga Gjykata Kushtetuese, ku pas verifikimit të rregullsisë së kërkesave, për të cilat do të shprehet Kolegji Zgjedhor, KQZ-ja ia përcjell kërkesat për referendum Presidentit të Republikës dhe Gjykatës Kushtetuese, me përjashtim të rasteve të parashikuara në nenin 119 të këtij Kodi. KQZ-ja njofton njëkohësisht Kryetarin e Kuvendit dhe Kryeministrin për kërkesat e pranuara. “Gjykata Kushtetuese vendos për kushtetutshmërinë e kërkesave për referendum të përgjithshëm dhe nëse ato janë formuluar në përputhje me pikat 3 dhe 5 të nenit 126, brenda 60 ditëve nga dita e marrjes së kërkesave nga KQZ-ja”, thuhet në pikën 2 të nenit 129 të Kodit, që do të thotë se deri më 14 mars dhe vetëm një ditë para skadimit të afatit të përcaktuar në Kodin Zgjedhor, Gjykata Kushtetuese mund të shprehet për kushtetutshmërinë e kërkesave për referendum. Në këto kushte, paraprakisht, pavarësisht vendimit që Kolegji Zgjedhor do të marrë në datë 14 janar, mbajtja e referendumeve vendore duket një mision thuajse i pamundur. Ndërkohë që ky afat shtyn rrjedhimisht edhe afatin e mbajtjes së referendumit kundër ndarjes territoriale, pasi 2015-ta është një vit zgjedhor dhe nisur nga kjo nuk mund të zhvillohet referendum, i cili po sipas Kodit, mund të bëhet vetëm tre muaj pas zgjedhjeve vendore. Në këtë mënyrë mundësitë për mbajtjen e këtij referendumi që demokratët mund të kërkojnë në rast të kalimit të të gjitha procedurave të parashikuara në Kodin Zgjedhor mund të bëhet vetëm në muajin dhjetor 2015, ose në fillim të vitit 2016.

Kolegji

Gjatë ditës së djeshme në seanca të veçanta, Kolegji Zgjedhor vendosi bashkimin e 130 kërkesë-padive të Partisë Socialiste, për rrëzimin e vendimeve të KQZ, për referendumet lokale, kundër ndarjes së re administrative-territoriale. Duke qenë se subjekti dhe natyra e çështjeve është e njëjtë, u vendos bashkimi i tyre për çka ishin dakord edhe përfaqësuesit e palëve në proces. Pas vendimit për bashkimin e çështjeve në një të vetme, Kolegji Zgjedhor vendosi që shqyrtimi në themel, i kërkesës së paraqitur nga socialistët të zhvillohet të mërkurën e ardhshme, më datë 14 janar, ku kryetare do të jetë gjyqtarja Edlira Petri, ndërsa anëtarë: Andi Civici, Fuat Vjerra, Kliton Spahiu dhe Ilir Tosku, dhe relatore e çështjes do jetë vetë drejtuesja e seancës Edlira Petri. Seanca e djeshme erdhi për shkak se PS-ja depozitoi në Kolegj një muaj më parë kërkesat për shpalljen si të pavlefshme të vendimeve të KQZ-së, e cila pajisi 130 komunat me formularin tip, për të vijuar procedurat për zhvillimin e referendumeve. E ndërsa kjo çështje është bërë objekt shqyrtimi në Kolegjin Zgjedhor, Gjykata Kushtetuese la në fuqi ndarjen e re administrative-territoriale.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button