Politika

sot zhvillohet kongresi i socialisteve, priten debate

 

Në kongresin e socialistëve që do të zhvillohet sot do të mbizotërojnë debatet, ku deputeti Ben Blushi dhe mbështetësit e tij do të bëjnë përpjekje për të fituar teza e votimit për kryetarin me opsionin “një anëtar një votë”, tezë e cila do të përplaset me aksionin e mbështetësve të Edi Ramës për ndryshimin e statutit dhe për ta mbyllur këtë debat njëherë e mirë. Ajo që bie në sy është parulla “Partia Socialiste, për Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër”.

Axhenda

Në orën 10:00 të ditës së sotme nis Kongresi maratonë i Partisë Socialiste, ku 1500 delegatë janë ftuar të marrin pjesë për të diskutuar dhe më pas për të votuar statutin e ri dhe anëtarët e Asamblesë. Nga ky Kongres do të zgjidhen 175 anëtarët e rinj të Asamblesë Kombëtare dhe 9 anëtarët e Komisionit të Garancive Statutore. Në rendin e ditës në Kongresin e Partisë Socialiste janë parashikuar gjashtë pika kyçe, që nisin me fjalën e kryetarit aktual Edi Rama, të cilat më pas do të shoqërohen me debatet për statutin. Dy moderatorët e Kongresit të PS-së janë Gramoz Ruçi, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së dhe Taulant Balla, sekretari i grupit. Kryetari i grupit parlamentar Gramoz Ruçi do të flasë për anëtarësimet e reja në parti, ndërsa kreu i komisionit të garancive statutore, Fatmir Xhafaj, do të prezantojë statutin e ri të partisë. Por në punimet e këtij Kongresi mësohet se do të flasin pothuajse të gjithë ministrat dhe deputetët. Dhe të ftuarit Giani Pitella, Massimo D’Alema e Martin Schulz do të “flasin” përmes video-mesazheve.

6 pikat

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në fjalën e tij në Kongres, do të flasë për raportin mbi ecurinë dhe rezultatet e fushatës së anëtarësimeve si dhe zgjedhjeve në PS. Pika më e rëndësishme, e cila pritet të ketë debate të forta është diskutimi dhe votimi për ndryshimet statutore, të huazuara nga modeli laburist. Do të jetë kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi që do të prezantojë Raportin e Komisionit të Garancive Statutore për veprimtarinë midis dy kongreseve. Pas fjalës së Ruçit do të ketë pyetje dhe diskutime për ndryshimet dhe përmirësimet që do të bëhen në statutin e Partisë Socialiste. Pas diskutimeve mbi pikat e statusit do të bëhet zgjedhja e organeve drejtuese qendrore të partisë. Edi Rama, si përgjigje ndaj sfidës së drejtpërdrejtë të Blushit, do t’i propozojë Kongresit referendumin nëse duhet të ketë, apo jo, zgjedhje për postin e kryetarit. Ftesë për të qenë i pranishëm i është dërguar dhe ish-kryeministrit dhe ish-kryesocialistit Fatos Nano, por nuk dihet nëse ky i fundit e ka marrë në konsideratë ftesën. Po ashtu janë ftuar të jenë të pranishëm dhe ish- presidentët Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani. Në kongres do të votohet për 175 anëtarët e rinj të asamblesë kombëtare dhe 9 anëtarët e Komisionit të Garancive Statutore. Ndryshe nga herët e tjera, çdo delegat do të votojë vetëm për anëtarët e qarkut të tij. Delegatët do të përcaktojnë dhe nëse kryesocialisti do të kalojë ose jo në referendum për mandatin e tij, brenda 30 ditëve nga kongresi. Të drejtën e votës përveç delegatëve të zgjedhur për shkak të zgjedhjeve të brendshme të partisë e kanë dhe të tjerë që e përfitojnë atë për shkak të postit që mbajnë si deputetët, kryetarë partie e bashkie dhe ish-presidentë. Ndërkohë të dielën po në Pallatin e Kongreseve hapen zgjedhjet për Forumin Rinor Eurosocialist, për strukturat dhe kryetarin.

Debatet, punë të PS-së

Derisa ish-kreu i Kuvendit Servet Pëllumbi, pak para fillimit të darkës së të premtes u shpreh për “Shekulli”-n, se nuk ka një përplasje mes Ramës dhe Blushit, një tjetër ish-kryetar i Kuvendit, Skënder Gjinushi, debatin në fjalë e sheh si një problem të brendshëm të partisë. “PS në tërësi ka treguar se ka demokraci të brendshme. Debati mes Blushit dhe Ramës është çështje që i përket Partisë Socialiste”, tha Gjinushi. Ndërsa një nga deputetët që i është bashkangjitur “Lëvizjes së Blushit”, Namik Kopliku tha se “në Kongres do të vendoset për statutin. Ai që votojnë delegatët do të jetë statuti i PS-së”. Dhe një nga figurat e vjetra të PS-së, ish-ministri Et’hem Ruka është shprehur se Kongresi është një ngjarje e rëndësishme jo vetëm e Partisë Socialiste por e gjithë jetës politike në vend.

Servet Pëllumbi: Kongresi i PS-së do jetë model, jo si Elbasani

Profesori i socialistëve, Servet Pëllumbi, konfirmon për “Shekulli”-n se do të jetë i pranishëm në Kongresin e Partisë Socialiste që do të mbahet sot në Pallatin e Kongreseve. Ai është i bindur se ky Kongres do të jetë model për nga mënyra se si do të diskutohet. “Sigurisht që nuk do të mungoj. Madje festa ka nisur që sonte (mbrëmë në darkë), tani jam duke u bërë gati për të shkuar në darkën që është organizuar. Jemi në 25-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste dhe ky është një rast i mirë për të festuar në mënyrën më të mirë këtë ngjarje të madhe për familjen tonë socialiste”, u shpreh profesor Pëllumbi për gazetën “Shekulli”. Ai nuk la pa komentuar “kundërshtarin” më të madh të partisë, deputetin Ben Blushi, të cilin e quan një vlerë të shtuar të partisë. “Partia Socialiste ka qenë model për mënyrën se si ka funksionuar demokracia e brendshme. Zërat kundër janë vlerë e shtuar që e bëjnë një parti të veçantë nga të tjerat. Kongresi vetëm sa do e konfirmojë këtë gjë”, tha ish-kryetari i Kuvendit. Ndërsa pyetjes nëse ka frikë se në Kongres mund të përsëritet episodi i Elbasanit, ai i përgjigjet: “Kongresi mbahet në Tiranë. Elbasani është një dhe është matanë Krrabës dhe nuk ka asnjë shans që të përsëritet ajo që ka ndodhur në Elbasan. Në Kongreset tona ka vetëm mirëkuptim, disiplinë, rregull, entuziazëm. Partia Socialiste tashmë është një parti 25-vjeçare, kështu që incidente të tilla nuk ka pasur në kongreset tona. Elbasani ishte një takim me qytetarë ku u anëtarësuan disa të rinj. Unë jam prononcuar dhe jam kundër praktikave të tilla”. Ngjarjen e Elbasanit profesori e quan të organizuar nga një grup që nuk kanë lidhje me frymën e PS-së. “Ajo që ndodhi në takimin e Elbasanit nuk duhet të ndodhte, më ka lënë një shije aspak të mirë, sepse Partia Socialiste njihet për demokracinë e brendshme, alternativat ndryshe. Unë mendoj se ato ishin veprime vetëm të një grupi njerëzish dhe nuk e nderojnë Partinë Socialiste dhe jam i bindur se sjelljet e atij grupi nuk kanë lidhje me mendimin dhe frymën se si funksionon Partia Socialiste. Kjo vlerë do të konfirmohet në Kongres”, tha Pëllumbi. Ndërsa duke u ndalur te Blushi, ai tha se është një zë i vlefshëm për partinë. “Blushi është një zë kritik dhe kjo tregon se ai është një vlerë e shtuar në PS. Kam mendimin se ai duhet të dëgjohej me durim dhe t’i jepej përgjigjja në mënyrën më demokratike të mundshme”, u shpreh Pëllumbi. Në takimin me socialistët e rinj që iu bashkuan Partisë Socialiste në qytetin e Elbasanit, pak javë më parë, Ben Blushi u prit me fishkëllima dhe fyerje. Në këtë takim, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i Partisë Edi Rama dhe deputetët e këtij qarku, Blushi kërkoi fjalën për të shprehur qëndrimet e tij në lidhje me zgjedhjet e munguara për kreun e PS¬-së, por edhe situatën ekonomike në vend. Por mori një valë të madhe kundërshtimi, fërshëllimash dhe fyerjesh.

Rama, koktej para Kongresit me të ndërkombëtarët, takim me Topin dhe Kurtin

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar pasditen e djeshme një takim të llojit “koktej” në prag të kongresit të Partisë Socialiste që zhvillohet sot me të ftuarit ndërkombëtarë dhe politikanë të Kosovës. Kryeministri Rama mes të tjerëve që ishin të pranishëm në këtë darkë ka takuar kryetarin e FRD-së, Bamir Topi dhe ish-kryetarin e “Vetëvendosjes”, Albin Kurti. Ndërkohë në fjalën e tij përpara të ftuarve, Rama ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën. Në këtë pritje kanë qenë të pranishëm krerë të delegacioneve të huaja në vendin tonë dhe përfaqësues të partive politike shqiptare nga Kosova, Maqedonia e Mali i Zi. “Mirëseardhje për ata që na kanë ardhur nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, përfaqësues të Partive politike shqiptare. Kënaqësi që ju kemi midis nesh në prag të Kongresit. Falënderoj gjithashtu ata që pata kënaqësinë të takoj dhe që janë në themelet e kësaj partie, që i kanë dhënë jetë, dhe kanë pasur një rol kyç për ta rritur, zhvilluar dhe forcuar PS-në në periudha jo të lehta. Dua të falënderoj të gjithë aleatët e pranishëm këtu në sallë, miqtë e tjerë dhe shkëlqesitë ambasadorë, që na kanë nderuar me praninë e tyre. Zyra e marrëdhënieve me jashtë ishte e shqetësuar se nuk kishte konfirmime, por ja ku kanë ardhur të gjithë. I shpreh një falenderim të veçantë, kryeministrit legjendar të Italisë në kohën e përpjekjes së madhe për të çliruar Kosovën, dhe po ashtu presidentit të fondacionit për studimet progresive të partisë socialiste italiane, Massimo D’Alema, i cili na ka nderuar me praninë e tij”, u shpreh kryeministri Rama para të pranishmëve.

D’Alema: Shqipëria, plaga në zemër të Evropës

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar mbrëmje një takim në selinë e qeverisë me ish-kryeministrin italian, Massimo D’Alema. Gjatë fjalës së tij, ish-kryeministri D’Alema ka thënë se Shqipëria është në zemër të Evropës. Për këtë, sipas tij, BE duhet të bëjë gjithçka për të bashkuar kontinentin tonë. “Italia i qëndroi pranë Shqipërisë. Kemi një plagë në qendër të Evropës. Shqipëria gjendet në zemër të Evropës. Ndaj dhe është detyrim i BE për të kryer bashkimin e kontinentit tonë”, ka thënë D’Alema.

Blushi me platformë me 10 pika për kryeministrinë

Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi, ka prezantuar platformën për kryeministër, të bazuar në pika konkrete se si mund të bëhet Shqipëria. Blushi propozon 10 pika ekonomike që në fokus kanë shtresën e varfër dhe atë të mesme. Blushi propozon një paketë dinjiteti për të varfrit, sipas së cilës shteti duhet të marrë në mbrojtje rreth 100 mijë familje, pjesëtarët e të cilave jetojnë me më pak se 40 dollarë në muaj. Gjithashtu deputeti socialist, në propozimet e tij synon fuqizimin e shtresës së mesme, nëpërmjet zbutjes së sistemit të taksimit progresiv. Në platformën për arsimin përveç uljes së tarifave, Ben Blushi propozon që cikli i mesëm shkollor të jetë i detyrueshëm. Deputeti socialist, në librin e tij më të ri “Letër një socialisti”, shpalos një platformë qeverisëse që mund t’i vijë atij në ndihmë, në Kongresin e PS-së. Sipas tij, tre janë shtyllat ku mund të mbështetet zhvillimi ekonomik i vendit; shpenzim, konsum dhe prodhim. Në pikën e parë të platformës së tij të quajtur “Shqipëria bëhet”, Blushi propozon një paketë dinjiteti për të varfrit, sipas së cilës shteti duhet të marrë në mbrojtje rreth 100 mijë familje, pjesëtarët e së cilave jetojnë me më pak se 40 dollarë në muaj. Ai propozon dyfishimin e ndihmës ekonomike në jo më pak se 10 mijë lekë të rinj në muaj dhe furnizimin falas me energji të tyre. Në rritjen e të ardhurave, deputeti socialist propozon rritjen e pagës minimale me të paktën 50%, akt që do të rrisë konsumin dhe nivelin e jetesës për këtë kategori.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button