Kronika

Llalla takon ambasadoren e ODIHR: Të angazhuar për hetimin e krimeve elektorale

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka garantuar këtë të shtunë, se institucioni që drejton ka marrë masat për monitorimin e fushatës elektorale për pushtetin lokal dhe sidomos ditën e zgjedhjeve, “me qëllim për evidentuar dhe ndjekur penalisht rastet e mundshme të krimeve elektorale”.

Llalla ia shprehu këto garanci ambasadores së ODIHR-it, znj. Audrey Glover, gjatë një takimi me të, ku e njohu edhe me parashikimet ligjore lidhur me veprat penale në fushën e zgjedhjeve të lira. Kryeprokurori e cilësoi seksionin përkatës në Kodin Penal, të miratuar në vitin 2012, si “një shprehje vullneti të ligjvënësit shqiptarë për të garantuar proces të rregullt elektoral”.

Më tej, Llalla theksoi se prokuroria shqiptare ka krijuar një traditë lidhur me monitorimin e procesit zgjedhor, duke sjellë si shembull masat e marra për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013, gjatë të cilave Prokuroria e Përgjithshme nxori një udhëzim për të gjitha prokuroritë lokale për gatishmërinë në ditën e zgjedhjeve.

“Një praktikë e tillë do të vijojë të ndiqet edhe për zgjedhjet lokale të vitit 2015. Një zyrë e posaçme në Prokurorinë e Përgjithshme, e administruar nga Drejtoria e Hetimit, do të koordinojë dhe do të konsultojë prokuroritë lokale për çdo rast dyshimi të krimeve elektorale”, njoftoi Llalla.

Sa u përket nismave për monitorimin e zgjedhjeve të 21 Qershorit, Prokurori i Përgjithshëm tha se “janë fuqizuar mekanizmat e bashkëpunimit, sidomos me Policinë e Shtetit dhe me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Madje, me këtë të fundit, vetëm pak ditë më parë u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi, në bazë të të cilës Prokuroria merr përsipër që të trajnojë komisionet zgjedhore lokale dhe numëruesit mbi rastet e shkeljeve penale”.

Kryeprokurori i shprehu ambasadores Glover se “Prokuroria e Përgjithshme dhe prokuroritë lokale do të jenë të gatshëm të mbajnë kontakte të vazhdueshme me vëzhguesit ndërkombëtarë për çdo rast parregullsie që mund të konstatojnë gjatë fushatës ose në ditën e zgjedhjeve dhe garantoi se për çdo dyshim, prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore janë udhëzuar të ndjekin me prioritet absolut krimet zgjedhore, pasi ato cenojnë demokracinë dhe shtetin e ligjor, e për këtë arsye prokuroria shqiptare e vlerëson prioritare hetimin e këtyre çështjeve dhe ndëshkimin e autorëve”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button