Ekonomia

Licenca, tani edhe për mësuesit

Një projektligj i ri synon të rregullojë mësuesinë përmes një procesi certifikimi dhe licencimi. Kritere të reja për stafet drejtuese të shkollave dhe mësuesve në sistemin parauniversitar

Si në çdo sektor, edhe në atë arsimor, qeveritë ndër vite kanë eksperimentuar me modelet, duke ofruar një miks në sistem që në finale nuk ka prodhuar forcë pune në përshtatje me kërkesat e tregut.
Por së fundi, Ministria e Arsimit ka ndërmarrë një nismë të re ligjore, e cila synon të sjellë modelin e certifikimit në sistemin arsimor. Ndryshimet propozojnë se drejtorët dhe nëndrejtorët e shkollave nuk do të mund të jenë të tillë vetëm nëse janë certifikuar paraprakisht. Kështu do të veprohet edhe me mësuesit që nuk kanë arsimin përkatës në përputhje me lëndën që japin. Projektligji, që tashmë është në fazën e konsultimit publik, lejon çdo person që ka përfunduar studimet e larta që të japë provimin e mësuesisë. Pas marrjes së licencës, personi i interesuar mund të ushtrojë profesionin e mësuesit, por jo me kontratë definitive.
Koncepti i licencës tani po përfshin të gjitha profesionet. Disa vite më parë, në skemë u përshi infermieria, e cila rregullohet me një urdhër të posaçëm dhe një licencë e cila duhet të rikonfirmohet një herë në pesë vjet.
Projektligji për disa shtesa e ndryshime në ligjin e sistemit arsimor parauniversitar ka në themel përmirësimin e kritereve dhe standardeve profesionale të lidershipit të institucioneve shkollore. Përmes projektligjit, propozohet që drejtori dhe nëndrejtori i institucionit shkollor të kenë aftësi dhe kompetenca të certifikuara profesionale për drejtimin dhe administrimin e institucionit shkollor. Certifikimi i aftësive të drejtimit dhe administrimit të institucionit shkollor, është sot një përvojë që po zbatohet edhe në sisteme arsimore të vendeve të Bashkimit Europian dhe më gjerë, të cilat dallojnë për arritje dhe cilësi të qëndrueshme të shërbimit arsimor, argumenton Ministria e Arsimit në relacionin përkatës për këtë qëllim.
Kandidati për drejtor dhe nëndrejtor i institucionit arsimor duhet të ketë të paktën kategorinë “mësues i kualifikuar” dhe të jetë i certifikuar për drejtimin dhe administrimin e institucionit arsimor. Organizimi dhe zhvillimi i procesit të certifikimit të drejtuesve të institucionit arsimor, përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave. Drejtuesi i institucionit arsimor nuk mund të jetë anëtar i forumeve drejtuese të partive politike.”, përcakton projektligji i ri.
Organizimi dhe procesi i certifikimit të drejtorëve, propozohet që të rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Projektligji gjithashtu qartëson nivelin arsimor të kandidatëve për ushtrimin e profesionit të rregulluar të mësuesit, për arsimin parashkollor, arsimin bazë dhe arsimin e mesëm të lartë. Gjithashtu, përmes (nenit) dispozitave të propozuara, do të krijohet mundësia për marrjen në konsideratë të të gjithë burimeve njerëzore, të cilët nuk kanë titullin “mësues”, por disponojnë diploma universitare të njëjta apo të përafërta me fushat dhe lëndët që zbatohen në kurrikulat shkollore të sistemit parauniversitar. Kjo do të mundësonte plotësimin e nevojave të caktuara/veçanta të institucioneve shkollore, argumenton në relacionin që shoqëron projektligjin.
Ndryshimet ligjore, veç të tjerash, synojnë të rrisin efektivitetin e shërbimit psiko-social në institucionet shkollore. Përmes projektligjit mundësohet mbështetja e nxënësve me shërbime jo vetëm nga psikologu, por edhe nga punonjësi social. Ministria e Arsimit sqaron se, duke zgjeruar dimensionin e shërbimit psiko-social në shkollë me dy punonjës, psikolog dhe punonjës social, krijohet mundësia konkrete e mbështetjes dhe zhvillimit të cilësisë së shërbimit arsimor që përfitojnë nxënësit.

Profesioni i mësuesit, sipas projektligjit të ri

1. Mësuesi për arsimin parashkollor duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë, “Bachelor”, që formon mësues të arsimit parashkollor;

2. Mësuesi për arsimin fillor duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë, “Bachelor”, dhe diplomë të ciklit të dytë “Master profesional”, që formon mësues të arsimit fillor.

3. Mësuesi për arsimin e mesëm të ulët dhe arsimin e mesëm të lartë duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë, “Bachelor” në fushën/lëndët e arsimit të mesëm të ulët dhe arsimit të mesëm të lartë dhe diplomë të ciklit të dytë “Master” me 120 ECTS në fushën/lëndën që lidhet me programin e studimit të ciklit të parë.

4. Mësuesi i shkollave të arsimit të orientuar për lëndë të profilit, specialitetit dhe mësuesi që punon me nxënësit me aftësi të kufizuara, duhet të ketë fituar diplomë të ciklit të dytë përkatësisht në fushën e edukimit dhe të pedagogjisë së specializuar.

5. Profesioni i mësuesit mund të ushtrohet edhe nga individë që zotërojnë diplomë universitare të ciklit të parë dhe të dytë, ose diplomë universitare me kohëzgjatje së paku 4 vite akademike të ngjashme ose të përafërta me fushën/lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar. Diplomat e njëvlershme, diplomat e ngjashme ose të përafërta me diplomat e sipërpërmendura të këtij neni, në fushat/lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar, përcaktohen me udhëzim të ministrit.

6. Mësuesi i arsimit fillor, arsimit të mesëm të ulët dhe arsimit të mesëm të lartë, mësuesi i shkollave të arsimit të orientuar, mësuesi i shkollave profesionale, mësuesi që punon me nxënësit me aftësi të kufizuara dhe mësuesit me diplomat të ngjashme ose të përafërta me diplomat në fushat/lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar, ushtron profesionin pasi të ketë kryer me sukses praktikën profesionale dhe të ketë kaluar me sukses provimin e shtetit, siç parashikohet në ligjin nr. 10 171, datë 22.10.2009 “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button