Politika

Zgjedhjet në Dibër, PS: Dekreti i Nishanit s’ka vlerë

Partia Socialiste deklaroi se dekreti i Presidentit Nishani, që një ditë më parë caktonte datën 11 shtator për mbajtjen e zgjedhjeve në Peshkopi, është i pavlerë për sa kohë nuk është zbardhur vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Deputetja Blerina Gjylameti tha se, ky është një vendim personal i kreut të shtetit dhe i kërkoi që ta tërheqë atë, pasi sipas socialistëve është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor.

“Ky akt individual i Presidentit të Republikës ka dalë në mënyrë krejt të papritur dhe në kundërshtim me përcaktimin e Kodit Zgjedhor, për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është zbardhur ende dhe nuk është dërguar për botim në Fletoren Zyrtare. Në bazë të nenit 132, pika 2 e Kushtetutës, vendimet e Gjykatës Kushtetuese hyjnë në fuqi ditën e publikimit të tyre në Fletoren Zyrtare. Duke qenë se ky vendim ende nuk është publikuar, ai, megjithëse i është bërë i njohur publikut përmes vet gjykatës dhe medieve, konsiderohet formalisht në respekt të ligjit ende i paqenë. Duke vepruar në kundërshtim me procedurën e parashikuar nga Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor, vlerësojmë se akti administrativ është absolutisht i pavlefshëm”, theksoi deputetja socialiste Gjylameti.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button