Kosova

Reformimi i administratës publike pritet të përfundojë brenda qershorit

Qeveria e Kosovës ka hartuar një mori strategjish dhe dokumentesh në mënyrë që procesi i reformimit të administratës publike, ndonëse i parashikuar të përfundojë brenda këtij muaji, të përmbyllet sa më shpejtë. Kjo u bë e ditur sot, në sesionin e parë të debatit dyditor lidhur me reformën në Administratën Publike në Vend, të organizuar nga Ministria e Administratës Publike.

Në fjalën e tij , ministri i Administratës Publike, Mahir Jagcilar, tha se “gjetjet e këtij raporti jo vetëm që kanë ndihmuar në marrjen e informatave të detajuara për tërë procesin reformues, por kanë mundësuar edhe identifikimin e sfidave për t’u adresuar në strategjinë e re. Në sajë të këtyre të arritjeve dhe rezultateve, rreth 70 për qind të aktiviteteve të planit të veprimit për reformë janë përmbushur. Ne kemi iniciuar përcaktimin e kornizës strategjike të reformës së administratës publike dhe hartimin e dokumenteve të nevojshme që dalin nga korniza strategjike. Madje është shkuar edhe një hap më tutje, duke kaluar kështu nga reformimi në modernizim të administratës publike”, tha Jagcilar.

Sipas tij, qeveria po ashtu ka hartuar strategjinë për modernizimin e administratës publike, strategji e cila ka në fokus qytetarin dhe përmirësimin e shërbimeve që i ofrohen atij.

I pranishëm në takimin e sotëm ishte edhe përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovës Samuel Zhbogar, i cili tha se tashmë janë bërë dy vite që kur BE dhe Kosova janë duke punuar së bashku në këtë proces, duke e vlerësuar si proces me rëndësi të veçantë për shtetin e Kosovës.

“Dy vite më parë ne filluam të punojmë së bashku në kapitullin e ri të Kosovës për në procesin e integrimeve evropiane, me qëllim që të aktivizojmë dhe ta forcojmë administratën publike në Kosovë. Një administratë publike përgjegjëse, efikase, moderne është kurrizi i një shoqërie funksionale, në gjendje që të punojë për shoqërinë dhe bizneset. Pa të, arbitratireti dhe paaftësia minojnë besimin në shtet dhe kontrata shoqërore thyhet”, deklaroi Zhbogar.

Duke e vlerësuar si pozitiv angazhimin e kryeministrit Isa Mustafa në këtë proces, Zhbogar tha se “reforma publike në administratë nuk është vetëm për një sektor të qeverisë, por është thelbësore për te gjitha reformat dhe proceset për ndryshim ,me të cilat Kosova dhe BE- ja janë të angazhuar së bashku: zhvillimi ekonomik, demokracia dhe sundimi i ligjit”.

Aktivitetet e realizuara nga takimi i kaluar i Grupit të veçantë, siç njoftoi Jagcilar, përfshijnë Ligjin për procedurat e përgjithshme administrative, që tashmë është proceduar në qeveri dhe pritet edhe aprovimi përfundimtar nga kuvendi. Po ashtu, siç tha Jagcilar, është hartuar edhe projektligji për të gjitha pagat e sektorit publik, strategjia e trajnimeve për nëpunësit civilë, si dhe është hartuar katalogu i vendeve të punës për nëpunësit civilë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button