Gjoza reagon kundër akuzave: Në burg do të shkojë ish-ministri Tahiri
Administratori i njësisë vendore numër 2 në Tiranë, Elez Gjoza ka reaguar ndaj akuzave të policisë së Tiranës për regjistrim fiktiv të zgjedhësve, me qëllimin për ndikim të zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit.
Gjoza, në krah të deputetit të LSI-së, Luan Rama, tha se të gjitha akuzat janë qesharake dhe të fabrikuara.
“Rasti i parë i përket periudhës para 2013-së, kur Prokuroria e Tiranës, pas kallëzimit të policisë, ka shqyrtuar këtë çështje dhe nuk ka parë asnjë shkelje ligjore, – tha Gjoza. – Zyra e njësisë vendore ka vepruar sipas ligjit, ku çdo qytetari i lejohet të qëndrojë e jetojë aty ku dëshiron. Akuza e dytë që i paskam marrë kartën e identitetit qytetarëve në këmbim të votës, është po qesharake. Akuza e tretë, që marr pjesë në fushatë elektorale, është e vërtetë. Po, por pas orës 16:00, sepse deri në atë orë jam në shërbim të qytetarëve, pastaj marr pjesë në forcën politike ku aderoj”.
Gjoza akuzoi për këtë inskenim, siç e cilësoi ai, ish-ministrin e Brendshëm Tahiri dhe i bëri thirrje ministrit teknik aktual Demiraj, të bëjë detyrën dhe të mbajë qëndrim: “I bëj thirrje, ministrit që mbolli Shqipërinë me hashash, t’i lërë presionet, ju do shkoni në burg dhe jo administratori që i shërben njerëzve me mish e me shpirt. Absolutisht do jem në shërbim të njerëzve të mi. I bëj thirrje ministrit Demiraj që të mos abuzojë me institucionin”.