Bota

Ushtarë rusë në Ukrainë

Një tankist i plagosur rus pranoi në një intervistë: Ushtarë profesionistë rusë luftojnë në frontin e parë. Sipas gazetarëve ata janë shumë të kujdesshëm që të mos bien në sy të gazetarëve e të vëzhguesve të tjerë.

Ishte një rrëfim surprizues. Në një intervistë me gazetën opozitare ruse “Novaya Gazeta” (02.03.2015) një tankist i plagosur rus pranoi atë që shumëkush ka kohë që e supozon: që përkrah separatistëve në Ukrainën lindore kundër ushtrisë ukrainase luftojnë edhe ushtarë aktivë rusë. Dhe ndoshta shumë. Një ditë pas publikimit të intervistës gjenerali amerikan Ben Hodges tha në Berlin se ushtria amerikane mendon se janë rreth 12.000 ushtarë të tillë.

Kjo nuk është historia e parë e këtij lloji. Gazeta ruse “Kommersant”, botoi më 19 shkurt një reportazh çuditërisht të hapur për përfshirjen e ushtarëve rusë në Ukrainë lindore nga ana e separatistëve prorusë. Surpriza qe se ky artikull u botua në versionin online të kësaj gazete, që i përket oligarkut pro Kremlinit, Alisher Usmanov. Në tekst korrespondenti Ilya Barabanov përshkruan, se si ai qe takuar me tre rusë, të cilët kishin qenë deri kohët e fundit ushtarë në ushtrinë ruse, dhe se pastaj gjoja nga bindja kanë shkuar gjysmën e dytë të janarit në Ukrainë Lindore për të luftuar atje. Ushtarët profesionistë rusë luftojnë sipas gazetarit në frontin e parë dhe janë shumë të kujdesshëm që të mos bien në sy të gazetarëve dhe të vëzhguesve të tjerë.

Për shpërblime dhe dekorata

Dmitri Pyslar nga Komiteti i Nënave të ushtarëve nga Rusia, tha në intervistë me DW-në, se ushtarët rusë janë duke luftuar në Ukrainë lindore, dhe ata ishin të pranishëm edhe gjatë sulmit në Debalceve, madje edhe pas armëpushimit. Por meqë çdo gjë ndodh fshehurazi dhe më mënyrë sekrete, është shumë e vështirë për të marrë të dhëna të sakta dhe të plota. Është e pamundur që ta përcaktosh numrin e ushtarëve që marrin pjesë në operacione të tilla, thotë Pyslar. “Ne kemi provuar dhe dështuar. Disa shkojnë, të tjerë vijnë. Në Ukrainë nuk ka një trupë të stacionuar për gjithë kohën.”

Aktivistët e të drejtave të njeriut në Rusi dyshojnë për pretendimin e përhapur se ushtarët rusë po kalojnë “lejen dhe pushimet” në frontin e luftës në Donbas, apo po luftojnë vullnetarisht dhe pa ndonjë kontratë me ushtrinë ruse. Valentina Melnikova nga “Lidhja e Komiteteve të Nënave të Ushtarëve” ka pasur disa takime me ushtarët i ka pyetur ata. Asnjë prej tyre nuk na ka thënë, se ka qenë për pushime ose vullnetarisht aty, tha ajo në një intervistë DW, Përkundrazi, kjo është një legjendë. Ushtarët, me të cilët ka folur Melnikova kanë thënë se atyre “u është premtuar një shpërblim”, një dekoratë ose statusi i veteranit. Shpesh, megjithatë, këto premtime u nuk mbahen. “Ata janë ankuar tek ne, se nuk do shkojnë për herë të dytë në Ukrainë, sepse nuk kanë marrë asgjë nga ato që u kishin premtuar.”

Ushtarë që zhduken dhe rishfaqen

Në Rusi ekziston një ligj që shteti mund t’i dërgojë ata që kryejnë shërbimin ushtarak jashtë vendit, vetëm në qoftë ata e pranojnë shprehimisht këtë. Megjithatë ka mjaft raste ushtarësh, të cilët për shkak se kanë refuzuar, janë vendosur nga Prokuroria Ushtarake në ndjekje penale për dezertim, thotë Valentina Melnikova. E njëjta gjë ndodh me ushtarët rusë që kapen rob në Ukrainë.

Një rast të tillë ka dokumentuar Melnikova me ndihmën e gazetës New York Times. Një jetim i quajtur Petr Hohlov kishte nënshkruar në vitin 2014 një kontratë të përkohshme me ushtrinë ruse. Një ditë ai papritmas u zhduk nga baza e tij ushtarake, pa lajmëruar për këtë as të shoqen, as vëllain. Disa kohë më vonë ai u shfaq në një video të autoriteteve ukrainase – si ushtar rus i zënë rob.

Më vonë i vëllai mësoi se Petri qe shkëmbyer si rob me ushtarë ukrainas dhe përfundoi tek separatistët. Por përfaqësuesit e ushtrisë ruse thonë zyrtarisht se Hohlow duhet të ketë dezertuar. Petri humbë sërish pa gjurmë. Dhe vetëm disa muaj më vonë, një gazetar i New York Times e ndeshi përsëri Petr Hohlovit në një pikë kontrolli të separatistëve në Ukrainën lindore. Ai i kishte thënë gazetarit se ishte atje vullnetarisht.

“Turistë” luftëtarë në Donbas

Qeveria e Moskës thotë në mënyrë të përsëritur se nuk “ka trupa të rregullta ruse” në Ukrainë. Dhe ky formulim mund të jetë i vërtetë, sepse deri tani nuk janë parë formacione apo njësi të ushtrisë ruse në Ukrainë lindore. Vetëm një herë, në fund të gushtit të vitit të kaluar, qe parë në Ukrainë një grup i madh ushtarësh rusë. Autoritetet ruse deklaruan në atë kohë, se ata kishin humbur rrugën dhe kishin kaluar kufirin pa e ditur se janë në Ukrainë.

Ky është qëndrimi zyrtar i Kremlinit. Megjithatë ka edhe politikanë jo shumë të njohur rusë që po flasin gjithnjë e më hapur për “vullnetarë” me përgatitje ushtarake që luftojnë në Ukrainë, në front në Donbas. Viktor Zavarzin, deputet dhe anëtar i Komitetit të Mbrojtjes të Dumës ruse, tha: “Qëndrimi ynë se të gjithë që janë liruar nga ushtria apo janë me pushime, mund të shkojnë kudo që dëshiron. Ka fakte që ka oficerë dhe ushtarë që shkojnë atje për të marrë pjesë në luftime. Ne nuk e fshehim këtë fakt. “

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button