Ekonomia

Ndryshimet në ligjin “Për transportin rrugor”, Haxhinasto: Përgjysmim të numrit të linjave

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto i cili prezantoi të hënën ndryshimet në projektligjin “Për transportet rrugore”, në komisionin parlamentar të Integrimit, theksoi se do të ketë përgjysmim të numrit të linjave, numri i të cilave llogaritet rreth 590 aktualisht, do të ketë edhe përgjysmim të operatorëve, rinovim të flotës së autobusëve, si dhe ndërtim të 7 terminaleve të tjera.

Në projektligjin e sjellë nga qeveria paraqet përparësi transporti i udhëtarëve ndërqytetas e rrethqytetas, ku kriteret për miratimin e linjave, përkufizimet e llojeve të linjave, në të cilat kryhet ky transport janë shprehur qartë për të shmangur çdo keqkuptim.

Në të parashikohen dispozita për stacionin e autobusëve të udhëtarëve, sistemin e biletimit dhe Regjistrin Kombëtar të Transportit Rrugor, si dhe hartimin e akteve nënligjore në zbatim. Aktualisht, nuk ka asnjë akt, i
cili të parashikojë dispozita lidhur me Regjistrin Kombëtar të Transportit Rrugor, stacionet e autobusëve dhe sistemin e biletimit.

Neni 21/2 parashikon dispozitat për sistemin e biletimit. Në këtë nen janë parashikuar dispozitat për të gjitha llojet e biletave, duke parashikuar në këtë mënyrë edhe biletën elektronike, e cila mund blihet kudo. Në këtë mënyrë udhëtarëve iu krijohen lehtësira për pajisjen me biletë në çdo rast për të gjitha llojet e linjave dhe gjatësinë e udhëtimit që kryhet.

Neni 21/1 parashikon dispozitat për terminalin e autobusëve. Në projektligj janë parashikuar kushtet të cilët duhet të plotësohen nga terminali i autobusëve, klasifikimi i tyre sipas kategorive, mënyra e mbajtjes së dokumentacionit, të cilat përcaktohen me udhëzim të ministrit.

Në këtë nen të projektligjit është parashikuar që autorizimi për funksionimin e terminalit të autobusëve lëshohet nga kryetari i bashkisë, ndërsa vendi se ku do të ndërtohet terminali i autobusëve do të caktohet nga këshilli i njësisë së qeverisjes vendore. Tarifat e shërbimit për operatorët e transportit përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës dhe ministrit të Financave.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button