Politika

Dekanët kundër ministres teknike të arsimit, Karabina

Katër ditë më parë, ministrja teknike e Arsimit ka zëvendësuar 3 anëtarë të Bordit të Administrimit në Universitetin e Tiranës, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit.
Ky vendim, sipas Dekanëve të Universitetit të Tiranës është bërë pa dijeninë e kryetarit të Bordit të Administrimit në Universitetin e Tiranës, që është organi më i lartë drejtues administrativ, bazuar në ligjin e ri “Për arsimit e lartë dhe kërkimin shkencor në universitete”.
“Ministrja, mesa duket nuk e paska fare haberin sesi funksionon institucioni. Nëse kishte ndërmend të firmoste një shkresë, duhet të konsultonte me institucionet përkatëse. Ligji i arsimit të lartë nuk njeh zëvendësim të anëtarëve përfaqësues të Ministrisë, por njeh shkarkim. Kjo shkresë përpiqet të cënojë një autonomi kushtetuese të një organi kolegjial të rëndësishëm që merret me administrimin dhe financat e universitetit”, thotë Dekani i Fakultetit Ekonomik, Dhori Kule.
Edhe pse me pushime, Dekani Kule thotë se i janë drejtuar me një shkresë zyrtare ministres Karabina, më datë 15 gusht, kur mësuan edhe për lajmin. Ai thotë se Dekanët janë kundër, por Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni është pro.
“Qëndrimi i zotit Koni ka qenë në harmoni me qëndrimin e paligjshëm të ministres. Ose Karabina teston Konin për paligjshmërinë, ose ky ja ka kërkuar asaj që të bëjë këtë lloj veprimi. Para disa ditësh jemi njoftuar nga Bordi i Administrimit që ka dalë një njoftim i ministres për shkelje shumë të rënda nga ana e Konit”, shton Dhori Kule.
Në përgjigje të shkresës së Dekanëve të UT-së, ministrja Karabina thotë:
“Këto ndryshime janë bërë në përgjigje të shqetësimeve të autoriteteve drejtuese të institucioneve të arsimit të lartë publik për të siguruar mbarëvajtjen e institucioneve në përgatitjet e tyre për vitin akademik 2017-2018. Ministri i Arsimit dhe Sportit, në zbatim të detyrimeve ligjore ka përgjegjësi institucionale të ndërmarrë të gjitha masat që shërbejnë për të krijuar mekanizma të qëndrueshëm të sigurimit të cilësisë dhe menaxhimit financiar në universitete, të cilat gëzojnë liri akademike dhe autonomi financiare”, thuhet në përgjigjen e saj.
Kundër vendimit të ministres Karabina janë edhe Artan Hoxha, Dekani i Juridikut; Edmond Rapti, Dekani i Shkencave Sociale dhe Artur Sula, Dekani i Gjuheve të Huaja.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button