Te ndryshme

Kush është gruaja e parë në një kartëmonedhë amerikane

Pas një fushate intensive për të vënë një grua në krye të një kartëmonedhe amerikane, më në fund u përzgjodh Harriet Tubman, një aktiviste e lirisë dhe e barazisë, një figurë jo shumë e njohur nga amerikanët bashkëkohorë

Kartëmonedha 20-dollarëshe në SHBA do të ndryshohet për të portretizuar një grua, Harriet Tubman, një aktiviste kundër skllavërisë. Ajo do të jetë e para grua që do të shfaqet në një bankënotë amerikane prej më shumë se një shekulli.

Tubman, e cila lindi një skllave në vitin 1820 dhe ndihmoi qindra të tjerë t’i shpëtonin skllavërisë, është e përzgjedhura e fushatës disavjeçare të amerikanëve për të vënë një grua në valutë. Ajo do të zëvendësojë ish-presidentin Andrew Jackson, një skllavopronar.

Thesari Amerikan i Shtetit i rrëzoi planet për të hequr imazhin e Alexander Hamilton, një prej themeluesve të sistemit financiar amerikan nga kartëmonedha 10-dollarëshe.

Ndërsa portreti i zonjës Tubman do të shfaqet në ballë të kartëmonedhës 20-dollarëshe, imazhi i presidentit Jackson do të kalojë mbrapa. “Harriet Tubman nuk është vetëm një figurë historike, por një model për lidershipin dhe pjesëmarrjen në demokracinë tonë”, tha sekretari i Thesarit të SHBA-së, Jacob Lew.

“Historia e saj e pabesueshme e guximit dhe zotimi ndaj barazisë përfaqëson idealet e demokracisë që shteti ynë vlerëson”, shtoi ai.

Liderët e lëvizjes së të drejtave të grave – Lucretia Mott, Sojourner Truth, Susan B. Anthony, Elizabeth Cady Stanton dhe Alice Paul – do të shfaqen në pjesën e pasme të kartëmonedhës 10-dollarëshe.

Pjesa e pasme e kartëmonedhës pesëdollarëshe, ku në ballë shfaqet Abraham Lincoln, do të ketë gjithashtu liderë të njohur nga historia amerikane, përfshirë këngëtarin Marian Anderson, ish-zonjën e parë Eleanor Roosevelt dhe liderin e të drejtave të njeriut, Martin Luther King.

Gruaja e fundit e shfaqur në kartëmonedhat amerikane ishte ish-zonja e parë Martha Washington, në një certifikatë njëdollarëshe nga viti 1891 deri më 1896-n dhe Pocahontas vendase në një foto grupi në kartëmonedhën 20-dollarëshe nga 1865-a deri në 1869-n.

Harriet Tubman njihet në SHBA për rolin e saj në trafikimin e skllevërve në zona të sigurta përmes “hekurudhës nëntokësore”.

Por roli i saj në luftën civile amerikane ishte po aq i jashtëzakonshëm. Ajo veproi si një zbuluese për forcat e Unionit, pas frontit të armikut, duke drejtuar sulmin më të famshëm në Karolinën e Veriut, ku tre luftanije mësynë pozicionet e Konfederatës dhe çliruan më shumë se 700 skllevër.

“Nuk do të shoh kurrë një skenë të ngjashme”, shkroi Tubman më vonë, duke përshkruar se si skllevërit me fëmijët, derrat dhe pulat iu vërsulën anijeve. “Qeshëm pafund”, kujtonte ajo.

Në vitin 1863, ky ishte një rol i jashtëzakonshëm ushtarak për çdo grua, jo më për një skllave të arratisur. Sa për Andrew Jackson, që ishte një skllavopronar, është ironike të aneksohet nga një skllave e liruar. Për më tepër, ai i konsideronte paratë letër si një “e keqe të rrënjosur thellë”.

Kush është Harriet Tubman?

Ajo lindi skllave në vitet 1820. Pasi vuajti një plagë serioze në kokë, ia mbathi dhe ndihmoi në lirimin e më shumë se 70 skllevërve të tjerë përmes “hekurudhës nëntokësore”, një rrjet i aktivistëve antiskllavëri dhe shtëpish për t’u fshehur.

Emrin e lindjes, Harriet Tubman e kishte Araminta Ross, lindur nga nëna Harriet Green dhe babai Benjamin Ross. Ajo u martua me John Tubman kur ishte 24 vjeçe. John ishte një burrë me ngjyrë, i lirë.

Një fakt kurioz për gruan që do të jetë në kartëmonedhën 20-dollarëshe është se ajo vuante nga gjumi i papritur, që do të thotë se mund të flinte kurdo dhe kudo. Kjo iu shkaktua nga një goditje me hekur në kohën kur ishte skllave.

Harriet Tubman nuk pati fëmijë. Ajo e çliroi veten nga skllavëria në vitin 1851 duke përdorur sistemin e njohur si “hekurudha nëntokësore”, që ishte një sistem sekret rrugësh dhe shtëpish mbrojtjeje që përdoreshin nga skllevërit afrikanë për t’ia mbathur të lirë nga SHBA-ja në Kanada.

Pasi çliroi veten, ajo u kthye në Merilend për të çliruar edhe anëtarë të tjerë të familjes. Nëse ishe një skllav që donte t’i shpëtonte skllavërisë, atëherë këndoje një këngë sinjalizuese dhe në mbrëmje të ndihmonin të kaloje sa nga një shtëpi në tjetrën derisa të arrije lirinë.

Ajo njihej si Moisiu i njerëzve të saj, kjo për shkak se ardhja e saj komunikohej me këngën “Zbrit Moisi”. Mendohet se në total, Harriet shpëtoi 300 skllevër për në territorin kanadez gjatë 15 viteve.

Pas shpërthimit të luftës civile, Harriet Tubman u bë ushtare, spiune dhe infermiere. Ajo ishte gjithashtu e para grua që drejtoi një ekspeditë të armatosur në luftë. Pavarësisht se asaj iu mohua pensioni për shërbim gjatë luftës, Harriet Tubman luftoi për pensionin e veteranes, por mori vetëm 20 dollarë në muaj si vejushë e një veterani. Ajo luftoi gjithashtu për të drejtën e votës për gratë. Harriet Tubman vdiq më 10 mars 1913, pasi vuajti nga pneumonia.

Tubman ishte fituesja e një sondazhi online lançuar nga një grup aktivistesh të quajtura “Gratë në 20-ëshe”.

Drejtoresha ekzekutive e iniciativës, Susan Ades Stone, tha se “luftëtarja e lirisë” ishte një zgjedhje fantastike, ndonëse e paparashikuar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button