Ekonomia

Pasojat e përmbytjes, pushteti vendor ende pa faturë financiare

Emergjencat Civile dhe pushteti vendor janë duke punuar për evidentimin e dëmeve të përmbytjeve. Zonat më të goditura janë Fieri dhe Vlora, kryesisht zonat e banuara por edhe një pjesë e tokave bujqësore.

Në zonat rurale është bërë e ditur se do të investohen 6 milionë euro për argjinatura dhe kanalizime, 4 nga të cilat do jenë vetëm në qarkun e Vlorës.

Me urdhër të kryebashkiakut të Leli janë ngritur dy grupe pune, njëri po bën një raport në lidhje me shkaqet që sjellin përmbytjet e vazhdueshme në këtë qytet dhe propozimin e ndërhyrjeve në infrastrukturë; ndërsa grupi i dytë do bëjë verifikimin e dëmeve.

Ende në këtë qytet vijon heqja e ujërave dhe inerteve nga rrugët, si dhe pastrimi i banesave, dyqaneve dhe bodrumeve që u përmbytën nga reshjet e së dielës.

Në Vlorë ndërmarrjet e bashkisë, zjarrfikësit dhe vetë pronarët e objekteve janë duke punuar për largimin e baltës dhe mbetjeve që u përhapën në rrugë e më së shumti nëpër bodrume dhe katet e para.

E njëjta situatë paraqitet edhe në Fier, ku vetëm Gjanica mbyti mbi 500 banesa dhe ujërat shkuan deri në qendër të qytetit. Këtu dëmet janë shumë më të mëdha dhe periodike, veçanërisht në zonën e banuar pranë lumit. Prefekti i qarkut bën një bilanc të situatës.

“Kemi evakuuar rreth 20 banorë në lagjen “1 Maji”, ndërsa 6 vetëve u është dhënë shërbimi mjekësor në spitalin rajonal të Fierit. Vërshimi i ujërave është i shpejtë, por largimi i tyre jo aq i shpejtë”, thotë Xhevit Bushi.

Përmbytjet shkaktuan dëme edhe në qytete të tjera. Në Gjirokastër u shkatërruan pjesët e ndërtuara të ujësjellësit të ri, në Ersekë të gjithë ujësjellësit dolën jashtë funksionit, ndërsa në Pogradec bashkia e re ka kërkuar ndihmën e qeverisë sepse ndiehet e pamundur të pastroje inertet nëpër rrugë që la pas vërshimi u ujërave ditën e dielë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button