Politika

Admirali italian Mantelli: Shqipëria nuk do të jetë portë hyrëse për refugjatët

Shqipëria nuk do të kthehet në portë-hyrëse në Bashkimin Europian tha për EUObserver admirali  italian Luigi Binelli Mantelli.

Mantelli, ish shef i mbrojtjes në vitet 2013-2015, e argumenton bindjen e tij me faktin që Shqipëria, siç thekson në intervistë, ka një kontroll mjaft të kujdesshëm të kufijve dhe nuk vuan nga emigracioni i paligjshëm. Faktor të rëndësishëm në këtë drejtim Mantelli konsideron edhe vullnetin e fortë të vendit për të bashkëpunuar me BE-në, ku shpreson të anëtarësohet një ditë, apo dhe faktin që është anëtar me të drejta të plota i NATO-s.

Si një njeri që ka marrë pjesë në operacionet e krizës së emigrantëve në Itali në fillimin e viteve `90, admirali italian situata të tilla i ka përjetuar nga afër.

Kriza e 90-tës tregoi se flotat detare nuk i ndalojnë dot anijet e emigrantëve, thotë Mantelli. Ai kujtoi incidentin e “Vlorës” në 1991-shin, kur mijëra emigrantë shqiptarë detyruan anijen e mallrave të hynte në portin e Barit.

“Ne u përpoqëm ta ndalonim me mjetet tona lundruese, por qe e pamundur sepse ishte shume e rrezikshme për njerëzit në bord ndaj dhe në fund, ata hynë në port. Kur je në det, çdo operacion kthehet shpejt në operacion shpëtimi. Ndryshon shumë nga situata në tokë”, thotë Luigi Binelli Mantelli.

Italia, vazhdon ai, e stabilizoi krizën e atyre viteve duke punuar me Tiranën zyrtare  për t`i ndaluar anijeve me emigrantë nisjen nga brigjet e Shqipërisë. Ndaj dhe zgjidhja më e mirë, sipas Mantellit, do të ishte një marrëveshje me Moskën mbi Sirinë, me qëllim rikthimin e stabilitetit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button