Kronika

Gjendet i pajetë polici kufitar në Jarinjë

Një zyrtar i policisë së Kosovës është gjetur këtë të dielë i pajetë.

Bëhet fjalë për efektivin Rexhep Sejdiu. Ai ka humbur jetën gjatë kohës që ishte në detyrë në Stacionin e Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit në Jarinjë.

Sejdiu u gjet pa shenja jete nga kolegët e tij në vendin e punës, ku kishte qenë duke pushuar.

Nga informacionet paraprake, ende nuk bëhen me dije shkaqet e kësaj ngjarjeje.

“Rreth orës 07:20 është gjetur i vdekur zyrtari policor, gjatë ndërrimit në Jarinjë. Kolegët e kanë gjetur të vdekur, disa orë pasi ishte shtrirë për të pushuar. Ka qenë duke pushuar në vendin e tij të punës. Të hënën do i bëhet autopsia. Ka shumë gjasa që vdekja të jetë natyrale. Varrimi i të ndjerit bëhet nesër”, tha zv.drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Për këtë ngjarje ka reaguar edhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili ka shprehur ngushëllime për familjen e ish-zyrtarit të policisë.

“Me pikëllim të thellë kam pranuar lajmin e ndarjes nga jeta të zyrtarit policor Rexhep Sejdiu gjatë kohës që ishte në detyrë në Stacionin e Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit në Jarinje.

Rexhep Sejdiun do ta kujtojmë si zyrtar të përkushtuar e të palodhur, të angazhuar në luftë kundër çdo kriminaliteti veçanërisht viteve të fundit në veriun e vendit tonë si pjesëtar i Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë të kufirit. Bashkë me kolegët e tij, Rexhepi para një viti i rezistoi me qëndrueshmëri bllokimit 19 ditor në Jarinje pasi kishin arrestuar ish-zyrtarin policor Dejan Pantiç.

Zyrtari policor Rexhep Sejdiu do të mbetet përherë në mendjet e të gjithë neve që kishim fatin ta takonim gjithnjë në nivel të detyrës e kolegëve që punuan e shërbyen çdo ditë bashkë me të.

Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së tij, nënës, bashkëshortes e fëmijëve të tij. Të gjithë kolegëve e Policisë së Kosovës për humbjen e pjesëtarit të tyre”, ka theksuar Sveçla.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button