Politika

PE, delegacion i posaçëm për Shqipërinë

89333880fe1f58510de10b1a1d37c36dDelegacioni i deritanishëm i Parlamentit Europian për Ballkanin shkrihet dhe legjislatura e re krijon delegacione të posaçme për vendet kandidate si Shqipëria, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia, ndërkohë që Bosnja dhe Kosova përfaqësohen së bashku në një të tillë.

Grupet politike europarlamentare nisën këtë javë negociatat për të kryesuar përfaqësimin për vendet preferenciale të Ballkanit. Burime konfidenciale rrëfyen për TCH se e djathta europiane kërkoi kreun e delegacionit për Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë, ndërsa Mali i Zi dhe delegacioni për Bosnjen dhe Kosovën mbeten nën drejtimin e së majtës.

Mësohet se eurodeputetja rumune e PPE-së, Monica Macovei është pretendetja kryesore për këtë post në delegacionin për Shqipërinë dhe ajo pritet të konfirmohet javën

e ardhshme në seancë plenare. Macovei nisi karrierën e saj si prokurore në Rumani dhe u angazhua më pas në shoqërinë civile, si eksperte në Komitetin e Helsinkit dhe në Këshillin e Europës.

Ajo u emërua ministre e Drejtësisë, megjithëse nuk ishte anëtare e ndonjë partie politike dhe mbahet mend për kryerjen e reformës së gjyqsorit, çfarë i mundësoi më pas vendit të anëtarësohej në Union. Përpara se të garonte për Parlamentin Europian në 2009, Macovei punoi pranë qeverisë maqedonase si këshilltare për anti-korrupsionin.

Me Shqipërinë ajo u përfshi në 2011, kur u ftua nga Miqtë e Europës në aktivitetin e organizuar në Bruksel për reformën e gjyqësorit dhe sulmet verbale të qeverisë së atëhershme ndaj ish-prokurores së përgjithshme Ina Rama.

E intervistuar nga TCH në atë kohë, Monica Macovei përcolli  mesazhin se korrupsioni duhej luftuar më së pari në gjyqësor, përmes KLD-së si autoriteti i ngarkuar me ligj për të vepruar, megjithëse, sipas saj, këto këshilla drejtësie në vendet ish-komuniste rezultonin të dështuara.

“Pandëshkueshmëria është e kundërta e rendit ligjor, që thotë se ligji zbatohet njësoj ndaj cilitdo. Për këtë arsye, kur ekziston pandëshkueshmëria, për çfarëdolloj motivi qoftë, atëherë aty nuk sundon ligji. Si rezultat, njerëzit humbasin besimin tek gjyqësori, meqënëse ligji apo sistemi i fajësimit, do të aplikohej ndaj teje, por jo ndaj dikujt tjetër. Ndaj e theksoj se për të patur garanci që çështjet, përfshirë dhe ato ndaj politikanëve, të zgjidhen drejtë dhe bazuar në evidenca, duhet pastruar së pari gjyqësori. Kjo do të thotë të luftohet korrupsioni në gjyqësor; të çlirohet sistemi nga të korruptuarit apo gjyqtarët joefikasë, e më pas puna vijon mirë”, tha ajo në intervistën e 22 dhjetorit 2011.

Delegacioni i PE për Shqipërinë pritet të ketë 14 anëtarë dhe po kaq zv/anëtarë. Në të, PPE do të përfaqësohet me 5 eurodeputetë, me socialdemokratët që sigurojnë 4 vende, ndërsa liberalët, të gjelbrit, konservatorët, ekstremistët e majtë dhe euroskeptikët e Farage do kenë respektivisht nga një përfaqësues.

Përgatiti Arta Tozaj 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button