Zgjedhjet lokale 2015

Vangjush Dako në Sukth: Rikonstruksion i rrugës kryesore, zhvillimi i bujqësisë dhe qendra sociale

vangjushiNë fillim të vitit 2016 fillojmë punën për rikonstruksionin e rrugës kryesore që përshkon zonën e Sukthit dhe lidh autostradën me Bregdetin, do të hapim qendra sociale për njerëzit në nevojë dhe do të zhvillojmë bujqësinë e zonës
Këto kanë qenë angazhimet për mandatin tjetër që ka marrë kryebashkiaku Vangjush Dako përpara banorëve të Sukthit.
Në takimin e përshkruar nga entuziazmi i qindra banorëve të zonës, kryebashkiaku Dako u shpreh: “Ashtu siç po transformojmë Durrësin sot, ashtu do të transformojmë edhe të gjitha zonat e tjera që i shtohen kësaj bashkie nesër, pra, në mandatin e ri do t’i ndryshojmë faqen edhe Sukthit, Ishmit, Rrashbullit, Manzës dhe Katundit të Ri.”
Rruga që do të rikonstruktohet, vazhdoi më tej Dako, “do të jetë një rrugë me standarte moderne, kanalizime, trotuare, ndricim dhe gjelbërim,” duke theksuar se “ky aks kryesor që ne do të fillojmë ta rikonstruktojmë që në fillim të 2016, është një domosdoshmëri për zhvillimin e të gjithë zonës, duke lehtësuar jo vetëm lëvizjen e mjeteve dhe këmbësorëve, por duke ndihmuar edhe bizneset, e duke ndikuar njëkohësisht edhe në zhvillimin e bujqësisë, pasi vetëm më një infrastrukturë moderne rrugore mund të zhvillohet bujqësia”.
Po kështu, vazhdoi më tej ai, “do të japim mbështetje të fuqishme për fermerët dhe do të nxisim prodhimin bujqësor me sera, zhvillimin e vreshtarisë dhe ullirit,” duke theksuar se “do të ndihmojmë edhe njerëzit në nevojë, pasi qytetarët e Durrësit janë të barabartë në cdo zonë të qytetit”.
Në zonën tuaj, do të hapim qendra sociale për gratë e dhunuara, për pleqtë dhe për njerëzit në nevojë, – u zotua z. Dako, duke u shprehur se “përveç punës me investimet në infrastrukturë, ne do t’i kushtojmë një kujdes të veçantë edhe çështjeve sociale, për t’u lehtësuar sadopak problemet që përjetojnë kategoritë e ndryshme të njerëzve në nevojë.”
Në takimin me banorët e Sukthit, kryebashkiaku Dako ka bashkëbiseduar me ta për problemet e kësaj zone, që lidheshin kryesisht me regjistrimin e tokave dhe ujin e pijshëm.
Në lidhje me ujin e pijshëm, kryebashkiaku Dako deklaroi se në sajë të investimit madhor që do të kryhet nga ndërmarrja e ujësjellësit, brenda 14 muajve do të trefishohet sasia e ujit të pijshëm që do të furnizojë Durrësin, duke zgjidhur përfundimisht këtë problem edhe në Sukth.
Përsa i përket regjistrimit të tokave të banorëve të kësaj zone, z. Dako rikonfirmoi edhe njëherë angazhimin e Kryeministrit Edi Rama, se deri në fund të këtij viti përfundon azhornimi i këtyre tokave, dhe në fillim të vitit tjetër, fillon legalizimi i tokave bujqësore duke i dhënë zgjidhje problemit kryesor të  këtyre banorëve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button