Kronika

Të kthyerit nga Siria 24 orë nën mbikëqyrje, s’ka rrezik për sulme

Ethet e masakrës së Parisit janë reflektuar shpejt në Shqipëri, vendin që ka “eksportuar” 140 xhihadistë në Siri dhe që mban rreth 30 të kthyer nga lufta atje. Situata aktuale në Shqipëri paraqitet e njëjtë me atë para 13 nëntorit, kur Parisi u trondit nga kamikazët dhe djemtë me kallashnikov, që në emër të Allahut morën jetën e dhjetëra personave. Tek-tuk ndonjë takim kokë më kokë mes adhuruesve të rrymës ekstreme, por shfaqen të kursyer në postime, si në web-e, forume apo rrjete sociale. Më shpesh duket një tendencë për të krahasuar bilancin e viktimave në Paris me të vrarët në Siri, Irak, Palestinë dhe vende të tjera me shumicë myslimane. Të kthyerit prej “luftës së shenjtë” as që e mendojnë të takohen me ndokënd që dyshohet për prirje ekstreme, teksa ata që vijojnë të luftojnë deri në martirizimin e tyre, vetëm sa komunikojnë, si përherë, me familjarët e tyre në Shqipëri. Prej dy ditësh, të gjitha organet ligjzbatuese shqiptare, janë vënë në gatishmëri të plotë dhe masat janë përforcuar ndjeshëm. Të dhënat janë mësuar për gazetën “Shqip” nga strukturat Antiterror, të cilat siguruan se nuk ka sinjale të dukshme apo dyshime të plota rreth ndonjë akti terrorist në Shqipëri, por zhvillimet e fundit kanë çuar në trefishim të punës intensive dhe përhapje të hetimeve në çdo aspekt që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë fizike të shqiptarëve.

Të ikurit e të kthyerit

Deri para pak muajsh, në listën e strukturave Antiterror gjendeshin emrat e 140 shtetasve të Republikës së Shqipërisë që luftojnë në Siri dhe Irak. Përveç muxhahedinëve (luftëtarëve në moshë nën 55 vjeç), atje ndodhen me dhjetëra gra, fëmijë dhe të moshuar, të marrë me vete prej ekstremistëve. Dyshimet janë për 17 të vrarë, ku emrat e Ervin Hasanajt dhe Dorian Kuqos janë të fundit në listë. Të ikurit janë kryesisht nga qarqet e Korçës, Tiranës, Elbasanit, Dibrës, etj. Në fillimet e këtij “eksodi” (viti 2013), operohej me skemën e ikjes përmes OJF-ve, në ndihmë të vëllezërve myslimanë, ku destinacioni i parë ishte Turqia. Më tej, në pikat kufitare me Sirinë, ata depërtonin drejt “tokave të Shamit” (Siri dhe Irak), ku disa iu bashkuan luftimeve, kurse të tjerët jetojnë kryesisht në Raqa (kryeqytetin e ISIS-it). Gjatë këtyre viteve, të ikurit komunikojnë rrallë me familjarët, ku bisedat më të shpeshta bëhen me Skype. Telefonatat apo email-et më rrallë. Pikërisht nga përgjimi i këtyre bisedave me Skype, ekspertët e Antiterrorit në polici dhe struktura të tjera ligjzbatuese, kanë vërejtur vetëm një prirje të të ikurve për të marrë me vete pjesën tjetër të familjes, por jo tendenca për akte terroriste në Shqipëri. Edhe ditët e fundit, disa komunikime të vakëta rreken drejt kësaj prirjeje. Nga ana tjetër, deri në shkurt të këtij viti, këto struktura ligjzbatuese kishin nën monitorim 27 të kthyer nga Siria apo Iraku, ndërsa një shifër të saktë të të ardhurve prej luftës atje, ende nuk ka. Nga analizimi i profileve të tyre mësohet se ata bëjnë kryesisht një jetë vetmitare dhe nuk shoqërohen me persona të tjerë, të cilët, edhe pse nuk kanë shkuar në Siri, shfaqin prirje ekstremiste në Shqipëri. As kontakte me persona që vijnë nga jashtë shtetit nuk kanë dhe lëvizjet e tyre janë të monitoruara 24 orë në 24.

Ekstremistë në Shqipëri

“Çunat e Lazaratit”, ata që qëlluan policinë disa herë, në profilet e tyre të rrjeteve sociale shfaqnin postime dhe foto me xhihad e dhunë. Në Pogradec gjithashtu vihet re një brez i frikshëm, që veçohet në veprime. Prej fshatrave të thellë të Librazhdit dhe malësive të Dibrës janë hasur persona me prirje ekstreme. Tirana mbetet kryeqendra, ku edhe rekrutuesit (mes tyre dy imamë të vetëshpallur) kishin gjetur bazën për aktivitetin e tyre, teksa në Elbasan mendohet se ata kanë kontakte të fuqishme. Pati tentativa që ata të vijonin rekrutimet edhe nga brenda qelive. Rryma ekstreme salafiste është përqafuar nga dhjetëra shqiptarë që pasi praktikojnë Islamin, janë të mendimit që feja e tyre duhet të përhapet edhe me luftë dhe se duhet të vriten shumë “të pafe” edhe për të marrë hakun e viktimave në radhët e myslimanëve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button