Britania sfidon Kinën, luftanije në ishujt e diskutueshëm “Paracel”
Njëri nga burimet e “Reuters”-it tha se Pekini dërgoi për ta sfiduar luftanijen britanike një “fregatë” dhe dy helikopterë, por që të dyja palët ruajtën qetësinë kur u përballën mes tyre. Burimi tjetër thotë se “Albioni” nuk hyri në ujërat territoriale të ndonjë ishulli në rajonin tejet të nxehtë si pasojë e mbivendosjes së pretendimeve nga disa shtete, por demostroi faktin që Britania nuk i njeh pretendimet e tepërta detare përreth ishujve “Paracel”. Kjo, pasi të lundrosh në një distancë prej 12 miljes detare është një limit i njohur dhe i pranuar ndërkombëtarisht.
Ishujt “Paracel” janë të pushtuara tërësisht nga Kina, por ato pretendohen si territore vetiake edhe nga Vietnami apo Tajvani.
Ministria e Jashtme kineze, në një deklaratë dërguar për “Reuters” njoftoi se luftanija kishte hyrë në ujërat territoriale kineze përreth ishujve “Paracel” më 31 gusht, pa leje, ndaj dhe Marina kineze e paralajmëroi ekuipazhin e saj të largohej prej andej.
“Veprimet e papërshtatshme të anijes britanike shkelën ligjet kineze dhe ligjin ndërkombëtar, duke shkelur kësisoj sovranitetin e Kinës. Kina e kundërshton me forcë këtë dhe i ka paraqitur një ankesë të ashpër palës britanike për të shprehur pakënaqësinë”, shton Ministria kineze e Jashtme.
“Kina i kërkon palës britanike të ndalojë menjëherë të tilla veprime provokuese, në mënyrë që të shmangë dëmtimin e panoramës së përgjithshme të marrëdhënieve dypalëshe, sikurse edhe paqen e stabilitetin rajonal. Kina do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur sovranitetin dhe sigurinë e saj”, vijonte më tej deklarata e saj.