Kronika

Antenat e celularëve që shkatërruan provat e fabrikuara të procesit Beleri

Sa më shumë thellohesh në dosjen e gjyqit të Fredi Belerit, aq më tepër e kupton që ke të bësh me një proces të denjë për montimet që bënte KGB-ja ruse në vitet 30 të shekullit të shkuar. Manipulimet e fundit janë nxjerrë në dritë nga të dhënat e kompanisë Vodafon, prej së cilës janë zbardhur lëvizjet e dy prej personazheve kyç të akuzës: ish shefit të policisë së Himarës, Ermal Hajdini dhe të infiltruarit dhe të paguarit prej tij, Arsen Rama, që futi në kurth kandidatin e Omonias, në zgjedhjet e 14 majit. Të dy kanë dalë zbuluar dhe dyshohen se kanë dhënë dëshmi të rreme para gjykatës.

Po ku konsiston mëkati i dy njerëzve që i ngritën çarkun Belerit?

Sipas versionit që të dy rrëfyen në sallën gjyqit historia ka filluar kështu. Pretendohet se i infiltruari i policisë Arsen Rama, ka dëgjuar, nga njërëz “që nuk i mban më mend”, se Beleri kërkonte të blente vota. Ai e ka shpënë këtë informacion të përpunuesi i tij Ermal Hajdini, i cili e kishte përdorur si spiun edhe herë të tjera, duke shfrytëzuar dobësinë e një njeriu të dënuar dy herë për vjedhje dhe mashtrim.

Shefi i policisë së Himarës e ‘ka pyetur” nëse donte që të bashkëpunonin për këtë informacion duke pranuar rolin e përgjuesit të Belerit kundrejt pagesës.

Rama ka pranuar. Por, që vënia e kurthit në funksionim të fillonte, për këtë duhej të jepte “OK” prokuroria e Vlorës. Vetëm me një leje të tillë, Arsen Rama mund të paisej me mikrofonë, të fillonte përgjimin dhe të vërtetonte krimin e blerjes së votave.

Ky ishte plani. Dhe sipas dëshmive përpara gjykatës, të dy bashkë, polici dhe spiuni i tij, kanë udhëtuar drejt Vlorës për të bërë deponimin në prokurori dhe për të firmosur lejen për përgjim (shiko videon poshtë).

I gjithë ky proces ka prodhuar dy dokumente. Ndonëse spiuni Arsen Rama deklaroi në proces se nuk e mbante mend se ç’datë ishte kur deponoi në Vlorë dhe se nëse e bëri këtë deponim në polici apo në prokurori, në dokumente rezulton se ai ka deponuar për ngjarjen në datë 08.05.2023 (ora 14), para oficerit të policisë gjyqësore, Alket Sulejmani, në prokurorinë Vlorë. Pra se ai ka qenë fizikisht në prokurori dhe vetëm pas firmës të tij për të bashkëpunuar, prokurorët kanë marrë vendimin për fillimin e përgjimit përmes aktmarrëveshjes për akte të stimuluara.

Por, me shumë gjasë e gjitha kjo është një farsë. CD-ja ku zbulohen qelizat e lëvizjes përmes antenave të Vodafon dëshmon se Arsen Rama nuk ka dalë nga Himara, që nga mesdita e 8 majit, pra që kur prezumohej se ishe duke deponuar në Vlorë, e deri në darkën e 12 majit kur u arrestua Fredi Beleri.

Po çfarë tregon ky fakt i thjeshtë?

Ai përforcon dyshimet se dokumentat e vendimit për vënien në përgjim të kandidatit të Omonias janë të manipuluara dhe se ato mund të jenë përpiluar më vonë. Por, në një skenar të tillë, ato që akuza i cilëson si prova nuk kanë asnjë vlerë, pasi i bie që ato janë marrë në mënyrë të paligjshme pa pasur leje paraprake nga prokuroria.

Kur Arsen Rama nuk ka qenë në Vlorë (sepse ai ka folur gjithë kohën në celular nga Himara), si mund të ketë deponuar ai përpara oficerit të policisë gjyqësore, Alket Sulejmani, dhe si mund ta ketë nënshkruar ai dokumentin që lejon paisjen me aparat përgjimi që solli dhe vendimin për lejimin e përgjimit?

Andi Bushati: Paradoksi i të qenit pro Belerit dhe kundër Greqisë

Pra një skenar i tillë jo vetëm hedh në erë gjithë procesin, por ai zhvlerëson për dëshmi të rreme edhe dy dëshmitarët kyç të akuzës, spiunin Arsen Rama dhe kryepolicin Ermal Hajdini, që kanë deponuar se kanë qenë vetë në Vlorë.

Sipas rrëfimit të prokurorisë dihet se çfarë ndodhi në harkun e katër ditëve që pasuan,  nga 8 deri në 12 maj. Arsen Rama i ra me këmbëngulje mbi 21 herë telefonit të Belerit edhe kur ky nuk ia ngrinte. Ai prtetendon se mori viston prej tij për të blerë 8 vota me nga 50 euro secilën. Ai pretendon se morri 40 mijë lekë nga bashkëpunëtori i kandidatit të Omonias në një lokal, por policia, megjithëse kishte nisur përgjimin, nuk arriti ta dokumentojë me pamje këtë “transaksion”. Jo që në atë moment, por “çuditërisht” të nesërmen e dhënies së parave dhe arrestimit të Fredi Belerit “në flagrancë”, Arsen Rama i dorëzoi në polici, kartmonedhat e korrupsionit elektoral, ku për habinë e të gjithëve mungojnë gjurmët e gishtave të të akuzuarve, shkruan Lapsi.al.

Incizimi audio/ Dyshimet se policia futi në kurth Belerin

Por edhe këtu dyshohet se kemi të bëjmë me një tjetër provë të manipuluar. Para gjykatës është deponuar si dokument procesverbali për dorëzimin e parave (8 kartëmonedha prerje 5,000 lekë) të cilat pretendohej se i ishin dhënë për të blerë votat. Sipas aktit të nëshkruar nga kryepolici Hajdini dhe vetë Arsen Rama, kjo ka ndodhur në orën 6 të mëngjesit të datës 12 maj. Por qelizat e antenave të numrit të tij Vodafon tregojnë se Arseni gjendej në Vlorë menjëherë pas arrestimit të Belerit dhe se prej aty ka folur në tefefon deri në orën 13 00 të ditës tjetër, pas së cilës atij i rezulton i fikur. Pra a kemi të bëjmë sërish me një provë të dyshimtë, kur pesoni që gjendej në Vlorë pretendohet se dorëzoi kartmonedhat që pa gdhirë në komisariatin e Himarës? A kanë gënjyer para gjykatës kryepolici Hajdini dhe spiuni i tij? A është ky një proces me prova të fabrikuara, pas zhvillimit të ngjarjes?

Kjo pyetje bëhet gjithnjë e më e fortë sa më shumë thellohesh tek ky proces që gropa të tilla ka me shumicë, që nga enigma e dëshmisë së penalitetit të Belerit që u fallcifikua, që nga deponimi kontradiktor i vëllait të Arsen Ramës, e deri tek mospasja e asnjë prove fotografike apo filmike për një takim të të infiltruarit me “viktimën” e tij./

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button