Qosja: Gjykata Speciale nuk duhet krijuar, shqiptarët të mos vetëdënohen
Akademiku Rexhep Qosja, në një intervistë dhënë gazetës kosovare “Epoka e Re”, ka folur për ngjarjet e fundit në Kosovë dhe në Kumanovë.
Qosja ka thënë se ngjarja në Kumanovë është pasojë e politikës nacionaliste të Nikolla Gruevskit, por nga ana tjetër ka ngarkuar me përgjegjësi edhe dy partitë shqiptare, BDI-në dhe PDSH-në.
Ndërsa sa i përket dënimit me burgi të ish-komandantëve të UÇK-së, Sylejman Selimi, Sami Lushtaku dhe bashkëluftëtarëve të tyre, Qosja ka thënë se këto janë dënime të frymëzuara prej motiveve politike dhe të bëra për qëllime politike. Qosja ka porositur klasën politike që mos ta themelojë Gjykatën Speciale.
“Për mua, është me rëndësi, me rëndësi politike, etike, historike dhe kombëtare që atë gjykatë të mos e themelojnë vetë shqiptarët. Shqiptarët nuk duhet, në asnjë mënyrë, të dënojnë vetëveten. Ata nuk duhet të vetëdënohen”, ka thënë Qosja.
Ndërkaq, duke folur për kuvendin e fundit zgjedhor të LDK-së, konkretisht për zgjedhjen e Isa Mustafës si kryetar, akademiku i njohur e ka krahasuar atë me bolshevikët e Stalinit dhe fashistët e Musolinit.