Kosova

Kurti u drejtohet me videomesazh serbëve të Kosovës për vizat, targat dhe aplikimin në KiE

Kryeministri Albin Kurti përmes një videomesazhi të hapur u është drejtuar qytetarëve serbë të Kosovës, që lidhet me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, liberalizimin e vizave dhe rritjen e interesimit për t’u pajisur me pasaporta dhe targa të Republikës së Kosovës.

Kurti, përmes një adresimi në Facebook, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës sjell avantazhe e veçanërisht për anëtarët e komuniteteve jo shumicë, në kuptimin e qasjes në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

“Këtë javë kam qenë mikpritës i vizitës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës lidhur me kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ne e dimë se anëtarësimi sjell avantazhe, veçanërisht për anëtarët e komuniteteve joshumicë, në kuptimin e qasjes në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg”.

Kurti ka thënë se për këtë arsye i janë përkushtuar aplikimit për anëtarësim si mënyra më e mirë për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të secilit në Kosovë.

Ai thotë se qytetarët e Kosovës tashmë e kanë mundësinë edhe fizikisht të afrohen me Evropën, kur nga 1 janari të liberalizohen vizat.

“Këto vizita vijnë në kohën kur qytetarët e Kosovës po e pranojnë identitetin e tyre evropian, jo vetëm në aspektin e qeverisjes dhe shoqërisë, por edhe me shansin për t’u afruar fizikisht me fqinjët tanë evropianë për shkak të liberalizimit të vizave. Qytetarët e Kosovës që dëshirojnë të vizitojnë familjet e tyre dhe të shohin nga afër kulturën e vendeve të rajonit Shengen, do të jenë të lirë të udhëtojnë pa viza nga 1 janari”.

“Jemi të kënaqur që interesimi për përdorimin e kësaj mundësie po përhapet në të gjithë vendin, nga veriu në jug, me një rritje prej rreth 30% të aplikimeve për pasaporta biometrike këtë vit krahasuar me të kaluarin”, ka thënë ai, transmeton Telegrafi.

Kryeministri thotë se vërehet interesimi për integrim i qytetarëve serb pasi sipas tij e njëjta gjë është në interes të çdo qytetari të Kosovës.

“Duke marrë parasysh se mbi 3260 pronarë të veturave nga fillimi i nëntorit e deri më tani kanë ndërruar targat e tyre me ato të Republikës së Kosovës, vërehet interesimi për integrim dhe kuptojmë e dimë se e njëjta gjë është në interes të çdo qytetari të Kosovës. Të të gjithë neve. Së bashku.

“Në dritën e ngjarjeve të tilla të kohës së fundit, falënderoj të gjithë ata që treguan besim për një Kosovë më të mirë”, ka përfunduar Kurti mesazhin drejtuar qytetarëve serb./Telegrafi/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button