Rajoni

Kronologjia e një krize; kush e ka fajin ?

aSi arriti shteti plëngprishës i Europës deri këtu, kur diskutohej dalja nga euro, duke zhytur Greqinë dhe gjithë Europën në një territor të paeksploruar…

Si u rrit borxhi

Nga viti 2001 deri më 2008, Goldman Sachs, Morgan Stanley, Deutsche Bank dhe banka të tjera investimi rregulluan transaksione komplekse që i mundësuan qeverisë greke të siguronte para për shpenzimet buxhetore, pa qenë të detyruar të klasifikonin shumat si borxh publik.
Transaksionet e lejuan qeverinë greke të zhytur në borxhe të fshihte miliarda euro të borxhit të ri nga publiku dhe autoritetet rregullatore.
Një nga marrëveshjet e tilla të mëdha ishte një titullizim në vitin 2001, në të cilin Greqia siguroi 2 miliardë euro të mbështetura nga grante që ministrat e Financave prisnin të merrnin nga fondet strukturore të BE-së.
Deri në vitin 2010, kur gjithçka doli në dritë, Greqia ia doli të fshehë borxhin, duke përdorur instrumente derivative si ‘credit default swaps’. Një sërë mekanizmash “këmbimi” të vëna në punë nga financat e Wall Street-it, në veçanti dy bankat e mëdha, Goldman Sachs e JP Morgan Chase, i mundësuan Greqisë të hipotekonte disa sektorë të ekonomisë, duke fshehur pjesë të borxhit nga autoritetet e Brukselit, me qëllim që veprimet e ndërmarra, tërësisht ligjore, të mos shfaqeshin si hua bankare, por si shitje me pagesa të ndryshme.
Në mënyrë të veçantë, Greqia do të financonte një pjesë të deficitit të saj mbi shëndetësinë publike, duke vendosur si garanci të ardhurat e pritshme nga taksat aeroportuale, kalimet në autostradë dhe të ardhurat nga lotaritë shtetërore.

Zbulimi i mashtrimit dhe përkeqësimi i ekonomisë

Në fund të vitit 2009, në Greqi shpërtheu kriza, e nxitur nga kriza financiare globale, por rrënjët e saj lidheshin me një kombinim të dobësive strukturore në ekonominë greke, së bashku me një dekadë të deficiteve të larta strukturore dhe borxhit të fshehur publik. Borxhi i rishikuar kërceu menjëherë nga 100% e PBB-së në 120% në 2009.
Në fund të vitit 2009, nisi frika e një krize kombëtare borxhesh mes investitorëve, që u shqetësuan lidhur me aftësinë e Greqisë për të përmbushur detyrimet e saj, për shkak të zbulimit se të dhënat e mëparshme të qeverisë për borxhin publik dhe deficitin ishin keqinterpretuar nga qeveria greke. Kjo çoi në një krizë besimi, dhe rritje të kostos së shërbimit të borxhit të Greqisë në raport me shtetet e tjera europiane dhe Gjermaninë në veçanti.
Në prill 2010, lajmeve të të dhënave të deficitit dhe borxhit iu shtua dhe fakti që të dhënat kombëtare zbuluan se ekonomia greke ishte goditur gjithashtu nga tre recesione të dukshme (T3-T4 2007, T2-2008 deri T1-2009, dhe një të tretë që kishte filluar në T3-2009), që çoi në një tjetër rritje të borxhit ndaj PBB nga 120% në 2008 në 180% në 2010. Agjencitë e kreditit reaguan duke zhvlerësuar borxhin e qeverisë greke në nivel të padëshirueshëm (poshtë nivelit të investimeve), teksa gjetën tregues të një rritjeje të rrezikut të paaftësisë paguese kombëtare, dhe yield-i i obligacioneve qeveritare reagoi duke u rritur në një territor të paqëndrueshëm –duke i bërë tregjet private të huas një burim i paaksesueshëm për Greqinë.

Paketat shpëtuese

Më 2 maj 2010, Komisioni Europian, Banka Qendrore Europiane (ECB) dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, që më vonë u quajtën me emrin Trojka, reaguan duke prezantuar një paketë shpëtimi prej 110 miliardë eurosh për Greqinë.
Një vit më pas, përkeqësimi i recesionit, së bashku me një vonesë në zbatim të kushteve për të cilat ishte rënë dakord në programin shpëtues, u bë e ditur nevoja e Greqisë për një paketë të dytë me vlerë 130 miliardë euro (përfshirë një paketë të rikapitalizimit të bankave me vlerë 48 miliardë euro).
Për shkak të situatës së përmirësuar të ekonomisë greke, me arritjen e një suficiti buxhetor në 2013 dhe 2014 – së bashku me një rënie të shkallës së papunësisë dhe kthimin e rritjes pozitive ekonomike në vitin 2014, ishte e mundur për qeverinë greke të rifitonte një qasje në tregun privat të huadhënies për herë të parë që nga shpërthimi i krizës së borxhit të saj – deri në atë masë që tërë mungesa e financimit për vitin 2014 u plotësua përmes shitjes së bonove te kreditorët privatë.

“Kriza” Tsipras

Por, përmirësimi i ekonomisë u zëvendësua nga një recesion i ri i katërt, duke filluar nga tremujori i fundit 2014, si rrjedhojë e zgjedhjeve të parakohshme të shpallura në dhjetor 2014 dhe zgjedhjes në fund të janarit të një qeverie të udhëhequr nga Syriza, që erdhi në pushtet duke premtuar se do të kthejë mbrapsht kushtet e rrepta të marrëveshjes së ndihmës.
Pas zgjedhjeve, Eurogroupi i dha një zgjatje teknike 4-mujore programit aktual shpëtues të Greqisë; duke pranuar pagesën që kushtet e pagesës të rishikoheshin me qeverinë e re.
Në qershor 2015, kriza u përshkallëzua sërish, teksa nuk u ra dakord për rishikimin e kushteve në paketën shpëtuese, Tsipras bëri thirrjen surprizë për referendum për kushtet e paketës dhe Greqia nuk kreu pagesën prej 1.6 miliardë eurosh të këstit ndaj FMN-së. Kjo është shuma më e madhe që nuk i është paguar ndonjëherë FMN-së. Greqia është gjithashtu debitori më i madh i FMN-së. Ajo i detyrohet fondit 35 miliardë euro vetëm principal, si rrjedhojë e dy paketave shpëtuese që nga 2010. Gjatë pjesës së mbetur të vitit, Greqia duhet t’i paguajë FMN-së 5.5 miliardë euro.

Faji

Të gjitha palët kanë faj. Politikanët e Europës ndoshta nuk duhet ta kishin lejuar Greqinë të hynte në euro në vitin 2001, dy vjet pas krijimit të monedhës. Qeveritë greke nuk duhet të kishin përdorur shtetin si një instrument patronazhi, nuk duhet të kishin shpenzuar egërsisht para vitit 2008, dhe – si Irlanda, Portugalia dhe Qipro -duhet të kishin shfrytëzuar shansin e paketës së shpëtimit për të ekzekutuar reforma të thella strukturore.
Zona e euros ka qenë fajtore për imponimin e masave tmerrësisht të ashpra në një ekonomi ‘të sfilitur’, se e kanë ngarkuar Greqinë me borxh të papagueshëm dhe për një qasje ‘shurdhe’ ndaj rritjes së dëshpërimit të grekëve të zakonshëm. Politikanët e Europës nuk duhet të habiten se votuesit kërkuan një alternativë radikale, dhe ata duhet të kishin gjetur mënyra më ‘fertile’ për të trajtuar një situatë të tillë. Por Syriza ka qenë një thertore në zyrë, duke kundërshtuar fort aleatët e potencialë dhe duke shkatërruar besimin e nevojshëm për të siguruar një marrëveshje më të mirë për veten. Kjo është një histori e dhimbshme e cila pasqyron në të gjitha palët e përfshira.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button