Opinion

“Në një shtet sekularist! Në shekullin e 21-të!”

Nga Fatos Tarifa

Debati lidhur me mësimin e fesë në shkollat tona, që ka nisur kohët e fundit, mund të jetë vetëm maja e ajsbergut e asaj tronditjeje të thellë që mund të ndiejë shoqëria shqiptare nëse mësimi i fesë në shkollat publike legjitimohet në atë mënyrë që nuk duhet. Lexoja këto ditë opinionet e shprehura mbi këtë çështje në gazetën “DITA” nga disa analistë dhe më bënë përshtypje veçanërisht pikëpamjet e z. Redi Shehu. Ky individ i prezantohet publikut si analist dhe si ekspert komunikimi. Në mediat tona, “analisti” duket se është bërë një “profesion” i palicencuar. Kushdo që del e flet në TV, ose shkruan në ndonjë gazetë, konsiderohet vetvetiu si “analist”. Por, çfarë lloj analisti? I formuar ose i informuar në cilën fushë? Një analist për se? Në këtë rast, analisti qëlloi të jetë një “ekspert komunikimi”, që merr përsipër të “analizojë” besimet fetare, duke i komunikuar publikut një ide absurde.

Në këtë shkrim, unë nuk përpiqem të trajtoj se si, kur dhe çfarë duhet bërë lidhur me atë çfarë propozohet. Kjo kërkon kohë dhe, sidomos, një debat të gjerë publik dhe akademik, që të përfshijë të gjitha grupet dhe shtresat e interesuara të shoqërisë. Këtu unë dua të kundërshtoj, madje fort, pikëpamjen e shprehur nga z. Shehu. Thelbin e asaj çfarë mendon e thotë ky “analist” e përbën ky paragraf: “Mendimi se besimet janë arkaike, të rrezikshme dhe se (prandaj) njohuritë për to nuk u duhen fëmijëve tanë, është i gabuar. Kjo vjen nga të menduarit se besimet nuk janë fenomene moderne. Por, në fakt, besimet janë fenomene moderne aq sa janë moderne sekularizmi dhe laikja, sepse këto të fundit nuk do të kishin kuptim pa besimet. Atëherë, meqë është kështu, besimet, si fenomene moderne, duhen njohur dhe kuptuar…edhe përmes futjes së tyre në kurrikulat shkollore”.

E kam të vështirë ta kuptoj pikëpamjen dhe sugjerimin e këtij “analisti”. Besimet e feve të mëdha kanë lindur rreth dy mijë vite më parë e, pra, si mund të jenë ato “fenomene moderne”. Nuk e di ky “ekspert” se moderniteti lidhet, veç të tjerash, me Iluminizmin, pra me atë lëvizje të madhe ideologjike e kulturore që u bë kundërshtari më i ashpër i fesë dhe i besimeve të saj? Mitologjia e krishterë përmend gjarpërinj që flasin, përmbytje të përbotshme, fëmijë që lind nga një grua e virgjër dhe një profet hyjnor, i cili, pasi ringjallte të vdekurit dhe u kthente sytë të verbërve, u ringjall edhe vetë. Feja myslimane, nga ana e saj, thotë se, kur Muhamedi ishte 40 vjeç, iu qasën dy engjëj që i hapën kraharorin, i nxorën zemrën dhe e pastruan atë me dëborë, që kështu ai të bëhej profet i Zotit. Pas kësaj, engjëlli Gabriel e urdhëroi Muhamedin që të flasë e të predikojë, për 23 vite me radhë, derisa nga predikimet e tij lindi Kurani.

A janë besime të tilla moderne, siç u thotë lexuesve z. Shehu?

Po, është e vërtetë, se shumë fe kanë lindur në periudhën e modernitetit; ato janë fe të reja. Nëse z. Shehu dëshiron të dijë se në ç’besime mbështeten këto fe, ja disa prej tyre:

Feja mormone, e cila ka lindur më pak se dy shekuj më parë dhe ka sot rreth 15 milionë ndjekës, u rrëfen besimtarëve të saj këtë histori: Në vitin 1827, një burrë nga Nju Jorku, i quajtur Xhozef Smith, ndërsa drejtohej nga një engjëll që quhej Moroni, zbuloi një kuti me pllaka të arta, të shkruara me shenja të çuditshme, që u ngjanin hieroglifëve të egjiptianëve të lashtë. Engjëlli Moroni e ndaloi Smithin t’ua tregonte këto pllaka të tjerëve, derisa teksti që përmbanin ato të përkthehej në anglisht. Në vitin 1830, Smith botoi Librin e Mormonëve, duke pretenduar se ai përmbante tekstin e përkthyer të pllakave misterioze që kishe zbuluar. Teksti “shpjegon” se Krishti i ringjallur kishte vizituar Amerikën e lashtë dhe se fiset indigjene të Amerikës janë pasardhës të popujve nga Lindja e Mesme, që emigruan në Amerikë.

Është ky “fenomen modern” një dije që z. Shehu dëshiron vërtet t’ua mësojë fëmijëve dhe të rinjve në shkollat tona publike?!

Kisha e Shkencës së Krishterë (Christian Science), e krijuar në vitin 1879, nga ana tjetër, u thotë besimtarëve të saj, ndër të tjera, se sëmundja dhe vdekja janë iluzione, thjesht rezultat i mendimeve të gabuara, dhe se çdo “sëmundje”, përfshirë edhe diabetin dhe kancerin, mund të shërohet nëse mbështetesh në besimin e duhur. Qindra e mijëra njerëz kanë vdekur nga sëmundje të shërueshme vetëm e vetëm sepse kanë besuar këtë teologji dhe nuk kanë marrë trajtimin e duhur mjekësor.

Është edhe ky “fenomen modern” një dije që z. Shehu dëshiron t’ua mësojë fëmijëve dhe të rinjve në shkollat tona publike?!

Nëse shembujt e mësipërm nuk mjaftojnë, ja dhe një tjetër, po kaq, madje edhe më mizor se të parët: Doktrina e Kishës së Scientologjisë, e krijuar në vitin 1954, thotë se: 75 milionë vite më parë, Xenu, diktatori i një konfederate të galaktikës, solli në planetin Tokë miliarda krijesa të gjalla, të ngjashme me njerëzit, përmes një mjeti fluturues gjigant. Të paralizuar e më pas të ruajtur në antifrizë, trupat e tyre u stivosën në krateret e vullkaneve dhe u shkatërruan përmes shpërthimit të bombave me hidrogjen. Shpirtrat e atyre që shpëtuan, u zunë, u futën në një kinema gjigante dhe u detyruan të shohin filma për rreth një muaj, duke implantuar në to ide të këqija, si Katolicizmi. Pas kësaj, këto shpirtra u larguan për t’iu bashkuar trupave që kishin mundur t’u mbijetonin shpërthimeve. Njerëzit e sëmurë prej këtyre shpirtrave mund të diagnostikohen vetëm me anë të mjeteve të veçanta që matin elektricitetin në lëkurë.

Është vallë edhe ky “fenomen modern” një dije që z. Shehu dëshiron t’ua mësojë fëmijëve dhe të rinjve në shkollat tona publike?!

Shumica e njerëzve besimtarë në kohën tonë i refuzojnë shpjegime të tilla “moderne” si krejtësisht të pavërteta. Kjo ndodh, ndoshta, për shkak se të tria fetë e sipërpërmendura—Mormonizmi, Shkenca e Krishterë dhe Scientologjia—janë fe të reja, të krijuara gjatë 200 viteve të fundit dhe, për këtë arsye, ne e dimë se ato nuk kanë origjinë hyjnore, por janë një krijim njerëzor. Por, nëse i shohim doktrinat fetare më të vjetra në të njëjtën mënyrë racionale e kritike, parimet dhe dogmat e tyre janë po aq irracionale. Disa prej tyre i përmenda më sipër, por ka dogma të tjera, të cilat nuk do u qëndronin dot fakteve dhe mendimit racional kritik.

Arsyet përse fetë e vjetra e të mëdha vazhdojnë të kenë besimtarë të shumtë janë të ndryshme. Një arsye ka të bëjë me faktin se këto fe kanë ekzistuar për një kohë shumë të gjatë dhe, për shkak të origjinës së tyre të lashtë, karakteri “hyjnor” i tyre nuk mund të përgënjeshtrohet nga kushdo po aq lehtë sa në rastin e feve të reja. Jetëgjatësia dhe qëndrueshmëria e tyre në kohë u ka dhënë feve të mëdha një farë kredibiliteti, duke i bërë predikimet dhe pretendimet e tyre të duken më pak të lidhura me krijimtarinë e mendjes dhe vullnetin njerëzor. Sidoqoftë, unë mendoj se arsyeja kryesore për shkak të së cilës shumë njerëz nuk kanë dashur e nuk duan ta vënë në dyshim vërtetësinë e shumë prej dogmave të fesë së krishterë, të asaj myslimane dhe të çdo feje tjetër, qëndron në faktin se ata nuk e marrin besimin e tyre përmes gjykimit dhe të arsyetuarit kritik, por përmes indoktrinimit, që realizohet përmes mjedisit shoqëror—institucionet e fesë, familja dhe grupi shoqëror të cilit i përkasin.

Feja e ka rrëmbyer dhe shfrytëzuar prirjen njerëzore, të zhvilluar gradualisht në shekuj, për ta pranuar qysh në moshë të re autoritetin. Nëse dikush ka lindur në Arabinë Saudite, ose në Pakistan, gjasat që ai të rritet si mysliman dhe ta pranojë si të vërtetë dogmën e fesë së tij janë thuajse absolute. Nëse dikush lind e rritet në Utah, të Shteteve të Bashkuara, shanset që ai të bëhet një besimtar i fesë mormone janë (statistikisht) rreth 60 për qind. Nëse ka lindur në Brazil dhe është besimtar, ka më shumë të ngjarë të jetë katolik. Në një kuptim real të fjalës, mund të thuhet se, nëse dikush pranon një fe të caktuar dhe refuzon një tjetër, kjo, në një masë të madhe, është një rastësi që përcaktohet nga kultura, pjesë e së cilës ne bëhemi qysh nga lindja. Dhe pasi dikush është bërë fetar, është rritur me besimet e fesë së tij dhe ka jetuar për vite me radhë mes njerëzve që besojnë në të njëjtën fe, ai investohet emocionalisht në të “vërtetat” e fesë së tij. Kjo e bën më tej shumë të vështirë për të që të vërë në dyshim bazat e besimit të tij fetar.

Një mjedis të tillë shoqëror dëshiron z. Shehu që t’u krijojë fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë në shkollat tona publike?!

Asnjë prej arsyeve të mësipërme, sidoqoftë, nuk mjafton për të marrë si të vërtetë vetëm fenë tënde dhe si të pavërtetë fetë e të tjerëve. Mund të ketë njerëz që besojnë se të gjitha fetë janë të vërteta, për shkak se, në fund të fundit, njerëzit besojnë dhe i përulen të njëjtit Zot. Por nuk është kështu. Pretendimet themelore të feve të ndryshme jo vetëm dallojnë nga njëra fe në tjetrën por, shpesh herë, ato kundërshtojnë njëra-tjetrën dhe janë në konflikt mes tyre. Shumë të krishterë besojnë se e vetmja mënyrë për të shpëtuar nga mëkatet dhe pasojat e tyre është që të pranosh Jezusin si shpëtimtarin tënd. Por, kjo doktrinë do e çonte në “ferr” një mysliman që beson në të. Hebrenjtë, nga ana e tyre, nuk e shohin Jezusin si Mesian e tyre.

Më tej akoma, ndryshe nga fetë monoteiste, Hinduizmi ka shumë zotër, ndërsa fe të tjera, si Jainizmi, Taoizmi, Konfucianizmi dhe Universalizmi Unitarist nuk kanë një zot, edhe pse e pranojnë ekzistencën e fenomeneve të mbinatyrshme, si karma dhe ringjallja e shpirtit në një trup tjetër. Një komunitet tjetër fetar, si Dëshmitarët e Jehovait, besojnë se vetëm 144,000 prej tyre do të arrijnë të shkojnë në Parajsë; të tjerët, ata që do mund të shpëtohen, do të gëzojnë një parajsë në Tokë. Nga ana tjetër, Laestadianizmi, një sekt konservator brenda Luterianizmit, e konsideron veten si e vetmja fe e vërtetë: vetëm ata 60 mijë ndjekës të kësaj feje besojnë se meritojnë shpëtimin, ndërsa miliardat e njerëzve që popullojnë planetin tonë janë të destinuar të vuajnë përjetësisht. Akoma më i çuditshëm dhe absurd është besimi që gjejmë në radhët e zezakëve myslimanë në Shtetet e Bashkuara (të ashtuquajturit “Black Muslims” dhe, në radhët e tyre, lëvizja “Kombi i Islamit”, se gjoja njerëzit e bardhë janë një “racë djajsh”, e krijuar më pak se 7 mijë vite më parë. Të gjitha këtyre besëtytnive shtojini dhe një varg doktrinash e kodesh etike fetare konfliktuale për sa i përket trajtimit të grave, të homoseksualëve, të seksit para ose jashtë martese, të kriminelëve, të kafshëve etj. Ju mund ta përfytyroni vetë kompleksitetin e kësaj çështjeje.

Në botën e sotme ekzistojnë një numër shumë i madh fesh. Ato është vështirë të numërohen. Tri prej tyre—Judaizmi, Krishtërimi dhe feja myslimane—ndiqen nga 54 për qind e popullsisë së globit. Rreth 10 ose 12 fe janë “të mëdha”, por ato, pothuajse të gjitha, janë të ndara në shumë degë dhe sekte me besime e praktika të ndryshme. Seminari Teologjik Gordon-Conwell, në Shtetet e Bashkuara, vlerëson se sot, vetëm brenda fesë së krishterë, ka rreth 44 mijë sekte të ndryshme.

Kush mund të thotë se cilat nga fetë dhe cilat besime fetare (“arkaike” ose “moderne”, po të përdor fjalët e z. Shehu) janë më “të vërteta” se të tjerat? Cilat prej tyre do të dëshironte z. Shehu që të përfshiheshin në kurrikulat e shkollave tona? Dhe pse? Nëse tipari kryesor i besimit, siç ka venë në dukje Søren Kierkegaard, është se ai nuk ka një bazë intelektuale, përse duhet t’u japim fëmijëve dhe të rinjve tanë njohuri mbi subjekte që nuk i shërbejnë zhvillimit të tyre intelektual dhe arsyetimit të tyre racional e kritik? Në një shtet laik dhe në një shkollë laike, nxënësit duhet të mësohen të dyshojnë në besimet e fesë dhe në çdo dogmë (fetare, politike ose ideologjike) duke ia nënshtruar ato një arsyetimi rigoroz e të mbështetur empirikisht, dhe jo të ushqehen me to.


Dëshiroj të them dy fjalë edhe për komentin e z. Daut Gumeni titulluar “Asgjë e keqe, përkundrazi”, botuar po në gazetën “DITA” dy ditë më parë, duke e bërë të qartë publikisht qëndrimin tim në lidhje me çështjen që debatohet. Nuk ka asgjë të keqe dhe nuk do të përbënte asnjë shqetësim moral ose pedagogjik nëse nxënësve u ofrohen njohuri të përgjithshme mbi historinë e feve të mëdha, kryesisht të feve abrahamike (Judaizmi, Krishtërimi dhe feja myslimane), nëse njohuri të tilla—e përsëris, të përgjithshme—u mësohen atyre si pjesë integrale e lëndëve të formimit të përgjithshëm kulturor. Fjala vjen, kur nxënësit mësojnë mbi historinë e Kinës dhe të Indisë së Lashtë, atyre mund t’u flitet edhe për doktrinën e Konfucit dhe Budizmin; kur studiojnë historinë e Romës së Lashtë, mund t’u flitet për lindjen e Krishtërimit; kur studiojnë historinë e Kalifatit Arab dhe të Perandorisë Osmane, mund t’u flitet për lindjen e fesë myslimane dhe rolin e saj në zhvillimin e botës arabe; kur studiojnë historinë e Mesjetës dhe të Rilindjes Europiane, mund t’u flitet për kryqëzatat, për Inkuizicionin, për torturat dhe krimet e tij, për miliona gra fatkeqe që u dogjën të gjalla si “shtriga” etj. Me fjalë të tjera, nxënësve duhet t’u mësohet ajo e vërtetë, për të cilën fliste Ruth Hurmence Green, se “ka qenë një kohë kur feja sundonte botën, dhe ajo kohë njihet si periudha e errësirës”.

Sido që të jetë, gjithnjë duhen pasur parasysh tri gjëra:

E para, mosha e nxënësve në kohën kur këto njohuri mund t’u jepen në shkollë, e cila ka të bëjë me aftësitë e tyre konjitive e interpretative dhe me shkallën e zhvillimit të mendimit të tyre racional kritik.

E dyta, njohuri të tilla mund të jenë të dobishme jo kur ato serviren si qëllim në vetvete, ose si një lëndë më vete, por nëse integrohen me njohuri të tjera që u japin nxënësve një tablo të përgjithshme të zhvillimit historik, shoqëror e kulturor të njerëzimit.

E treta, produkti që do të merrnim nga një zhvillim i tillë i ri në sistemin tonë arsimor do të varej nga investimi paraprak që bëjmë për të, me çka kuptoj, nga njëra anë, kujdesin për hartimin e teksteve shkollore të formimit të përgjithshëm kulturor, që mund të përmbanim njohuri mbi zhvillimin historik të feve kryesore, siç jam shprehur më sipër (dhe në asnjë rast jo tekste të shenjta ose interpretime të doktrinave fetare) dhe, nga ana tjetër, kualifikimin e duhur të mësuesve që do ua transmetojnë këto njohuri nxënësve.

Një tjetër mundësi do të ishte, që njohuri të përgjithshme mbi historinë e feve të mëdha të përfshiheshin në kuadrin e mësimit të historisë së qytetërimeve, ose të historisë së zhvillimit të filozofisë apo të historisë së arteve, por këto janë njohuri që të rinjtë i marrin në ciklet më të larta të shkollimit. Në çdo rast, përfshirja e njohurive mbi historinë e doktrinave fetare kryesore do të duhej t’i shërbente formimit të përgjithshëm kulturor të të rinjve dhe në asnjë mënyrë jo indoktrinimit të tyre. Bibla dhe Kurani mund të jenë “librat më të bukur të botës”, siç shprehet z. Gumeni (edhe pse unë nuk mendoj kështu), por kjo nuk do të thotë aspak që nxënësve t’u mësohen në shkollë tekstet “e shenjta”. Tekste të tilla le t’i lexojë për qejfin e vet kushdo që dëshiron, por ato nuk kanë vend në shkollat tona publike, madje, do të thosha, nuk duhet të kenë vend as në shkollat private që nuk kanë një orientim fetar.

Unë nuk kam dyshim se motivi nga niset z. Gumeni për të argumentuar qëndrimin e tij është besimi i tij i sinqertë se “qysh nga lashtësia, urdhërimet e religjionit e kanë bërë njeriun me mendje më të kthjellët e me shpirt më të ndritur dhe nuk kanë bërë të kundërtën”. Por, jo të gjithë mendojnë kështu, dhe unë bëj pjesë në këta të fundit. Prandaj, mendoj se krahas njohurive të përgjithshme mbi historinë e feve të mëdha, nxënësve tanë u duhet thënë edhe një e vërtetë tjetër, të cilën, ndoshta, më mirë se kushdo, e ka shprehur Bertrand Russell, kur thotë: “Çdo progres i vogël në ndjenjat njerëzore, çdo përmirësim në legjislacion, çdo hap drejt kufizimit të luftës, çdo hap drejt një trajtimi më të mirë të racave me ngjyrë…çdo progres moral që është realizuar kudo në botë, është kundërshtuar vazhdimisht nga kisha…Unë e them fare hapur se feja e krishterë, e organizuar në kishat e saj, ka qenë dhe mbetet armiku kryesor i progresit moral të njerëzimit”.

Nxënësit duhet të mësojnë, gjithashtu, se shumë nga krimet më të mëdha të njerëzimit janë bërë në emër të fesë, dhe se feja, për një kohë të gjatë, i ka mbajtur e vazhdon t’i mbajë masa të mëdha njerëzish në padije e të nënshtruar ndaj vullnetit të njerëzve në pushtet. Të mos harrojmë ç’ka thënë Volteri: “Ata që ju bëjnë të besoni absurditete, mund t’ju bëjnë të kryeni edhe krime”. Shembujt e mëposhtëm, ndër qindra e mijëra të tjerë, do të mjaftonin për të ilustruar idenë e këtij iluministi të shquar.

Burimet historike njoftojnë se rreth 300,000 njerëz janë dënuar e burgosur nga Inkuizicioni dhe rreth 6,000 prej tyre janë ekzekutuar. Për afro 12 shekuj xhihadistët islamikë kanë marrë jetën e miliona njerëzve në emër të fesë së tyre. Anëtarë të kultit fetar Thagi në Indi, origjina e të cilit daton në shekullin e 14-të, mendohet se kanë marrë jetën e 2 milionë njerëzve të thjeshtë. Në emër të fesë së tyre, budistët në Burma, për një kohë të gjatë kanë sakrifikuar mijëra jetë njerëzish, derisa ceremonitë e flijimit në atë vend u ndaluan me ligj. Sidoqoftë, edhe sot e kësaj dite, sektarizmi fetar në këtë vend (dhe në shumë vende të tjera) mbetet një problem i madh. Në vitin 2012, grupe sektare budiste në Burma vranë mbi 200 myslimanë dhe dogjën mijëra shtëpi. Por, krimet në emër të fesë, ose të motivuara nga besime fetare, nuk kanë ndodhur e nuk ndodhin vetëm në vendet në zhvillim. Në vitin 1978, në Shtetet e Bashkuara, mbi 900 njerëz, anëtarë të një sekti fetar brenda Kishës së Krishterë, i njohur me emrin “Peoples Temple”, përfshirë edhe 276 fëmijë, u helmuan në një akt kolektiv vetëvrasës, pikërisht për shkak të besimeve të tyre fetare. Në vitin 1995, një sekt fetar, i njohur me emrin “Aum Shinrikyo” dhe i konsideruar si një “fe e rrezikshme” në Japoni, shkaktoi vdekjen e dhjetëra qytetarëve japonezë në metronë e Tokios duke përdorur gazin Sarin.

Pa shkuar më larg, edhe vetëm këta dy shembuj të fundit dëshmojnë se njerëz që kryejnë krime të tilla janë mbrujtur me besime fetare që janë të rrezikshme për shoqërinë. Irracionalizmi dhe vulnerabiliteti ndaj ideve e besimeve të caktuara mbi universin, individin dhe shoqërinë mund të çojnë në veprime sektare e të dhunshme. A duhen përfshirë besime të tilla (“arkaike” e “moderne”) në kurrikulat e shkollave tona publike, në mënyrë që ato “të njihen e të kuptohen” nga nxënësit tanë, siç sugjeron z. Shehu?!

Disa ditë më parë, me dëshpërim konstatova se një grup nxënësish maturantë, nga më të mirët e shkollave tona të mesme, nuk dinin datën në të cilën Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste, as datën në të cilën Shqipëria u shpall Republikë, nuk kishin dëgjuar ndonjëherë për Gëten, Kantin apo Hegelin, për Marksin apo Weberin, as kishin lexuar ndonjë vepër të Dostojevskit apo të Heminguejit. Ky handikap i jashtëzakonshëm në formimin e tyre kulturor duket se nuk na shqetëson, ndërkohë që shqetësohemi kaq shumë për mungesën te fëmijët dhe të rinjtë tanë të njohurive mbi historinë e fesë.

Në një shtet sekularist! Në shekullin e 21-të!

Pikërisht sot, më shumë se kurrë, ne duhet të kërkojmë këshillë nga Bertrand Russelli, njëri prej mendjeve më të shquara, më të hapura e më të lira të shekullit që lamë pas. Russelli thoshte: “Dija përmes së cilës mund të sigurohet lumturia e përgjithshme ekziston; pengesa kryesore për përdorimin e saj në arritjen e këtij qëllimi është mësimi i fesë. Feja nuk i lejon fëmijët tanë që të marrin një arsim racional; feja nuk na lejon që t’i evitojmë shkaqet kryesore të luftës; feja nuk na lejon që të mësojmë etikën e bashkëpunimit shkencor në vend të doktrinave të vjetra e të dhunshme të mëkatit e të ndëshkimit. Ndoshta njerëzimi ka arritur sot në kufijtë e një epoke të artë dhe, nëse është kështu, do të jetë e domosdoshme që, së pari, të heqim qafe dragoin që ruan portën, dhe ky dragua është feja”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button