Siguria rrugore, vijon fushata e policisë; rreth 2 mijë masa disiplinore
Strukturat e Policisë së Shtetit po vijojnë fushatën sensibilizuese me qëllim ndërgjegjësimin e drejtuesve të automjeteve për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor.
Kështu, në kuadër të këtij angazhimi ka vijuar shpërndarja e rreth 50 mijë fletëpalosjeve, përmes të cilave udhëtarët njihen me pikat e kalimit kufitar, vendndodhjen e porteve dhe akset rrugore kombëtare.
Këtë të enjte fushata në fjalë po zhvillohet në portin e Durrësit dhe në akset rrugore të këtij qarku, thuhet në një komunikatë për shtyp, ku mes të tjerash bëhet e ditur se paralelisht po aplikohen edhe masa ndëshkimore.
Kështu, gjatë 24 orëve të fundit janë vendosur gjithësej rreth 2 mijë masa administrative. Janë arrestuar në flagrancë 8 drejtues mjetesh, 4 prej të cilëve të papajisur me leje drejtimi dhe 4 të tjerët në gjendje të dehur.
Gjithashtu janë pezulluar 38 leje drejtimi, nga të cilat 8 për konsumim të pijeve alkoolike, 23 për tejkalim shpejtësie dhe 7 për shkelje të semaforit.
Ndërkohë, 507 masa administrative janë vendosur për mos vendosjen e rripit të sigurisë dhe përdorimit të celularit, 144 për mos vendosjen e kaskës mbrojtëse dhe 213 të tjera për tejkalim shpejtësie dh eparakalim të gabuar. Gjithashtu janë ndaluar 48 drejtues mjetesh.