Sulltan Abdulhamiti i dytë me 1.429 prona në Shqipëri dhe Maqedoni
Abdulhamiti i dytë ka 4.280 prona në vendet e Ballkanit, nga këto 220.023 dynym tokë ende është në emrin e tij. 560.231 dynym i ka kaluar thesarit të shtetit, ndërsa 1.328 dynym tokë i kanë kaluar personave të ndryshëm.
Dokumentet e pronave të patundshme të Sulltan Abdulhamitit të dytë të viteve 1869-1908, të cilat janë në vende të ndryshme, si në vendet e Ballkanit, Lindjes së Mesme, Anadollit dhe Trakya-s, ruhen në arkivat e Drejtorisë së Kadastrës së Turqisë. Në arkiv ka 7.756 dokumente për prona të patundshme të riregjistruara, raporton Anadolu Agency (AA).
Pasardhësit e Abdulhamitit të dytë herë pas here dalin në pah me gjyqet e hapura për të rimarrë pronat e gjyshit të tyre, ndërkohë detajet e këtyre pronave gjenden në Drejtorinë e Përgjithshme të Kadastrës dhe Tapive e cila është nën varësinë e Ministrisë së Mjedisit dhe Administrimit të Qyteteve të Turqisë.
Në një deklaratë për AA, drejtori i Arkivave, Zeynel Abidin Türkoğlu tha se në emër të Abdulhamitit të dytë në këtë qendër arkivore gjenden 3 regjistra për tapitë e pronave.
“Në 3 regjistrat që disponojmë të Abdulhamitit të dytë dhe që i përkasin viteve 1869-1908, janë të shkruara 7.756 prona të paluajtshme aktive dhe pasive, të cilat janë në vende të ndryshme, si në vendet e Ballkanit, Trakya-s, Lindjes së Mesme dhe Anadollit. Në këto regjistra ka dokumente për toka, vreshta, kopshte, kullota, çifligje, konakë, hane, mullinj, miniera, ullishta, kafene dhe dyqane”, tha ai në fjalën e tij.
Duke theksuar se disa prona të paluajtshme pas vdekjes së Abdulhamitit të dytë i kanë kaluar shtetit, Trükoğlu më pas tha se numri i tyre nuk dihet pasi nuk janë përcaktuar numrat në lidhje me çifligjet dhe godinat që disponon.
Abdulhamiti i dytë me 1.429 prona në Shqipëri dhe Maqedoni
Türkoğlu në vijim tha se Abdulhamiti i dytë disponon 4.280 prona të paluajtshme në vendet e Ballkanit, nga të cilat, 2.843 në Greqi, 1.424 në Shqipëri, 8 në Bullgari dhe 5 në Maqedoni. Nga këto 220.023 dynym tokë ende është në emrin e tij. 560.231 dynym i ka kaluar thesarit të shtetit, ndërsa 1.328 dynym tokë i kanë kaluar personave të ndryshëm.
Në vijim Türkoğlu thotë se Abdulhamiti i dytë ka të regjistruara 2.369 prona në Turqi. Ai ka theksuar se këto prona janë në qytete të ndryshme të Turqisë. Türkoğlu ka thënë gjithashtu se 391.573 dynym nga këto prona i ka kaluar thesarit të shtetit, ndërsa 8.627 dynym të tjera kanë kaluar mbi persona të ndryshëm.
Në vendet e Lindjes së Mesme 1.107 prona
Drejtori i Arkivave, Türkoğlu thotë se Abdulhamti i dytë ka të regjistruara 1.107 prona në të gjithë Lindjen e Mesme. Ai ka thënë se sipas regjistrimeve Abdulhamiti i dytë disponon 390 prona në Siri, 333 në Liban, 223 në Palestinë, 83 në Irak, 60 në Arabinë Saudite, 10 në Izrael dhe 8 në Libi. “Nga këto regjistrime 3.482.106 dynym ende janë të riregjistruara me emrin e tij, 1.528.395 dynym i kanë kaluar thesarit të shtetit, ndërsa 7.178 dynym i kanë kaluar personave të ndryshëm”, tha ai.
Türkoğlu, në fjalën e tij ka thënë gjithashtu se këto dokumente ruhen me seriozitet dhe në kushte shumë të mira ashtu sikurse dokumentet e tjera historike.
Trashëgimtarët nuk kanë kërkuar
Duke theksuar se një pjesë e pronave të Abdulhamitit të dytë pas viteve 1908 i kanë kaluar thesarit të shtetit, Türkoğlu është shprehur: “Nuk kemi informacion për gjendjen aktuale të pronave të tij jashtë vendit. Normalisht kjo është një temë që i intereson ligjeve ndërkombëtare. Ne punojmë vetëm për të ruajtur këto dokumente dhe servirim ato për të interesuarit. Asnjë trashëgimtarë i Abdulhamitit të dytë nuk ka telefonuar ose kërkuar deri më tani.”