Bota

Panama, vdes në moshën 83-vjeçare ish-diktatori Manuel Noriega

Gjenerali Manuel Antonio Noriega, ish-lider ushtarak i Panamasë ka vdekur në moshën 83-vjeçare.

Kohët e fundit, Noriega i ishte nënshtruar disa operacioneve, pasi kishte pësuar hemorragji në tru.

Ai ka qenë një aleat kyç i SHBA-së, por u lëviz nga posti kur trupat amerikane pushtuan vendin në vitin 1989 dhe më pas u burgos në Amerikë nën akuzat e trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.

Gjenerali e kaloi pjesën e mbetur të jetës në burg, më vonë në Panama, ku u shpall fajtor për vrasje, korrupsion dhe përvetësim. Por ish-lideri u lirua në janar për t’u përgatitur për operacionin për heqjen e një tumori në tru, që u krye në fillim të marsit.

Noriega më pas kreu ndërhyrje të tjera kirurgjike për shkak të hemorragjisë, por ndërroi jetë dje në spital.

President dhe diktator i Panamasë, në vitet mes 1983 dhe 1989, Noriega, i ashtuquajturi ‘Fytyrë ananasi”, për shkak të shenjave në fytyrën e tij, ishte në fillim aleat i SHBA-ve, falë të cilit u ngjit në pushtet. Gjatë viteve ’80, diktatori humbi mbështetjen e Uashingtonit edhe për shkelje të të drejtave të njeriut dhe për rolin kryesor të narkotrafikut, që e pa të bashkëpunojë me trafikantë si Pablo Eskobar.

Në vitin 1989, SHBA-të pushtuan Panamanë me 27 mijë ushtarë dhe larguan Noriegën, që u dërgua në Amerikë me 8 akuza të rënda, mes të cilave, trafiku i drogës dhe pastrimi i parave. I dënuar me 40 vjet burg në 1992, në 1999 iu reduktua dënimi me 30 vjet, ku në 2007-ën u lirua dhe u ekstradua në Francë dhe në 2011-ën u kthye në Panama, ku u fut sërish në burg për të shlyer një dënim për vrasje.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button