Rajoni

Ish-gjenerali President dhe Bullgaria e nervozuar

Kandidati i majtë i opozitës, Rumen Radew fitoi zgjedhjet presidenciale në Bullgari. Kryeministri Boiko Borissov ofroi dorëheqjen. Bullgaria po merr kurs drejt protestave dhe destabilitetit, komenton Alexander Andreev.

Një destabilizim i ri në një kufi të brishtë mes Turqisë dhe Europës së tronditur nga krizat – këtu të çon zgjedhja e ish-gjeneralit Rumen Radew si president i ri i Bullgarisë. Kjo jo vetëm sepse ai është mik i Rusisë, por sepse ky vend në muajt e ardhshëm praktikisht do të jetë pa qeveri. Problemi qëndron më shumë se me zgjedhjen e tij, vjen një president pa përvojë, i orientuar nga nacionalizmi, i cili deri më tani nuk ka lënë ndonjë përshtypje të madhe politikisht.

Qeveria e pakicës e kryeministrit, Boiko Borissov, partia e të cilit GERB, është pjesë e Partisë Popullore Europiane do të japë dorëheqjen shpejt, sepse kandidatja e tyre, Zezka Zatsheva u mund me diferencë të dukshme në zgjedhje. Borissov kishte përmendur që më parë, se do të jepte dorëheqjen, nëse nuk fitonte Zatsheva, e me këtë ai donte të mobilizonte votuesit, por këto truke nuk arritën të kompesonin dot mungesën e popullaritetit dhe ideve të Zatshevës.

Cilin kurs do të ndjekë presidenti i ri?

Ekspertët perëndimorë kanë thënë që më parë, se nëse zgjidhet Rumen Radew, ai ka për të ndjekur një politikë proruse. Kjo përshtypje është krijuar, pasi ish-gjenerali është kandidat i partisë socialiste, tradicionalisht proruse, dhe sepse ai praktikisht e ka njohur aneksimin e Krimesë. Deklaratat naive të ish-gjeneralit për përkatësinë e Krimesë tek Rusia dhe nevojën e heqjes së sanksioneve mund të shpjegohen vetëm me mungesën e përvojës politike. Ata që e njohin mirë, pretendojnë se Radew, dikur gjeneral i NATO-s, i shkolluar në SHBA dhe që flet mirë anglisht, gjermanisht dhe rusisht nuk ka asnjë plan për të ndërruar kursin e Bullgarisë, vend anëtar i NATO-s.

Radew – nacionalist i bindur

Rreziku që vjen prej Radewit është një tjetër: Ashtu si shumica e oficerëve bullgarë, ai është një nacionalist i bindur, i cili dukshëm i ka për zemër paragjykimet tradicionale bullgare kundrejt partnerit të NATO-s dhe fqinjit më të madh, Turqisë. Kësaj i shtohet gjendja si para një histerie masive brenda popullsisë bullgare për shkak të rrezikut të refugjatëve që vijnë nga Turqia. Frika se Erdogani “mund të hapë portat” dhe do të përmbytë Bullgarinë me arabë dhe myslimanë (të padëshiruar nga bullgarët). Ultranacionalistët që kanë zhvilluar një fushatë të frikshme kundër të huajve dhe mjaft agresive, nuk fituan më kot 17% të votave në raundin e parë të zgjedhjeve.

Në këtë kohë Radew ishte personi i duhur për shumicën e votuesve: Një ish-gjeneral me dorë të fortë, që i mbyll kufijtë dhe i tregon vendin Turqisë në rast nevoje. Megjithëse presidenti bullgar ka pak influencë në politikë, ai do të ndjekë më shumë gjurmët e Viktor Orbanit dhe Kaczynskit dhe do ta ofrojë vendin me shtetet e Vishegradit. Sidomos kjo në një kohë pa qeveri.

Rreziqet e Bullgarisë pa qeveri

Do të kalojnë disa muaj, derisa të zhvillohen zgjedhje të parakohshme parlamentare, kjo për shkak se presidenti në largim, Rossen Plewneliew -sipas kushtetutës-nuk mund të shpallë më zgjedhje të parakohshme. Deri atëherë vendi i nervozuar nuk do të ketë qeveri të stabilizuar. Kujtojmë se jemi në muajt e dimrit, kur rriten faturat e rrymës elektrike dhe ngrohjes, që shpesh i nxjerrin bullgarët në rrugë. Ndoshta kemi këtu edhe një plan cinik të Borissovit: Disa muaj pasigurie për votuesit, me qëllim që ai të kthehet si shpëtimtari. Një plan me rrezik, nëse do të ishte i tillë: Sepse përzierja e frikës, pasigurisë, armiqësisë ndaj të huajve, varfërisë, dhe ndjesisë, se Europa i ka harruar bullgarët është lëndë shpërthyese në një kufi mjaft brishtë mes Turqisë dhe pjesës tjetër të Europës së tronditur nga krizat.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button