Europa

Karnavalet 2015: Liri mendimi e reduktuar

Karnavalet jetojnë prej provokimit dhe humorit e satirës ndaj më të fuqishmëve dhe reagimit për ngjarjet aktuale. Megjithatë për paradat e kësaj të hëne duket e se vlejnë rregulla të veçanta.

Presidenti amerikan Obama si një rosë ngordhalaqe. Presidenti rus Vladimir Putin veshur si ari mbyll rubinetin e naftës dhe ministrja gjermane e Mbrojtjes mbi një arsenal armësh të papërdorshme. Këto janë vetëm disa nga motivet e makinave të paradave të karnavaleve në Gjermani. Në qendrat e karnavaleve, Këln, Majnc dhe Dyseldorf priten deri në tre milionë vetë nga brenda dhe jashtë vendit, që do të ndjekin parakalimin e karnavalistëve.

“Ne kemi një përgjegjësi të veçantë për mysafirët”, thotë Christoph Kuckelkorn, i cili kryeson paradën e Këlnit, që është parada më e madhe e karnavaleve në Gjermani. Për shkak të shqetësimit për sigurinë e vizitorëve Kuckelkorn dhe Komiteti i Karnavaleve të Këlnit vendosën që makina, e cila qe parashikuar të zbukurohej me motive rreth temës islamizmi dhe terrorizmi të mos marrë pjesë në paradë. Ekstremistët mund ta përdornin këtë si shkak për ndonjë sulm. Nga skica merret vesh se motivi i kësaj makine, që lidhej me sulmin brutal ndaj revistës satirike “Charlie Hebdo”, do të ishte një klloun që fut një laps në armën e një terroristi dhe e bën atë të papërdorshme.

Shmangie e provokimeve të panevojshme

Tërheqja nga parada e makinës me këtë motiv ndezi në mbarë vendin reagime të forta. Politikanë, drejtues të kishave, ekspertë të etikës dhe të moralit dhe shumë qytetarë ishin të mendimit: “Kush i shmaget terrorit, ka humbur. Liria e shprehjes së mendimit është pjesë e karnavaleve.” Me këtë janë dakord shumë shoqata karnavalistësh në Gjermani, por ata theksojnë se e drejta e lirisë së shprehjes në karnavale ka kufizime, kur është fjala për sigurinë. Prandaj provokimet rreth terrorizmit dhe ekstremizmit duhet të shmangen.

Temat e fesë, terrorizmit dhe islamizmit nuk duhet të përfshihen në karnavale, thotë Hans Weidemann, zv.kryetar i Shoqatës së Klubeve të Karnavaleve në Baden-Pfalc. Ngjashëm mendon edhe Roland Wehrle, president i Shoqatës së Karnavalistëve Shvabo-Alemanas.

Kështu mendojnë dhe shumë shoqata të tjera karnavalistësh. Kërcënimi i tanishëm nga ekstremistët ka bërë që shumë karnavalistë të jenë të tërhequr sa u përket kritikave dhe shumë të forta dhe pamjeve provokuese.

Megjithatë liria e shpehjes do të jetë pjesë e motiveve të makinave në disa parada me rastin e karnavale. Në Menden p.sh. në paradën e karnavaleve do të ketë edhe një makinë të zbukuruar me 20 lapsa gjigantë me ngjyra, në shenjë solidariteti me Charlie Hebdo, në mbështetje të lirisë së shtypit dhe si shenjë dënimi për sulmet e Parisit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button