Politika

Socialdemokratët gjermanë sigurojnë Metën: Integrimi i Shqipërisë, rëndësi strategjike për BE

Gjatë qëndrimit të tij në Berlin, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta u prit nga Kryetari i Komisionit te Çështjeve te Jashtme te SPD dhe njëkohësisht Zëdhënës i Politikës së Jashtme të Grupit Parlamentar të SPD, Niels Annen.

Gjatë takimit zyrtari gjerman siguroi Metën se integrimi i Shqipërisë në BE mbetet me rëndësi strategjike për Evropën.

Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Bundestagut dhe në veçanti për qëndrimin konstant të Partisë Social Demokrate (SPD) ndaj zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe integrimit të plotë të Shqipërisë, duke e cilësuar zgjerimin e BE drejt Ballkanit si kyç për forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon.

Në këtë drejtim, Meta vuri në dukje se “Procesi i Berlinit, ku Gjermania luan një rol parësor, është tepër i rëndësishëm për vendet tona, duke i shërbyer ndërlidhjes  rajonale dhe zhvillimit socio-ekonomik”.

Kryetari i Komisionit të Jashtëm në Bundestag, Annen u shpreh se pavarësisht disa zhvillimeve shqetësuese në disa vende evropiane, zgjerimi i Bashkimit Evropian është  një opsion i hapur dhe i drejtë, ndaj avancimi përmes rrugëtimit realist të Ballkanit dhe veçanërisht i Shqipërisë drejt BE-së ka një rëndësi strategjike për gjithë Evropën.

“Ne këtu në Bundestag i kushtojmë vëmendje rajonit tuaj dhe jemi të përkushtuar ndaj  perspektivës evropiane të Shqipërisë”, – u shpreh Annen.

Meta dhe Annen ndanë bindjen më tej se frustrimi social gjithnjë e në rritje krijon hapësira për alternativa populiste, të cilat rrezikojnë projektin evropian dhe vlerat social- demokratike, që Shqipëria ndan me Gjermaninë, ndaj përqendrimi te zgjidhjet e qëndrueshme sociale dhe ekonomike për qytetarët dhe veçanërisht për të rinjtë në vendet e Evropës Juglindore duhet konsideruar si një prioritet i përbashkët për të cilin  duhet intensifikuar bashkëpunimi.

Në këtë drejtim, duke biseduar mbi zhvillimet e fundit rajonale, u vlerësua asistenca gjermane në avancimin e reformave kyçe dhe në zhvillimin socio-ekonomik të rajonit  tonë dhe u theksua rëndësia e zbatimit të reformës në drejtësi si kyçe për integrimin  evropian të Shqipërisë.

Gjithashtu, gjatë vizitës në Berlin, Kryetari i Kuvendit u prit në takim edhe nga Zv. Presidentja e Bundestagut, Ulla Schmidt, me të cilën u vlerësuan marrëdhëniet historike, ekonomike e kulturore me Shqipërinë.

meta13

Schmidt shprehu edhe një herë mbështetjen e Gjermanisë për zhvillimin social dhe ekonomik të Shqipërisë ndërsa dy bashkëbiseduesit ndanë bindjen se perspektiva evropiane e Ballkanit duhet të avancojë dhe se Gjermania ka një rol kyç në këtë proces.

Meta theksoi se roli Bundestagut është shumë i rëndësishëm për integrimin evropian  të Shqipërisë.

“Dua të shpreh mirënjohje tonë për mbështetjen gjermane ndaj Shqipërisë. Jemi të vendosur të punojmë për më tepër të drejta sociale dhe të rrisim nivelin e jetesës së shqiptarëve. Vlerësojmë ekspertizën gjermane për një arsim profesional për të rinjtë”, – tha ndër të tjera Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta gjatë takimit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button