Kronika

Masat anti-terror, Tahiri: Nuk ka rrezik të shtuar

Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri është thirrur të hënën në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, pranë kryesisë së Kuvendit, për të sqaruar masat e marra nga Policia e Shtetit në kuadër të rrezikut të akteve terroriste në vendin tonë.

Kreu i Komisionit të Sigurisë tha se mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak se tema prek çështje që lidhen me sigurinë dhe kjo në respekt të një kërkese të bërë nga Ministria e Brendshme. “Gjatë punimeve të Komisionit u diskutuan ato pika, që Ministri diskutoi dhe me Presidentin gjatë  mbledhjes së Këshillit të Sigurisë. Kjo do të thotë se temat janë të një rëndësie të veçantë, prandaj dhe Komisioni u zhvillua me dyer të mbyllura për mediat”, tha Braho.

Në fund të punimeve, Ministri Tahiri u shpreh se “Shqipëria nuk është vend imun ndaj sulmeve terroriste, por nuk ka nevojë për panik”. “Nuk ka nevojë për t’u shqetësuar. Shqipëria nuk është imun, por ne kemi marrë masat e nevojshme. Kemi rritur prezencën e Policisë. Të dhënat nuk flasin për panik”, vijoi Tahiri.

Ai tha se bashkëpunimi me partnerët është i nivelit të lartë. “Kemi marrë masa parandaluese dhe kjo në bashkëpunim edhe me partnerët tanë. Jemi duke u përpjekur për të gjetur balancat e duhura. Me urdhërin e Këshillit të Ministrave dhe MB janë shtuar kontrollet dhe monitorimet në të gjitha institucionet. Kemi të njëjtat masa si vendet e Aleancës së NATO-s”, tha Ministri i Brendshëm.
Frika nga aktet e mundshme terroriste në vendin tonë janë rritur për shkak dhe të ngjarjeve që ndodhën në Francë një javë më parë, ku pas një sulmi terrorist nga ISIS (shteti Islamik), në Paris, mbetën të vrarë mbi 122 persona dhe të plagosur 380 të tjerë.

Kjo ngjarje ngriti nivelin e alarmit në Europë dhe gjithashtu edhe në Shqipëri. “Shqipëria është pjesë e NATO-s, e si e tillë është e rrezikuar njëlloj si vendet e tjera të Aleancës, por ne kemi marrë të gjitha masat lidhur me këtë. Qasja jonë kundër terrorizmit është e njëjtë si ajo e vendeve të NATO-s”, tha Kryeministri Edi Rama të dielën në përfundim të takimit me Kreun e Këshillit Europës, Donald Tusk, të zhvilluar në Tiranë

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button