Kosova

Mitrovica, përballje me kërkesat e serbëve për ndryshim të kufrit veri-jug

Të shqetësuar nga pretendimet e fundit të drejtuesve të komunës së re në veri të Mitrovicës, për të futur nën administrim të kësaj komune tërë hapësirën përgjatë pjesës veriore të lumit Ibër, e banuar kryesisht me shqiptarë, banorët e lagjeve dhe fshatrave veriore: Lagja e Doktorëve, Kroi i Vitakut, Shtatë Shtatori, Suhadoll, Vidimriq, Gushafc dhe Vinarc, janë tubuar dhe kanë kërkuar që aty të shkojë kryetari i komunës jugore, Agim Bahtiri, për t’i njoftuar më detajisht për këtë çështje.

Kryetari Bahtiri është përgjigjur në ftesën e banorëve dhe ka zhvilluar takimin me mbi 100 qytetarë që ishin tubuar aty për t’i njoftuar me kërkesat më të reja të drejtuesve serbë të komunës së re në veri të lumit Ibër dhe për të dëgjuar vërejtjet, sugjerimet, propozimet dhe kërkesat e tyre.

“E kuptoj plotësisht shqetësimin tuaj, sepse edhe vet jam i shqetësuar dhe i brengosur për zhvillimet lidhur me definimin e kufijve administrativë ndërmjet komunës që unë e drejtoj e ju jeni banorë të saj dhe komunës së re, të formuar në veri të lumit Ibër, ku serbët, pas ndryshimit me dhunë të realitetit atje, janë shumicë dhe drejtohet nga ata”, ju tha banorëve shqiptarë të tubuar kryetari Bahtiri .

Ai na vazhdim tha konkretisht se serbët po kërkojnë që kufijtë administrativë midis dy komunave, të përcaktuar më parë sipas Paketës Ahtisaari, që e kishin pranuar më parë, tani të ndryshojnë duke i bashkëngjitur komunës së re veriore pjesë të tjera të lagjeve dhe fshatrave përgjatë lumit Ibër, të banuara kryesisht nga shqiptarët.

“Ua kam bërë të qartë serbëve, drejtuesve më të lartë të vendit dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë se Paketa Ahtisaari në asnjë mënyrë nuk duhet të ndryshojë dhe se një gjë e tillë është e papranueshme për mua si kryetar, por para së gjithash për vet qytetarët e këtyre hapësirave. Nëse, ndokush është i pakënaqur me Paketën Ahtisaari, kur është fjala për pjesën lidhur me Mitrovicën, atëherë shqiptarët janë ata që duhet të jenë më të pakënaqurit, sepse janë dëmtuar shumë, pasi që në një hapësirë, që tani i takon komunës së re në veri të qytetit, të drejtuar nga serbët, ku para lufte kanë qenë shumicë, tani janë pakicë”, është shprehur kryetari Bahtiri.

Sipas tij, nëse hapet kjo çështje, atëherë lagja Kroi i Vitakut, e banuar me shqiptarë dhe të gjitha tokat e shqiptarëve përreth saj, duhet t’i bashkëngjiten komunës legjitime të tyre, nga e cila janë ndarë padrejtësisht dhe pa i pyetur fare.

Të gjithë diskutuesit, përfaqësuesit e lagjeve, pasi folën për të gjitha të këqijat që atyre ua kanë sjellë serbët, para, gjatë dhe pas lufte, duke përmendur qindra të vrarë e të plagosur, mbi 12.000 të dëbuar me dhunë nga pronat e tyre etj, thanë se kurrë nuk do të pranojnë që të jenë banorë të komunës së re në veri të qytetit.

Ata e përgëzuan kryetarin Bahtiri për qëndrimin e tij të drejtë lidhur me këtë çështje, duke i dhanë njëkohësisht mbështetje të plotë për të mbrojtur qëndrimin e tij e që është edhe i tyre, që në asnjë mënyrë dhe pa marrë parasysh presionet e ndryshme, ngado që ato vijnë, të mos pranojë ndryshimin e kufijve administrativë të përcaktuar më parë me Paketën Ahtisaari.

“Nëse ndokush tenton që pa pëlqimin e tonë dhe me dhunë të ndryshojë këta kufij, atëherë ne do të marrim të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur të drejtat dhe pronat tona dhe në asnjë mënyrë nuk do të bëhemi banorë të një komune që drejtohet nga serbët”, thanë ata, cituar në njoftimin e dërguar nga komuna jugore e Mitrovicës

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button