Te ndryshme

Vrasja me numrin 52 që u ka shtënë frikën pasanikëve të rinj të Londrës

Janë vdekjet e pazgjidhura që ia shkatërrojnë namin e imazhin publik Londrës. Vrasjet e killerit serial të grave, Xhek Rrjepësi (Jack the Ripper) deri më sot kanë mbetur akoma një mister. Dhe çfarë rruge do të kishte njohur romani kriminal anglez pa Londrën dhe papërshkueshmërinë që e rrethon punën e Scotland Yard-it, ku qindra të vdekur mbulohen me misteret që kanë sjellë këto vitet e fundit?

londerNjë listë makabër po qarkullon ndërkohë, e ajo duket kobndjellëse. 51 bankierë kanë vdekur tashmë në mbarë botën që nga marsi 2013, shumë prej tyre drejtorë, menaxherë të sferave të larta dhe investitorë kapitalesh kryen vetëvrasje, pati dhe shumë vrasje nga një largësi e afërt, aksidente dhe rrëzime avionësh, por edhe vdekje të papritura me shkaqe të panjohura vdekjeje. Një rast i fundit – me numër 52 – duket se ka ngjallur shumë debat, duke ngritur një sërë pyetjesh mbi një rrëzim nga dritarja me pasojat e saj tragjike.

Ky është sfondi i ngjarjes. Më 8 dhjetor, policët gjejnë në orën 17.00 në Marylebone, një distrikt të pasurish të botës së modës në Londër, kufomën e një burri 52-vjeçar. Ai u gjend i ngulur në njërën prej atyre hekurave të ballkonit prej metali, që hasen në shumë prej ndërtesave të vjetra londineze. Banorët janë të shokuar nga ajo që shohin, policët po ashtu, ata duhet ta presin rrjetën në vendin e krimit, për të mbuluar të vdekurin.

Një pasuri që dikur shkonte në 400 milionë paund

Bëhet fjalë për 52-vjeçarin Scot Young, jo pak i njohur në Londër. Ai kishte rënë 20 metra poshtë nga dritarja e apartamentit të tij në katin e katërt, një pronë e patundshme që kushton miliona paund. Me biznesin imobiliar, Scot Young, bëri edhe pasurinë e tij gjatë viteve ‘80 e ‘90, e dikur pasuria e tij arriti të vlerësohej në 400 milionë paund britanikë.

Mirëpo kjo ndodhi shumë kohë më parë dhe gjatë një beteje ligjore shtatëvjeçare me të shoqen, Michelle – më në fund në nëntor 2013, ata u ndanë – ai e përshkroi veten tashmë si një “të pasur të varfëruar”, aksionet e të cilit qysh nga shpërthimi i krizës financiare, humbën qartazi terren, e gati sa nuk e çuan atë në rrënim të plotë.

Në vitin 2009, një gazetë raportonte për herë të parë për rastin në fjalë, që edhe juristët më të zotë, i la pa fjalë kur panë veshjet e tij të brendshme të gjakosura e të shqyera ashtu në mes të ditës për diell.

Michelle Young pretendonte se ish-bashkëshorti i saj, kishte arritur të fshihte në të ashtuquajturit “oaze fiskale” me korrupsion e marifete, shuma të mëdha parash, në ishujt Karaibe, në Qipro, apo gjetkë. Young megjithatë pati mohuar ta kishte bërë një gjë të tillë, duke refuzuar në gjyq të jepte informacion e të dhëna mbi humbjet e tij në biznes.

Kështu, në janar 2013, ai u fut në burg për një periudhë gjashtëmujore. Atij mund t’i dëshmohej vetëm një pasuri prej 40 milionë paundësh, nga e cila gjysma duhej paguar ndaj bashkëshortes së tij tashmë të divorcuar.

Siç thuhet, Michelle Young dhe dy vajzat e saj, Scarlett dhe Sasha, deri më tani nuk kanë parë asnjë qindarkë prej kësaj shume.

Një veturë plot me veshje të shtrenjta 

Si vdiq Scot Young? Ishte vetëvrasje, ishte një eliminim i sajuar bukur nga mafia? A e qëlloi atë një i panjohur? Për të gjitha këto versione, ka arsye të mjaftueshme për debat. Ky njeri për një kohë të gjatë kishte qenë financier i oligarkëve rusë që popullojnë sot Londrën, kishte qenë ndërmjetës në blerjen e pallateve e vilave, makinave luksoze dhe pajisjeve të tjera luksoze të jetës të të pasurve dhe si pasojë, edhe vetë kishte mundur të pasurohej pa fre.

I ardhur nga një lagje sociale modeste nga Dundee në Skoci, ai ia dilte modestisht të kalonte ditën me paratë që fitonte, si gjithë të tjerët. Një prani po modeste si fillim në Oxfordshire, shtëpi në Florida dhe Francën Jugore, më pas një jaht në Monako – e të ardhurat po i shtoheshin si me magji në ruletën e jetës. Një herë ai i bleu ish-gruas së vet, një Range-Rover, e cila ishte e mbuluar deri në çati, me veshje të “Haute Couture”, më pas ai i dhuroi asaj për 40-vjetorin një zinxhir shumë të shtrenjtë në vlerë milionash.

Pak nga pak ai u bë një zhigolo i kapitalit fluturues, që i zhdukej gjithmonë për qime ndëshkimit ligjor, kur e ndiqnin zyrat e tatimeve apo departamentet e pastrimit të parave. Truste obskure administronin pasuri të stërmëdha në Rusi, Qipro, ishujt Karaibe, Monako apo dhe Lihtenshtejn. Por gjithnjë, kur ndokush i vihej për ta zbuluar këtë aktivitet, shumat zhvendoseshin nga objektivi i kërkimit drejt një vendi tjetër, nën emra firmash fantazmë.

Projekti “Moska” dështoi

Ndër miqtë e ngushtë të z. Young renditej edhe Boris Berezovski, i cili në vitin 2000 u arratis nga Putini, me të cilin më parë kishte pasur miqësi dhe i dërgoi pasuritë e tij në Britani për siguri. Bizneset misterioze ishin dhe ato që shënjuan këtë ndërmarrje, sikurse edhe projekti me emrin “Project Moscow”, me të cilin ai e bëri për vete edhe Scot Young: një kompleks hotelier dhe shopping-u me perspektivë shumë të mirë. Por projekti u la përgjysmë dhe humbjet e lindura nga ky hap, Young i dha gjithnjë si arsye kryesore të “varfërimit” të tij.

E këtu nuk është e qartë, nëse ai me të vërtetë humbi investimet e tij, apo ishte vetëm një akrobat, një artist financiar, që punonte me komision për njerëzit që punonin për të në fshehtësi, e te të cilët më pas ai e humbi edhe besimin. Miqtë e tij sot thonë se ai në vitet e fundit ishte bërë një shënjestër personale për shumëkënd, e që kishte krijuar shumë varësi nga droga e alkooli.

Dy herë u shtrua me detyrim në një qendër kurimi, e shumë herë u shtrua edhe vetë për trajtim në klinika për të kuruar depresionin.

Berezovski vari veten në janar 2013 në çifligun e tij luksoz në afërsi të Londrës, katër partnerë biznesi të Scot Young vdiqën ndërkaq në rrethana dramatike, duke u hedhur në shinat e metrosë, ose duke u hedhur nga çatia e një qendre tregtare.

“Aty sipër është një i çmendur”, thirri ish e fejuara 

Edhe për Young tashmë kulari ishte mbledhur fort. Një lidhje me 36-vjeçaren amerikane, Noella Reno, një ish-manekine dhe sipërmarrëse private, nuk ndikoi në stabilizimin e tij. Përkundrazi: fejesa me të shkaktoi plot telashe e zënka në rritje duke e prishur këtë lidhje.

Noella Reno para disa ditësh, tha se Young dhe ajo kishin pasur një sherr të ashpër një mbrëmje para vdekjes së tij, pas të cilës gruaja e përzuri të shoqin nga apartamenti që përgjysmë i përkiste dhe asaj; se ajo po planifikonte të përgatiste çelësa të rinj dhe se ndërsa i thoshte ta linte apartamentin, e kërcënonte se do thërriste policinë.

Në fakt: “Atje lart është një i çmendur”, tha ajo dhe shkoi te shtëpia e një mikeshe. Policët reaguan menjëherë – dhe gjetën trupin e vdekur të Young, të shqyer në mënyrë makabre mes hekurave të ballkonit.

Burri që operonte në limitet e legalitetit dhe të cilit sot i vishen akuza se mbante kontakte edhe me bandën kriminale me nam të “Adamit” nga Londra Veriore, vdiq në një mënyrë, ashtu sikurse edhe kishte jetuar: të pazbardhur. Asnjë shënim për vetëvrasje nuk gjeti dot policia – kjo është e vetmja gjë që Scotland Yard ka bërë të ditur. Padepërtueshmëria e Londrës u konfirmua edhe një herë tjetër.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button