Kronika

Universitetet, nesër mundësia e fundit për zgjedhjen e 10 preferencave

Nga Pranvera Kola

Maturantët dhe kandidatët që nuk plotësojnë deri në mbyllje të ditës së nesërme formularin online të 10 preferencave për studimet e larta, nuk do të kenë më shanse të tjera gjatë këtij viti për t’u regjistruar në ndonjë nga institucionet e arsimit të lartë, qofshin këto publike, apo private. Çka çon në djegien e studimeve të larta për një vit, deri në hapjen e garës së vitit të ardhshëm.

Me ndryshimet e zbatuara në procesin e pranimeve të 2016-ës, maturanti duhet të regjistrohet detyrimisht në portalin online të maturës, sipas kritereve dhe afateve të përcaktuara. Dita e nesërme shënon dhe afatin e fundit të aplikimit për pranimet e raundit të dytë, të përcaktuar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve.

Janë me dhjetëra mijëra vendet e lira të raportuara nga mbyllja e fazës së parë të regjistrimeve, kuota të cilat do të plotësohen me fituesit e formularit të dytë të preferencave. Pas shpalljes së listës së re paraprake të fituesve, përkatësisht në 6 tetor, do të zhvillohen procedurat e ankimit dhe më pas ato të regjistrimit për fituesit që do jenë pjesë e listës përfundimtare.

Për vendet e lira që mund të mbeten sërish nga mbyllja e regjistrimeve të raundit të dytë, nuk do të ketë më fazë të tretë aplikimesh. Sipas vendimit të marrë nga dikasteri i arsimit, këto vendet të lira do të plotësohen me spostimin e vijës së fituesve.

Kështu, për çdo degë sipas numrit të kuotave të mbetura bosh, do të spostohet vija e fituesve të hequr në raundin e dytë, duke përfshirë kështu në listën e fituesve të aq kandidatë sa është edhe numri i kuotave të lira. Procedura e regjistrimit të këtyre fituesve që janë shtesë e raundit të dytë pritet të përfundojë para çeljes së vitit të ri akademik, i planifikuar për në datën 20 tetor.

Afatet për shpalljen e fituesve të raundit të dytë

Sipas afateve të vendosura në udhëzim, Agjencia Kombëtare e Provimeve duhet të depozitojë pranë universiteteve publike dhe private në format elektronik, brenda datës 4 tetor, për çdo program studimi të ofruar për vitin e ri akademik, listën zyrtare të kandidateve që kanë përzgjedhur këto programe.

Këtyre të dhënave i bashkohen edhe informacionet e detajuara, sa i takon mesatares së shkollës së mesme, rezultateve të provimeve të maturës, si dhe treguesve të tjerë të vlerësimit që nevojiten për shpalljen e fituesve të rinj. Universitetet do të kryejë vetë procesin e përzgjedhjes së kandidateve fitues në bazë të kritereve të përcaktuara nga ana e tyre.

Lista paraprake e fituesve duhet të shpallet në 6 tetor, ndërkohë që përgjatë tre ditëve në vijim pas kësaj date, çdo kandidat ka të drejtë të kërkojë shpjegime nga universitete se pse nuk është përzgjedhur në preferencat e listuara prej tij në formularin e aplikimit të raundit të dytë. Pas verifikimit të të gjitha ankesave, universitetet duhet të shpallin listën përfundimtare të fituesve, në datën 12 tetor. Një ditë më pas do të nisë edhe procesi i regjistrimit për të gjithë kandidatët e shpallur fitues.

Dosja e dokumenteve të kërkuara për fituesit duhet të përfshijë:

Dokumentin e identifikimit (kartë identiteti ose pasaportë). Në dosje mbahet vetëm fotokopja e një prej dokumenteve të identifikimit

Fotokopje të noterizuar të Diplomës së Maturës Shtetërore, ose Dëftesës së Pjekurisë, së bashku me certifikatën e notave, ose të një titulli tjetër të fituar jashtë vendit dhe të njësuar nga MAS sipas procedurave përkatëse.

Deklaratën e paraqitur me shkrim në të cilin marrin përsipër përgjegjësinë mbi të dhënat e deklaruara, teksa do të firmosin se nuk po ndjekin asnjë program tjetër studimi paralelisht, as në privat e as në institucionet e tjera publike të arsimit të lartë.

Pjesë e dosjes së dokumenteve duhet të jenë edhe dy fotografi personale.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button