Kosova

Rreziku nga “ujqërit e vetmuar”

Autoritetet në Kosovë thonë se individë të radikalizuar paraqesin kërcënimin më të madh për sigurinë në vend, pasi janë ndarë nga grupe të caktuara që janë angazhuar në, siç thonë, propagandimin e ‘luftës së shenjtë’.

Përfaqësues të mekanizmave të sigurisë thonë se numri i individëve që janë cilësuar si “ujqër të vetmuar” është i panjohur dhe jo domosdoshmërisht ata janë njerëz që kanë marrë pjesë në luftimet në Lindjen e Mesme.

Kosova u cilësua si vendi me numrin më të madh të luftëtarëve të huaj në krahasim me numrin e përgjithshëm të banorëve në gjithë zonën e Evropës, me rreth 300 qytetarë të saj që në vitin 2012 iu bashkuan grupeve militante në Lindjen e Mesme.

Një numër prej afro 120 syresh, brenda pak vitesh, të dëshpëruar me përjetimet dhe trajtimin, u kthyen në vend, ndërkohë që afro 60 të tjerë u vranë në zonat e luftës.

Një zyrtar i Qeverisë së Kosovës i tha Radios Evropa e Lirë se individë të caktuar, të radikalizuar, kanë qenë pjesë e grupeve të caktuara për rekrutimin e të rinjve për luftërat në Lindjen e Mesme dhe një numër i tyre vazhdojnë të jenë aktivë në territorin e Kosovës.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, njëkohësisht koordinator nacional kundër terrorizmit, tha se ‘individë të caktuar mund të frymëzohen nga aktet e grupeve të ndryshme për të kryer vepra terroriste’.

“Ka edhe grupe edhe individë. Dhe kjo nuk është fshehtësi… [Nuk është se] vetëm grupet e organizuara mund të kryejnë akte terroriste. Nganjëherë mund të shërbejnë si frymëzim për disa individë, që në zhargonin e luftës kundër terrorizmit quhen ‘ujqër të vetmuar’ dhe në këtë kuptim ata mund t’i krijojnë bindjet e veta, duke parë aktet e grupeve të ndryshme dhe që mund t’i konsiderojnë si akte të drejta”, tha Hoxha.

Zëvendësministri Hoxha nuk foli për numrin e këtyre personave apo edhe të grupeve, por tha se ata konsiderohen të rrezikshëm po aq sa edhe vetë grupet e organizuara.

Në vitin 2014, autoritetet në Kosovë ndaluan mbi 60 qytetarë të vendit, në mesin e të cilëve edhe 12 imamë të xhamive gjithandej Kosovës, me dyshimin për përfshirje në, siç thuhet, ‘vepra terroriste dhe nxitje të urrejtjes ndërfetare’.

Ato thanë se kanë parandaluar veprimet ekstremiste brenda vendit, megjithëse njohës të çështjeve të sigurisë theksuan faktin se ideologjia ekstremiste nuk është ç’rrënjosur dhe ajo vazhdon të jetë kërcënimi më i madh për sigurinë e vendit.

Skënder Përteshi, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se Kosova nuk ka shënime të caktuara për numrin e individëve ose grupeve të caktuara me ideologji ekstremiste që ende veprojnë brenda territorit të saj.

“Duhet ta pranojmë se ka prezencë, ka prapë individë që propagandojnë, ka individë që i besojnë kësaj ideologjie [ekstremiste] në përgjithësi ende. Mirëpo, ajo çka sugjerohet në përgjithësi është që vazhdohet tutje me aktivitete të parandalimit. Të vazhdohet tutje me përfitimin e mendjes, jo njerëzve”, tha Perteshi.

Një numër i strategjive janë hartuar nga autoritetet e vendit për të ndaluar jo vetëm shkuarjen e të rinjve nga Kosova në zonat e luftës në Lindjen e Mesme por njëkohësisht edhe për të ndihmuar integrimin e në shoqëri të atyre që kanë qenë radikalizuar.

Në strategjitë e hartuara për ndryshimin e gjendjes së krijuar është përfshirë në veçanti Bashkësia Islame e Kosovës, imamë të së cilës në të kaluarën megjithatë kanë qenë të përfshirë në propagandimin e, siç është thënë, “ideologjisë ekstremiste”.

Një numër i objekteve fetare, që konsideroheshin si nxitëse të radikalizmit, u mbyllën nga autoritetet në Kosovë, pak vite më parë.

Në Kosovë aktualisht ekzistojnë rreth 750 xhami dhe mbi 200 syresh janë ndërtuar që nga përfundimi i luftës, thonë autoritetet në vend.

Bashkësia Islame e Kosovës e cilëson radikalizmin e dhunshëm një problem madhor për Kosovën.

Ahmet Sadriu, zëdhënës i Bashkësisë Islame të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se duhet kohë për ta ndryshuar gjendjen e krijuar.

“Ky është virus, po e them shumë thjeshtë. Kjo është sëmundje dhe virusi ka nevojë që të trajtohet dhe besoj se nuk zhduket kaq lehtë. Ky është konstatim edhe global, siç po e përcjellim ne, çka do të thotë se është përhapur një virus i tillë dhe merr pak kohë”, tha Sadriu.

Numri i qytetarëve të Kosovës të përfshirë në zonat e luftës në Lindjen e Mesme thuhet të ketë rënë, megjithëse zyrtarët e qeverisë kanë deklaruar së fundmi se ka përpjekje për shfrytëzim të rrugëve alternative përmes shteteve fqinje për t’iu bashkuar grupeve në këto zona.

Rënia e numrit të qytetarëve të Kosovës të përfshirë në luftime thuhet të jetë ndikuar nga veprimet e autoriteteve të vendit, posaçërisht pas miratimit në Kuvendin e Kosovës të një ligji me të cilin parashihen “dënime deri në 15 vjet heqje lirie për pjesëmarrje në luftëra të huaja”.

Megjithëkëtë, Policia e Kosovës thotë se në zonat e luftës ende ndodhen 38 gra dhe 27 fëmijë. (REL)

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button