10 mijë hapa në ditë, ideale për një formë të mirë fizike? Studimi i ri tregon të kundërtën
Për vite me radhë, numri prej 10 mijë hapash në ditë ishte vendosur pothuajse si “rregulli i artë” për shëndetin dhe formën fizike.
Megjithatë, një studim i ri shkencor po e vë në dyshim këtë bindje, duke sugjeruar se një objektiv më i ulët mund të jetë i mjaftueshëm, të paktën për ata që përpiqen të ruajnë peshën pas një diete.
Studimi u prezantua në Kongresin Evropian të Obezitetit që u mbajt këtë vit në Stamboll dhe u publikua gjithashtu në revistën shkencore International Journal of Environmental Research and Public Health.
Sipas studiuesve, rreth 8 mijë e 500 hapa në ditë duket se mjaftojnë për të ndihmuar njerëzit që kanë humbur peshë të shmangin rikthimin e kilogramëve.
Profesori Marvan El Goh shpjegoi se problemi më i madh në trajtimin e obezitetit nuk është domosdoshmërisht humbja fillestare e peshës, por ruajtja e saj në afat të gjatë.
Sipas tij, rreth 80% e personave me mbipeshë ose obezitet që humbasin kilogramë, përfundojnë duke rifituar një pjesë ose të gjithë peshën brenda tre deri në pesë viteve.
Studiues nga Italia dhe Libani analizuan të dhëna nga studime të mëparshme që përfshinin pothuajse 3 mijë e 800 persona.
8 mijë e 500 hapa u lidhën me ruajtjen e peshës
Studimi krahasoi 1 mijë e 987 persona që morën pjesë në programe për ndryshimin e stilit të jetesës me 1 mijë e 771 persona të grupit të kontrollit, të cilët ose mbanin dietë vetë, ose nuk ndiqnin ndonjë trajtim.
Programet përfshinin këshilla për rritjen e aktivitetit të përditshëm dhe regjistrimin e hapave.
Sipas rezultateve, pjesëmarrësit në këto programe e rritën numrin e hapave të tyre në rreth 8 mijë e 454 hapa në ditë deri në fund të fazës së humbjes së peshës, ndërsa njëkohësisht humbën një përqindje të konsiderueshme kilogramësh.
Në të kundërt, grupi i kontrollit nuk e rriti numrin e hapave dhe nuk tregoi humbje në peshë.
Analiza tregoi se ekzistonte një lidhje e qartë mes rritjes së numrit të hapave dhe shmangies së rikthimit të peshës gjatë fazës së mirëmbajtjes.
Megjithatë, shkencëtarët konstatuan se më shumë hapa nuk lidhen domosdoshmërisht me humbje më të madhe të kilogramëve gjatë fazës fillestare të dietës.
Shkencëtarët propozojnë një objektiv më realist
Profesori El Goh theksoi se njerëzit që përpiqen të humbasin peshë duhet të inkurajohen të arrijnë rreth 8 mijë e 500 hapa në ditë dhe, mbi të gjitha, ta ruajnë këtë nivel aktiviteti në afat të gjatë.
Siç u shpreh ai, bëhet fjalë për një “strategji të thjeshtë dhe me kosto të ulët”, e cila mund të ndihmojë ndjeshëm në shmangien e rikthimit të kilogramëve.
Ky studim vjen për të sfiduar deri diku bindjen e përhapur se 10 mijë hapa janë një objektiv i domosdoshëm për të gjithë, duke propozuar një numër që duket më i arritshëm për jetën e përditshme të shumë njerëzve.
/tvklan.al




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.