☀️
Tiranë 21°C · Kthjellët 18 May 2026
S&P 500 7,409 ▼1.24%
DOW 49,526 ▼1.07%
NASDAQ 26,225 ▼1.54%
NAFTA 102.35 ▲1.32%
ARI 4,541 ▼0.45%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1620 EUR/GBP 0.8722 EUR/CHF 0.9146 EUR/ALL 95.5111 EUR/MKD 61.6945 EUR/RSD 117.4414 EUR/TRY 52.9328 EUR/JPY 184.48 EUR/CAD 1.5980 EUR/USD 1.1620 EUR/GBP 0.8722 EUR/CHF 0.9146 EUR/ALL 95.5111 EUR/MKD 61.6945 EUR/RSD 117.4414 EUR/TRY 52.9328 EUR/JPY 184.48 EUR/CAD 1.5980
₿ CRYPTO
BTC $76,766 ▼ -2.13% ETH $2,116 ▼ -3.55% XRP $1.3809 ▼ -3.05% SOL $84.3400 ▼ -3.16%
S&P 500 7,409 ▼1.24 % DOW 49,526 ▼1.07 % NASDAQ 26,225 ▼1.54 % NAFTA 102.35 ▲1.32 % ARI 4,541 ▼0.45 % S&P 500 7,409 ▼1.24 % DOW 49,526 ▼1.07 % NASDAQ 26,225 ▼1.54 % NAFTA 102.35 ▲1.32 % ARI 4,541 ▼0.45 %
EUR/USD 1.1620 EUR/GBP 0.8722 EUR/CHF 0.9146 EUR/ALL 95.5111 EUR/MKD 61.6945 EUR/RSD 117.4414 EUR/TRY 52.9328 EUR/JPY 184.48 EUR/CAD 1.5980 EUR/USD 1.1620 EUR/GBP 0.8722 EUR/CHF 0.9146 EUR/ALL 95.5111 EUR/MKD 61.6945 EUR/RSD 117.4414 EUR/TRY 52.9328 EUR/JPY 184.48 EUR/CAD 1.5980
18 May 2026
Breaking
Politika

Ambasadori i OSBE: Zëri i medias duhet të dëgjohet

Ambasadori i OSBE, Michele Tarran, në fjalën e tij të mbajtur këtë të hënë në konferencën për lirinë e medias, tha se gazetaria nuk është thjesht një profesion apo një industri, por një shërbim për publikun. Sakaq, ai theksoi se zëri i medias duhet të dëgjohet.

Ai vlerësoi rolin e gazetarëve dhe institucioneve mediatike në forcimin e demokracisë, duke theksuar se hapësira e informacionit po përballet me transformime të thella, përfshirë dezinformimin dhe ndikimin e teknologjisë.

Tarra u ndal edhe tek situata në Shqipëri, duke përmendur përparime në kuadrin ligjor dhe mbrojtjen e gazetarëve, por edhe sfidat që mbeten ende për t’u adresuar.

Fjalimi i plotë i Michele Tarran:

Është një kënaqësi e veçantë t’ju mirëpres të gjithëve në Tiranë për Konferencën e këtij viti për Median në Evropën Juglindore, organizuar nga Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias. Dëshiroj t’ju falënderoj, i dashur Jan, ju dhe ekipin tuaj për organizimin e shkëlqyer. Është një kënaqësi e vërtetë për ne dhe për partnerët tanë shqiptarë t’ju mirëpresim në Tiranë.

Jam i lumtur të shoh një grup kaq të gjerë pjesëmarrësish të mbledhur sot këtu: gazetarë, ekspertë të medias, rregullatorë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, politikëbërës dhe kolegë të OSBE-së nga e gjithë rajoni. Ky kombinim i shkëlqyer perspektivash dhe përvojash do ta pasurojë konferencën gjatë dy ditëve në vijim.

Tema e konferencës është shumë aktuale. Gazetaria nuk është vetëm një profesion apo industri. Gazetaria i shërben publikut, i ndihmon njerëzit të kuptojnë zhvillimet komplekse, të mbajnë institucionet përgjegjëse dhe të marrin pjesë në debatin demokratik të informuar.

Hapësirat publike të informacionit në Evropë dhe më gjerë po transformohen me shpejtësi dhe në mënyrë të thellë. Vendet ku qytetarët dikur mblidheshin rreth një grupi relativisht të përbashkët faktesh po fragmentohen në mijëra realitete paralele, të nxitura nga algoritmet, të përshpejtuara nga inteligjenca artificiale dhe gjithnjë e më të cenueshme nga manipulimi.

Në të gjithë rajonin e OSBE-së dhe, veçanërisht përmes punës së operacioneve në terren të OSBE-së në Evropën Juglindore dhe Përfaqësuesit për Lirinë e Medias, shohim se sa të përbashkëta janë këto sfida. Edhe pse kontekstet mund të ndryshojnë nga një vend në tjetrin, presionet janë jashtëzakonisht të ngjashme: rënia e besimit tek institucionet, manipulimi i informacionit, zvogëlimi i pluralizmit mediatik, gjuha e urrejtjes në internet, sulmet ndaj gazetarëve dhe pasiguria në rritje mbi informacionin që mund t’i besohet.

Këto nuk janë çështje të izoluara kombëtare, por sfida rajonale me pasoja rajonale. Pikërisht për këtë arsye bashkëpunimi ka rëndësi, pasi asnjë institucion nuk mund t’i adresojë i vetëm. Përgjigjja duhet të jetë kolektive, e bashkërenduar dhe e mbështetur në parime demokratike.

Misionet e OSBE-së në të gjithë Evropën Juglindore, duke punuar së bashku me kolegët tanë në Vjenë, janë në një pozicion unik për të kontribuar në këtë përpjekje, përmes mbështetjes së lirisë së medias, forcimit të edukimit mediatik, rritjes së qëndrueshmërisë institucionale, mbështetjes së kuadrit ligjor dhe politikave, si dhe nxitjes së dialogut ndërmjet komuniteteve dhe përtej kufijve.

Por ndoshta më e rëndësishmja, ato na kujtojnë se siguria sot nuk lidhet vetëm me territorin apo infrastrukturën. Ajo lidhet edhe me integritetin e hapësirave të informacionit ku qytetarët formojnë opinionet, marrin pjesë në jetën publike dhe bëjnë zgjedhje demokratike.

Më lejoni t’ju tërheq shkurtimisht vëmendjen te Shqipëria, ku Prezenca e OSBE-së ka mandat të mbështesë një mjedis mediatik të lirë dhe të bazuar në fakte. Më lejoni të theksoj disa zhvillime pozitive që kam vërejtur që prej marrjes së detyrës si Kryetar i Prezencës.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka krijuar një pikë kontakti për sigurinë e gazetarëve, e cila, së bashku me disa ndryshime ligjore, përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të mbrojtjes së profesionistëve të medias. Do të nxisja vijimin e vëmendjes së afërt, së bashku me autoritetet përkatëse, për të garantuar ndjekje të shpejtë dhe efektive të të gjitha rasteve që prekin gazetarët.

Janë ndërmarrë hapa të mëtejshëm drejt përafrimit të mjedisit mediatik dhe informativ me standardet ndërkombëtare, përfshirë përpjekjet për përmirësimin e kuadrit rregullator dhe adresimin e sfidave të kahershme të qeverisjes. Në këtë kontekst, kërkesat për transparencën e pronësisë së medias janë forcuar dhe kam besim se Autoriteti i Mediave Audiovizive do t’i zbatojë këto dispozita në frymën me të cilën janë miratuar.

Komuniteti mediatik në Shqipëri, ndonëse jo i madh në numër, është i mirinformuar, aktiv dhe luan një rol jetik në debatin publik. Prandaj, është thelbësore që zërat e tyre të vazhdojnë të dëgjohen, të përfshihen dhe të marrin pjesë në mënyrë domethënëse në diskutimet për politikat.

Me rëndësi të veçantë, në vitin 2025, autoritetet kombëtare identifikuan si një nga objektivat e tyre integrimin e edukimit mediatik dhe informativ në kurrikulat zyrtare arsimore. Ky është një hap i rëndësishëm dhe largpamës, të cilin Prezenca e OSBE-së po e mbështet aktivisht në bashkëpunim me institucionet dhe partnerët përkatës.

Megjithëse këto zhvillime janë inkurajuese, sfidat ndaj lirisë së medias në Shqipëri mbeten dhe kërkojnë vëmendje të vazhdueshme. Këto përfshijnë shqetësime që lidhen me sigurinë e gazetarëve, presionet ekonomike që ndikojnë në qëndrueshmërinë e mediave të pavarura, si dhe intimidimin dhe fushatat denigruese në internet.

Nevojiten, gjithashtu, përpjekje të mëtejshme për të forcuar transparencën, pavarësinë editoriale dhe zbatimin e qëndrueshëm të mbrojtjeve ligjore, duke mbështetur njëkohësisht kushte që u mundësojnë gazetarëve të respektojnë standardet më të larta profesionale, etike dhe të raportimit të paanshëm. Angazhimi konstruktiv i vazhdueshëm i të gjithë aktorëve do të jetë thelbësor për adresimin e këtyre çështjeve në përputhje me angazhimet demokratike të Shqipërisë dhe standardet ndërkombëtare.

Prezenca do të vazhdojë të punojë për një mjedis mediatik më të fortë dhe pres me interes dy ditët në vijim si një mundësi për t’u përqendruar tek gjërat që funksionojnë, për të mësuar nga përvojat e njëri-tjetrit dhe për t’i kthyer sfidat e përbashkëta në zgjidhje të përbashkëta në mbështetje të lirisë më të madhe të medias në rajonin tonë.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.