Rajoni

6 probleme në Greqi, të cilat nuk mund t’i zgjidhë dot as paketa e re e ndihmave

Vendi i famshëm në jug të Ballkanit ka nevojë urgjente për para, përndryshe falimenton. Në terma afatshkurtër, drama do të mund të quhej e zgjidhur, mirëpo vendi ka probleme edhe më të thella, të cilat nuk mund t’i zgjidhin dot as paratë

Eurogrupi po kërkon me ngulm të gjejë një zgjidhje për krizën greke. Vendi i famshëm në jug të Ballkanit ka nevojë urgjente për para, përndryshe falimenton. Në terma afatshkurtër, drama do të mund të quhej e zgjidhur, mirëpo vendi ka probleme edhe më të thella, të cilat nuk mund t’i zgjidhin dot as paratë.

Ekspertët në BE dhe në Greqi janë të një mendje: faktorët që kanë sjellë krizën më të madhe të Greqisë qysh nga koha e Luftës së Dytë Botërore, nuk janë ekonomia jokonkurrente, tejfryrja në borxhe, mungesa e administrimit, korrupsioni apo evazioni fiskal e mashtrimi financiar.

Më poshtë renditen gjashtë probleme, të cilat, sipas shumë ekspertëve perëndimorë, nuk mund t’i zgjidhë dot as edhe një paketë e re ndihmash, si ajo e shumëpritura e Trojkës, të cilën qeveria e re greke as që do ta përmendë si term.

1 – Dobësia strukturore: ekonomia sëmuret para së gjithash nga mungesa e fuqisë eksportuese. Greqia thuajse nuk ka fare industri nacionale. Ekonomia agrare nuk mund të mbulojë dot as nevojat e popullit të vet me ushqime. Si një ndër degët më të mëdha të ekonomisë, duket se turizmi vijon të ecë mirë. Mirëpo sistemi i pensioneve vlerësohet se ka nevojë imediate për reforma.

2 – Deficiti: Deficiti buxhetor në vitin 2009 ishte në nivelin ekstrem të lartë prej 15,4%. Duhet të zbresë në nivelin e 2%. Masat e kursimeve pikësëpari prekën pikat e dobëta të sistemit social.

Mesatarisht grekët, sipas vlerësimeve të sindikatave, kanë humbur ndërkaq më shumë se 30% të të ardhurave të tyre. Pasi rripi po shtrëngohet gjithnjë e më shumë, si pasojë po konsumohet gjithnjë e më pak. Rrënimi ekonomik ka sjellë përjashtime masive nga puna dhe një papunësi prej 26%. Çdo një në dy grekë të rinj, vlerësohet se është i papunë.

3 – Borxhet: Aktualisht, kuota e borxheve e Greqisë është në nivelin e rreth 180% të performancës ekonomike dhe kësisoj në një nivel më të lartë se sa në çdo vend tjetër të Eurozonës. Në tregun e kapitaleve, Greqia praktikisht nuk mund të marrë më asnjë kredi, pasi investitorët kanë humbur besimin, aq sa Athina nuk mund t’i kthejë dot mbrapsht borxhet e veta.

Për këtë arsye, vendi është i varur jashtëzakonisht nga një marrëveshje me BE-në, Bankën Qendrore Europiane dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar.

4 – Evazioni fiskal: Shtetit i shpëton një sasi e madhe parash pa hyrë në arkën e tij, si pasojë e korrupsionit, ekonomisë informale dhe evazionit e mashtrimit fiskal. Ekspertët kanë përllogaritur se Greqia brenda dhjetë viteve do të mund të çlirohej nga borxhet, nëse frenojnë evazionin fiskal dhe mbledhin e administrojnë mirë – së pari Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

5 – Dinastitë: Rreth një mijë familje dhe pak dinasti politike janë ato që zotërojnë shtetin dhe posedojnë pjesë të mëdha të vendit e ekonomisë.

6 – Mosbesimi: Grekët kanë pak besim në institucionet politike. Partitë tradicionale të konservatorëve e socialistëve, “e kanë humbur davanë”. Në janar, grekët zgjodhën për herë të parë një qeveri të majtë ideologjike. Kryeministri Aleksis Cipras futi në koalicion edhe populistët e djathtë. Vetëm pak ministra të koalicionit të majtë – të djathtë, kanë përvojë qeverisëse.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button