Ekonomia

690 biznese thyen aktmarrëveshjet, OSHEE: Të rikthehen ose aktivizohet përmbarimi

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri shoqëruar nga administratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) Adrian Çela inauguruan përfundimin e investimit 600 mijë euro për ndërtimin e rrjetit të ri 20 kV në zonën e ish-nisherakut në Tiranë.

Në një njoftim për shtyp, Ministria Energjisë bëri të ditur të premten se, investimi përmirëson cilësinë e furnizimit për 15 mijë abonentë ndërsa prek një zonë të rëndësishme që shtrihet nga Selita, një pjesë e Komunës së Parisit, zona rreth Vasil Shantos, Bulevardi “Gjergj Fishta” dhe zona e ish-nisherakut.

Ministri Gjiknuri deklaroi se disiplina financiare dhe pagesat e abonentëve sjellin investimet dhe përmirësimin e rrjetit elektroenergjitik. Në këtë linjë,.Gjiknuri deklaroi se nga verifikimet e fundit të OSHEE, rezulton se janë 690 biznese që kanë thyer aktmarrëveshjet e nënshkruara me kompaninë për pagesën me këste të borxheve të prapambetura.

Sipas tij, këto biznese e kanë shkëputur në mënyrë të njëanshme këtë marrëdhënie dhe ndaj tyre do të fillohet me procedurat ku nuk përfshihet vetëm ndërprerja e energjisë elektrike por deri tek vendosja e barrës hipotekore e cila ndalon transferimin e pronësisë pa likujduar detyrimet ndaj Operatorit të Shpërndarjes.

“Do të fillojë të vihet në zbatim legjislacioni i ri i energjisë elektrike që ka të bëjë me vendosjen e barrës hipotekore për të gjithë ato biznese që kanë një vlerë detyrimi të prapambetur mbi 1.5 milion lekë të reja. Do të fillojnë njëkohësisht të gjitha procedurat përmbarimore për të vjelur këto detyrime ndaj të gjitha bizneseve që kanë thyer aktmarrëveshjet” theksoi Gjiknuri.

Kreu i Energjitikes i bëri thirrje bizneseve, se  kanë afat 5 ditë kohë nga njoftimi për të rilidhur kontratën dhe të vazhdojnë me këstet e lehtësirat që janë krijuar nga aktmarrëveshja. “Përndryshe do të penalizohen në mënyrë të menjëhershme pasi nuk është normale që qytetarët të tregohen të rregullt ndërsa bizneset të devijojnë nga lehtësirat që u ka krijuar shteti”, nënvizoi Gjiknuri.

Duke u ndalur tek investimi i inauguruar, administratori i OSHEE-së Adrian Çela deklaroi se është bërë kalimi i të gjithë rrjetit nga 10 kV në atë 20 kV; janë ndërtuar 17 kabina të reja e rikonstruktuar 14 të tjera; janë zhdukur 15 shtylla që ishin në mes të rrugës.

Sipas tij, me këtë investim parashikohet që humbjet teknike nga niveli 14% të zbresin në nivelin 7%. Ky eshtë një nga investimet e shumta që jane bërë në Tiranë gjatë vitit 2015 dhe gjatë kësaj pjesë të vitit 2016.

Ndersa janë investuar rreth 20 milion USD vetëm në qytetin e Tiranës dhe fillojne së shpejti investimet e tjera siç është fuqizimi i nënstacionit të Selitës.

“Në bashkëpunim me Bankën Botërore do të bëjmë nisjen e nënstacionit të ri në zonën e Kombinatit. Brenda fillim vitit 2017 i gjithë qyteti i Tiranës dhe zonat përreth do të kenë linjën e re 20 kV çka përmirëson dukshëm cilësinë e furnizimit”, u shpreh Çela.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button