9-vjeçarja që habiti Apple
Nuk ka përfunduar ende shkollën fillore, por është programuesja më e re e “Worldwide Developer Conference”.
Anvitha Vijay, një australiane me origjinë indiane është ylli I konferencës së organizuar nga Apple, ku takohen çdo vit krijuesit më të suksesshëm dhe të talentuar të aplikacioneve për sistemin iOS.
Anvitha është vetëm 9 vjeç. Gjuhën e programimit ka nisur ta mësojë që në moshën 7-vjeçare përmes video-tutorialeve në Youtube. Ka disa muaj që ka përfunduar aplikacionin e vet, të quajtur “Smartkins animals”, një aplikacion që ndihmon fëmijët të mësojnë rreth botës së kafshëve duke u argëtuar.
Talenti i saj ka tërhequr vëmendjen e Apple që e ka përfshirë në programin e vet të stimulimit të programuesve të rinj, ku jep 350 bursa për më të suksesshmit.
Vogëlushja ka habitur të gjithë, përfshirë këtu edhe numrin një të “Mollës”, Tim Cook. Ai thotë se nuk e priste që mes 120 fituesve të këtyre bursave nën 18 vjeç, të ishte edhe një vogëlushe që nuk ka përfunduar ende arsimin elementar.