Adoleshentja i jep fund jetës me helm, dyshohet se abuzoi seksualisht i ati
Lezhë
Dëshmia e 18-vjeçares në grahmat e fundit të jetës
Një vajzë 18 vjeçe, e cila mendohet se ka rënë pre e abuzimeve seksuale nga i ati, i ka dhënë fund jetës, duke pirë helm. Por, para se ajo të ndërronte jetë, në prani të mjekëve, ka kallëzuar se e ka kryer këtë veprim, pasi i ati e kishte përdhunuar. Madje, vajza 18-vjeçare ka shpjeguar se ka qenë pre e abuzimeve seksuale nga i ati që në moshën 14-vjeçare. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një fshat të Lezhës, ndërkohë që policia ka ndaluar babanë e adoleshentes. Megjithatë, akuzat e bëra nga vajza në grahmat e fundit të jetës, janë hedhur poshtë si nga i ati, ashtu edhe e ëma, ku kjo e fundit ka rrëfyer për mediat edhe variantin e saj të këtij krimi të rëndë.
Dëshmia e vajzës
Vajza e re nga fshati Barbullojë i Lezhës, Xhuana Mekrizvani, është paraqitur në spitalin rajonal të qytetit katër ditë më parë, pikërisht të mërkurën, kur ka shfaqur shenja të rënduara helmimi. Menjëherë, ajo është marrë në trajtim nga mjekët dhe ka rezultuar se ajo kishte konsumuar fostoksinë, me qëllim që t’i jepte fund jetës. Në këto kushte, autoritetet e spitalit kanë vënë në dijeni policinë, e cila ka marrë në pyetje paraprakisht vajzën 18-vjeçare. Në prani të mjekëve, para se të ndërronte jetë, mësohet se vajza ka treguar se e ka ndërmarrë këtë veprim për shkak të abuzimeve seksuale të babait ndaj saj. Ajo ka rrëfyer për mjekët dhe policët se ka rënë pre e këtyre veprimeve që para katër viteve. Por, rasti i fundit ka qenë tri ditë para se të ndërmerrte aktin e vetëflijimit.
Shoqërimi i babait
Ajo mësohet se nuk ka mundur të tregojë më shumë dhe pavarësisht ndihmës së dhënë nga mjekët, nuk ka mundur të mbijetojë. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, mësohet se strukturat e policisë kanë nisur hetimet dhe kanë vendosur shoqërimin e babait të vajzës për ta marrë në pyetje për akuzat e ngritura ndaj tij. Babai i 18-vjeçares, Fatmir Mekrizvani është kapur në shtëpinë e tij, në prani të së shoqes dhe është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Lezhës. Gjatë marrjes në pyetje, babai i 18-vjeçares ka mbetur i shtangur, duke mohuar në mënyrë kategorike akuzat e ngritura ndaj tij. Ai është shprehur se nuk e ka ngacmuar kurrë vajzën e tij dhe për më tepër të ketë kryer marrëdhënie seksuale me të. Policia ka vendosur arrestimin e tij.
Nëna e viktimës
Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe nëna e vajzës 18-vjeçare gjatë një prononcimi për mediat. Valbona Mekrizvani, në një prononcim për mediat, deklaroi se akuzat e së bijës sa i takon faktit se ndaj saj është abuzuar seksualisht nga i ati nuk janë të vërteta. Sipas nënës së viktimës, bashkëshorti i saj është i pafajshëm. “Të mërkurën, policia erdhi në shtëpi dhe mori burrin pa asnjë shpjegim dhe e futi në burg. I pyeta se çfarë ka ndodhur. Më tha se nuk e dinte. Përgjigjet tha policia do t’i marrim mbrapa. Kjo është padrejtësi. Vajza ka qenë e fejuar në Tiranë dhe kjo ngjarje nuk është e vërtetë. Kam shkuar në polici dhe kam kërkuar shpjegime nga policia se pse mbahet bashkëshorti im në polici, por më pas mora vesh për akuzën”, ka rrëfyer për mediat nëna e adoleshentes që i dha fund jetës, pasi konsumoi fostoksinë. Ajo ka treguar se vajza e tij ishte e fejuar dhe para se të ndërmerrte aktin e rëndë, ka qenë te shtëpia e tij.