Ekonomia

Ahmetaj: Pranvera la pas krizën ekonomike

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj bëri një panoramë pozitive të situatës ekonomike dhe financiare në vend. Ai foli për rritje të konsumit, kreditimit dhe punësimit dhe e quajti këtë pranverë si pranvera që la pas krizën ekonomike.

Sipas Ahmetajt, konsumi është rritur me 1.2 përqind tek ushqimet, në një kohë që rajoni ka regjistruar rënie me 0.6 përqind.

Ahmetaj tha se papunësia ka rënë me 4.8 përqind dhe norma e papunësisë aktualisht është ndaluar në 17.1 përqind.

“Mbetet e lartë, por tendenca mbetet e ulët dhe kjo lidhet edhe me përmirësimin e klimës së biznesit”, u shpreh Ahmetaj.

Të dhëna pozitive Ahmetaj thotë se ka edhe nga eksportet.

“Eksporti ka dhënë shenjat e para pozitive. Për muajin prill ka një rritje 1.5 përqind që është pozitive”, tha ai.

Rritje të fortë kanë patur edhe importet, ku 10.2 përqind e tyre i faturohet gazsjellësit TAP.

“Kemi një rritje 17.2 përqind të importit dhe duke e zhveshur nga TAP, rritja e tyre është 7 përqind”, tha Ahmetaj.

Rritja të fortë ka patur kredia konsumatore. Ajo është ndalur në 12.6 përqind, ndërsa ajo e biznesit mbetet në nivele të ulta, por sërish, siç tha Ahmetaj, në trend pozitiv.

Kur u pyet nga Top Channel nëse në qershor do të ketë rritje të pagave dhe të pensioneve, ministri Ahmetaj la të kuptohej se kjo nuk do të ndodhë.

“Le të shijojmë njëherë pranverën e lënies pas të krizës dhe gjithë këto informacione të mira nuk i gëlltisim dot njëherësh. Le të shijojmë rritjen e konsumit dhe rritjen 12.4 përqind të rritjes së kredisë konsumatore. Shijohet kjo që kur të vijë një lajm i dytë dhe i tretë, të kesh mundësi kollaj ta shijosh”, u shpreh ai.

I pranishëm në konferencën me gazetarët ishte edhe përfaqësuesi i FMN-së, Jens Reinke. Ai kërkoi të bëhej kujdes nga administrata tatimore në raportet e saj me biznesin.

“Mënyra e komunikimit, veprimit dhe operimit  e tatimeve me sektorin privat ndonjëherë është e vështirë për këtë sektor. Mënyra e komunikimit të administratës tatimore me biznesin, ndonjëherë është ndëshkuese dhe nuk ka konsistencë. Ky është një problem i rëndësishëm që qeveria duhet t’i kushtojë  vëmendje pasi ndikon në rritjen ekonomike”, u shpreh Reinke.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button