Ahmeti: Marrëveshja nuk prodhon qeveri teknike
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, në një intervistë për RTV 21, tha se marrëveshja ndërmjet katër liderëve nuk prodhon qeveri teknike. Ahmeti madje ka fol edhe për situatën politike në Maqedoni pas konfliktit të armatosur në Kumanovë.
“Ne kemi bërë të gjitha përpjekjet që vendi të orientohet drejt normalitetit. Ne kemi nevojë edhe për një rajon stabil, ne kemi nevojë për marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët tanë sepse ne nuk mendojmë të vetmuar se mund të arrijmë qëllime drejt BE-së e NATO-së. Ne mendojmë për politika të shëndetshme në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimorë”, deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Ahmeti duke e vlerësuar marrëveshjen politike të arritur në Shkup, ka thënë se uron që të mos devijoj.
“Marrëveshja është mjaftë orientuese, e qartë për palët që e kanë nënshkruar. Uroj dhe shpresoj që kjo marrëveshje të respektohet dhe të mos devijohet. Më frikojnë disa analist e opinionistë që e kontestojnë këtë marrëveshje, më frikojnë ide dhe orientime dhe jo të shëndetshme që mund të ndikojë te njëra palë. Në veçanti në këtë moment më shumë ‘terror’ ushtrohet më shumë në opozitën maqedonase nga këta opinionistë, gjë që nuk e shoh si veprim të mençur”, tha ai.
Ahmeti po ashtu bëri me dije se brenda 10 ditëve liderët e katër partive në Maqedoni, pritet të takohen përsëri.